Atentati ndaj ish efektivit Santiago Malko, që tronditi kryeqytetin pak ditë më parë, dyshohet se kishte kohë që ishte planifikuar. Ndërsa besohet se për realizimin e tij, organizatorët kanë porositur vrasës me pagesë.
Këto janë konkluzionet e grupit hetimor, pas 3 ditë hetimesh intensive për të zbardhur vrasjen e ish-efektivit.
Ky konkluzion bazohet edhe në faktin se hetimet zbuluan se makina nga u qëllua mbi ish-policinm e cila u gjet e djegur në fshatin Ferraj të Tiranës, rezulton e vjedhur në Lezhë në muajin shkurt.
Për të shmangur kërkimet për këtë mjet, autorët i kishin vendosur targa të tjera, të cilat, sipas hetuesve janë vjedhur në muajin mars në zonën e Krujës.
Këto detaje të siguruara deri tani nga grupi hetimor i kanë shtuar dyshimet e policisë dhe prokurorisë, sipas Klan, se grupi që ekzekutoi 26-vjeçarin në zonën e Porcelanit, mund të jetë nga zona e Krujës.
Nga kjo zonë ka dyshime se janë edhe autorë atentatesh të tjerë të pazbardhur, siç është rasti i vrasjes së bankierit Artan Santo, vrasësit e të cilit u zhduken pikërisht me një motor, në afërsi të Fushë Krujës.
Hetuesit janë në pritje të përfundimit të ekspertizës së armëve të gjetura në mjetin e djegur dhe disa provave të tjera të gjetura aty.
Gjithashtu, celulari i viktimës konsiderohet një provë e rëndësishme, pasi mund të përftohen biseda të cilat mund të hedhin dritë mbi konflikte të mundshme të Santiago Malkos.
Pistat kryesore hetimore janë konfliktet e mëparshme që ka pasur viktima dhe ngjarje të tjera kriminale të kohëve të fundit, në të cilat dyshohet se ai ka qenë i përfshirë.
e.ll./dita
