Prej disa ditësh, media të ndryshme, të shumtat pranë opozitës, kanë ngritur një stuhi në gotë, lidhur me shërbimet zyrtare të ministres së Drejtësisë, zonjës Gjonaj. Gjërat shkuan edhe më tej, kur një ish-deputete e opozitës, pa marrë mundimin as të thellohet në të vërtetat apo të pavërtetat e të dhënave të paraqitura, as më pak e as më shumë, kërkoi largimin nga detyra të ministres së Drejtësisë.
Megjithëse nga institucioni që drejton zonja Gjonaj, nga vetë ajo, por edhe nga bashkëpunëtorët tanë, u qartësua se e gjitha ishte një krijesë e mediave për shou mediatik, përsëri avazi i ngritur me bujë, por pa gjë brenda, po vazhdon. Opozita, si duket e mbetur keq për tema të bujshme, ka gjetur një alibi për të nxjerrë në foltore, herë pas here, disa nga ish-deputetët e saj.
Sidoqoftë është një rast më shumë për të analizuar se çfarë ka të veçantë në punën e ministres së Drejtësisë dhe në Institucionin që ajo drejton.
-Në fakt, ajo është ministria më transparente dhe zonja ministre ka qenë gjithnjë e hapur për të dhënat, brenda afatit, të dokumentacionit të udhëtimeve, sipas kërkesës së mediave të ndryshme. Edhe rasti i tashëm e saktëson këtë konkluzion.
-Keqinterpretimi i faturave, sidomos shtesat e bëra për biseda me drejtues të ndryshëm të hoteleve prestigjioze, si ishte rasti i “Hilton Hotel” në Berlin, nga ana e portaleve është në fakt keqdashje dhe kërkim i keqdashjes ndaj një gruaje, zonje dhe zyrtare korrekte e shtetit. Arsyeja përse ndodh kjo është e qartë.
-Ministrja Gjonaj, edhe në këtë rast, tregoi korrektësi të lartë me ligjin dhe publikun. Ajo, për asnjë çast nuk i fshehu të dhënat, si ka ndodhur jo pak herë në praktikat e mëparshme, por i bëri publike në mënyrën më transparente të mundshme dhe për më tepër, në respekt të opinionit publik, bëri deklaratën e saj, të saktë, të qartë dhe të hapur.
-Që nga dita kur ajo është vendosur në drejtim të këtij Institucioni të rëndësishëm, pavarësisht aludimeve dhe sulmeve që i janë bërë sa herë që qëndrimet e saj kanë qenë të duhurat, ajo ka ndjekur vijën e ndëshkimit pa kompromis të zyrtarëve shtetërorë, në të gjithë strukturën që drejton.
-Zonja Gjonaj është në postin e rëndësishëm të Ministrisë së Drejtësisë në një kohë të veçantë, pikërisht kur në vendin tonë po kryhet, nën monitorimin ndërkombëtar, reforma më e rëndësishme në sistemin tonë të drejtësisë, si një domosdoshmëri e rivendosjes së të drejtës dhe ndëshkimit ndaj abuzimeve që janë bërë. Duke qenë në këtë post ajo ka udhëhequr me shumë korrektësi detyrimet institucionale të reformës në drejtësi dhe sipas informacioneve të qarta, puna e saj është vlerësuar maksimalisht edhe nga institucionet ndërkombëtare që monitorojnë shtetin shqiptar dhe sidomos këtë reformë jetësore.
-Zonja Gjonaj është ministrija që pa asnjë droje, po guxon pa kompromis të thyejë mitin “e të fortëve” brenda burgjeve, duke ju hequr “privilegjet” e përfituara prej vitesh në sistemin e burgjeve dhe duke vendosur kontroll rigoroz në të gjithë piramidën e kësaj strukture. Është ndoshta ndër aktet më të guximshme dhe të shumëpritura të këtij dikasteri, gjë që duhej vlerësuar seriozisht nga mediat tona.
-Institucioni që drejton ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm, që thellohen gjithnjë e më shumë, për shkëputjen e drejtuesve të burgjeve nga politika, duke synuar profesionalizmin si kriter kryesor, por edhe përkushtimin në detyrë, seriozitetin dhe qëndrimin serioz dhe të dinjitetshëm ndaj zbatimit të ligjeve.
E gjithë fushata e tashme kundër saj, për fat të keq, më shumë se me atë dhe disa fatura udhëtimi e akomodimi, të cilat kanë qenë transparente dhe jo të mbajtura nën sirtar, kanë të bëjnë pikërisht me reformën në drejtësi, me largimin e vëmendjes nga problemet themelore të këtij sistemi, në krijimin e një tabloje krejt tjetër dhe të pasinqertë ndaj figurës së drejtueses kryesore të këtij Institucioni, që në fund të fundit, ka dhënë shenjat e duhura të seriozitetit dhe të përkushtimit.
Megjithatë, reforma në drejtësi do të vijë gjithnjë duke u thelluar.
DITA
