Mbrëmjen e së premtes, Vlora është tronditur nga të shtëna me armë zjarri.
Sipas njoftimit të plocisë së këtij qyteti, si rezultat një person ka mbetur i plagosur po është jashtë rrezikut për jetën. I plagosur ka mbetur 36 vjeçari Elius Thartori.
Thartori rezulton të jetë një person i njohur për policinë, pasi ai ka qenë dënuar më parë me 10 vite burg për akuzën e vrasjes me paramendim dhe armëmbajtje pa leje.
Raportohet se 36-vjeçari, gjithashtu, ështe ish mësues i edukimit fizik në një shkollë 9 vjeçar në Vlorë, ndërsa karriera e tij mësohet se përfundoi dy vite më parë, pasi një emision investigativ publikoi video ku ish-mësuesi inkurajonte nxënësit të ofendonin drejtoreshën dhe luante me ta bixhoz gjatë orës së mësimit.
Bëhet me dije se Thartori jetonte jashtë vendit, ndërsa ishte kthyer pak kohë më parë në Vlorë.
Ngjarja e sotme ka ndodhur në lagjen “10 Korriku”, ndërsa policia ka rrethuar zonën dhe menjëherë ka nisur punën për identifikimin dhe më pas kapjen e autorit.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 19:23, në Spitalin Rajonal të Vlorës ka shkuar i plagosur dyshohet me armë zjarri shtetasi E.Th., 36 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
36 vjeçari ka qenë në ballkonin e banesës së tij në lagjen “10 Korriku” dhe në rrethana ende të paqarta dyshohet se është plagosur me armë zjarri. Grupi hetimor po vijon hetimet për zbardhjen dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
e.ll./dita
