“Topi i Artë”, dominon Bajern me 6 kandidatë

redaktor

Revista “France Football” ka publikuar dje listën me 23 kandidatët për “Topin e Artë”, trofeu individual që prej tre vitesh jepet në bashkëpunim me FIFA-n. Ndryshe nga vitet e kaluar, kur Barcelona kishte numrin më të madh të lojtarëve në listë, këtë herë dominues është Bajerni i Munihut, fitues i Champions League sezonin e kaluar, por njëherazi edhe i kampionatit dhe Kupës së Gjermanisë. Bavarezët kanë gjashtë lojtarë, midis tyre një pretendent të fortë, Frank Riberi, i cili ndiqet nga kapiteni Lahm, Myler, Nojer, Shvajnshtaiger e Roben. Barcelona është e dyta, me katër lojtarëve, mes tyre rekordmeni dhe përherë favoriti kryesor për të fituar trofeun, Lionel Mesi. Falë numrit të madh të bavarezëve, Bundesliga është kampionati më i përfaqësuar në këtë listë, ndërkohë që nga kampionati italian, Serie A, ka vetëm një lojtar, Andrea Pirlon e Juventusit. Së bashku me listën e lojtarëve është paraqitur edhe lista e dhjetë trajnerëve që konkurrojnë për çmimin e më të mirit të vitit. Favoriti i nxehtë dhe me sa duket pa rivalë është Jup Hajnkes, tashmë i tërhequr, por që dominoi sezonin e kaluar me tre trofe në krye të Bajernit, duke pasur një marshim të admirueshëm edhe në Champions League. Pasuesi i tij në Munih, Pep Guardiola, mungon, pasi ishte pushim në gjysmën e parë të vitit, që është edhe më e rëndësishmja, pasi është koha kur jepen trofetë. Është interesant fakti që mungon Tito Vilanova, kampion i Spanjës me Barcelonën, ndërkohë që është Zhoze Murinjo, në vend të dytë me Realin, aktualisht te Chelsea. Kandidat i fortë është Luis Felipe Skolari, fitues i Kupës së Konfederatave me Brazilin. Fituesit do të dalin nga votimi i trajnerëve dhe kapitenëve të skuadrave kombëtare dhe do të shpallet më 13 janar, por deri atëherë listat e favoritëve do të jenë reduktuar me nga tre kandidatë.

 

 

Lojtarët

Gareth Bale, Edinson Cavani, Radamel Falcao, Eden Hazard, Zlatan Ibrahimoviç, Andrés Iniesta, Philipp Lahm, Robert Lewandowski, Lionel Messi, Thomas Muller, Neymar, Manuel Neuer, Mesut Ozil, Andrea Pirlo, Franck Ribery, Arjen Robben, Cristiano Ronaldo, Bastian Schweinsteiger, Luis Suarez, Thiago Silva, Yaya Toure, Robin van Persie, Xavi

 

Trajnerët

Carlo Ancelotti, Rafa Benitez, Antonio Conte, Vicente del Bosque, Alex Ferguson, Jupp Heynckes, Jürgen Klopp, Jose Mourinho, Luis Scolari, Arsene Wenger

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *