nga Alfred Papuçiu
Hapet dera e shtëpisë tek « 40 rue des Conches » dhe përpara më del profesor Jean-Philippe. Me shtatin e tij të lartë, 1 metër e 75 cm, me flokët e tij të hirta dhe me buzëqeshjen e tij karakteristike. Tani i ka mbi 80 vjeç. « Mirë se erdhe, Alfred. U bë një kohë që s’jemi parë. Unë pata një episod të rëndë, por tani jam më mirë ». Më tepër mbresë tek ai të lë shikimi i tij. Një shikim me një shprehje të veçantë. U përqafuam si miq të vjetër, si para 30 vitesh, kur ai realizoi projektin me Shqipërinë, bashkë me profesor Isufin. Unë i dhashë atëhere një ndihmesë modeste dhe ai më ishte mirënjohës. Më ka qëndruar pranë gjatë 32 viteve të qëndrimit tim në Gjenevë. Kaluam nëpër sallonin e tij, plot me piktura të piktorëve më të mëdhenj në botë, apo me relike të udhëtimeve të tij të shumta. Prapa kanapesë gjendej statuja e vogël prej bronxi e asaj vashe të bukur, si para 20 vitesh. Ndërmjet relikeve, edhe një pamje e bukur e Beratit të një mijë dritareve. Mbi komonë e gdhendur, një bukuri e rrallë e shekullit të 18-të, rosakët që profesori ka blerë gjatë udhëtimeve të tij. Si shenjë e besnikërisë bashkëshortore, me Tizianën me origjinë italiane, të urtën, eruditen, profesoreshën e gjuhës italiane në kolezhin « Calvin » (Kalvë). Shikoj rreth meje dhe gjithçka është e përkryer. Kthehem në të kaluarën. Kujtimet janë të shumta. Më vijnë ndërmend ato darkat që Jean-Philippe dhe Tiziana organizonin për miqtë shqiptarë që vinin në Gjenevë, të ftuar nga profesori, në seminaret që ai organizonte për problemet e edukimit terapeutik te pacientëve dhe diabetit. Më kujtohet ai ministri i Shëndetësisë që qau nga mallëngjimi kur profesori na çoi në Iverdon për të vizituar muzeun e të madhit, edukatorit Pestalozzi. Kishte lexuar shumë për të. Dhe që Akademiku Bedri Dedja kishte dëshirë të shkruante për jetën e edukatorit të madh zviceran. Unë do ta përktheja edhe në frëngjisht. Por vdekja e mori para kohe atë profesor tepër njerëzor, elokuent, fisnik, zemërmirë, babaxhan…Projekti i tij mbeti i papërfunduar. Unë kam akoma skicë-idenë e tij dhe shënime të hedhura në letër bashkë me firmën e tij karakteristike…
Jeta zhduket në honet e kohës. Ajo është si një cigare që tretet, hiri është dashuria, tym është çka mbetet. Më kujtohet ajo komshia e bukur, Natalia që vinte gjithmonë tek vila e profesorit. Me shikimin e saj depërtues. Një dashuri platonike e imja. « Bëni që ëndrra të gllabërojë jetën tuaj, me qëllim që jeta juaj të mos gllabërojë ëndrrën tuaj ». Më kujtoheshin në ato çaste këto fjalë të Antuan Sent- Exyperi. Një dëshirë besoj e çdonjerit prej nesh është që t’i kthehemi të kaluarës dhe të ndryshojmë rrjedhën e jetës, duke shmangur vështirësitë.Megjithatë, një pjesë e atyre kujtimeve janë fshirë nga kujtesa time. Mosha bën të sajën, por fatmirësisht nuk është Alzeimer, siç e përfshiu hallën time të mirë Pandora Dedja, atje në Tiranë. Qysh kur i vdiq i shoqi 73 vjeçar, shëndeti i saj u keqësua. Ajo jetonte me kujtimet e tij dhe dontë të botonte veprat e tij që kishin mbetur në dorëshkrim. Por harronte ajo se botuesit tanë e kanë “grykën e madhe” dhe duan që para se të botosh diçka, të derdhësh qesen, pa menduar që të të japin si kthim diçka për mundin që ke bërë. Edhe ajo iku një ditë janari, pa mundur të botojë shumë dorëshkrime të të shoqit, Akademikut Bedri Dedja…Njeriut që na la vepra të tilla si “Sekreti i talentit”, me dhjetra romane fantastike për fëmijë e me qindra e qindra shkrime për pedagogjinë dhe psikologjinë shqiptare. Unë I përktheva në frëngjisht Përallat e Zvicrës që doli botim I bukur dy gjuhësh, shqip dhe frëngjisht dhe botuar nga Toena.
Më kujtohet kur mbaroja punën, kaloja gjithë qytetin e Gjenevës me biçikletë dhe kisha dëshirën të kthehesha tek vila e profesorit që na e kishte lënë familjarisht gjatë kohës së pushimeve të tij, të bëja një banjë, një masazh të mirë. Këpucët mbanin këmbët e enjtura. Dhimbja kalonte deri në shpatulla, deri në vertebra, qysh nga qafa deri tek veshkat. Dy ditë pushim në fund jave. Cfarë fshihej pas atij shikimi depërtues i Natalias? E përmbajtur, pastaj ajo fjaloste me bashkëshorten time. Duke larguar shikimin nga unë. Ti e kupton se jeta është e vështirë. Dëshiron në ato çaste të jetosh në botën e ëndërrave, për të cilat flitet në romane. Apo tek « Karuzeli i ëndrrave » i mikeshës sime të mirë, Marie-Luce Dayer, që unë e përktheva në shqip. Kisha njohur lumturinë e një dashurie të përkryer, puthjen e parë tek kinemaja verore në plazhin e Durrësit, me bashkëshorten time të jetës, buklet e asaj që lidhi jetën me mua. Kujtonim ato vitet e arta…Dashuria dhe respekti për njeri tjetrin kanë vazhduar dhe vazhdojnë për afro 47 vitesh njohjeje.
Shkuam në oborrin e profesorit, plot me lule, ku unë kisha punuar me pasion 1 muaj kur më kishte ftuar bashkë me familjen të kaloja pushimet. Kujtimet e bukura më erdhën në mendje. Ai lumi që kalonte pranë dhe unë rrija me orë të tëra duke e soditur atë, si dhe peshqit që kalonin me shpejtësi në ujin e kulluar. I krusur, me gjunjët e vendosura deri në mjekër, me pulpat e kryqëzuara, me këmbët midis duarve. Ndizja një cigare dhe mendimet më shkonin në fragmentet e jetës sime të çuditëshme. Nga Tirana, në Gjenevën multietnike, tek Pallati i Kombeve ku punoja, ku shkoja çdo ditë me biçikletën time. Tek fusha e tenisit të Sali Nallbanit, tek rruga Myslym Shyri, ku kujtoja rininë time “të artë” tek luaja tenis gjithë pasditen. Përballë ishte mali « Salevë » që gjendet në anën tjetër të kufirit, në Francë. Kufi i thënçin, pasi nuk ka ndonjë ndarje midis tij dhe Gjenevës. Vetëm fushë, lule shumëngjyrëshe, toka të mbjella me grurë, luledielli. Shtëpi të bukura, përsëri të rrethuara me lule, dhe me flamujt e dy vendeve fqinjë, të varur në ballkonet e tyre. Shpesh, sheh fqinjë nga të anët e « kufirit » që mblidhen mbrëmjeve dhe pijnë nga një gotë « kirsh» (lloj rakie qershie zvicerane) apo verë « Bordo » franceze.
Nuk isha më i lumtur që prej largimit nga Conches. Të vetmen kënaqësi e kisha patur kur shkoja në Universitet dhe ndiqja studimet e larta europiane. Një universitet i dytë për mua, por shumë kuptimplotë për bindjet e mija ndaj Europës. Krejt ndryshe nga ato që kishim mësuar në Universitetin e Tiranës në vitet 60-të. Përsëri kujtimet më shpunë tek shikimi i dikurshëm i Natalisë. Zemra ime kishte pushuar së rrahuri. Jeta e çiftit kishte ngrirë entuziazmin tim të dikurshëm. A mos vitet kishin mbuluar dëshirën e një mjegulle të akullt… Jam plakur, kam shtuar në peshë dhe nuk e kam trupin të lehtë, si dikur kur luaja tenis apo pingpong dhe qëndroja gjithë pasditen në fushë kur arrija të fitoja ndeshjet me kolegët e mij.
Kur e kisha njohur shoqen time, jetoja akoma me prindërit. Megjithatë kishim çaste të bukura. Unë e fitoja mirë jetën, pasi veç pagës si gazetar, shkruaja edhe në gazeta letrare si “Drita”, apo “Zerin e rinisë“ dhe tek revista “Ylli”, tek “Bashkimi”i të paharruarit Napolon Roshi dhe Prof. Hamit Boriçit , si edhe kolegët e mij penat e arta, Shaban Murati dhe Kastriot Gjini i paharruar, kompozitor i rinisë dhe i dashurisë, apo Vladimir Cicani, Arshi Ruçaj, Pjerin Vata. Lexoja shumë dhe i gjeja subjektet që i pëlqente lexuesi. Kisha marrë dhe disa çmime për tregimet nga i paharruari Vath Koreshi kur punonte tek “Zëri i rinisë” dhe analizat e mija. Edhe një stilograf dhe një vepër të E. Hoxhës, për studimin tim për „Eurokomunizmin“, botuar në gazetën kryesore të vendit. Më vonë botuam edhe një libër për “Eurokomunizmin” me profesorin e nderuar Omer Hashorva. Disa javë tek “Drita” dhe gazeta të tjera, dilte njoftimi për të, pastaj çuditërisht u zhduk, por ndërkohë libri ishte shitur. Cuditërisht, pasi akoma nuk kishte dale vepra e E.Hoxhës për eurokomunizmin. Shkonim shpesh me bashkëshorten tek restorant „Donika“, në rrugën kryesore që të shpinte tek stacioni i trenit dhe bisedonim si një çift i lumturuar atje në katin e dytë. Shpesh shkonim edhe në kinema, apo teatër dhe opera. Nuk kishte mundësi të tjera, përveç këtyre për të kaluar kohën e lirë. Kur shkoja tek e fejuara, duhej të përballoja të paktën një orë lojë letrash, me gjyshin e saj, ish kryepeshkop e prift me kobure, Dhimitër Kokoneshi i diitur që nuk i kishte lënë taksidarët të vilnin taksa tek fshatarët e trevës së tij në Mokër dhe Llëngë ku thonë se edhe Teuta e madhe ka fshehur pasurinë e saj. Shpesh e lija të fitonte që të mund të dilja me të fejuarën. Ai kishte qënë mik i ngushtë me profesorin tim të paharruar, Nonda Bulka kur shkonte në Pogradec. Zografë Kokthi, e mbesa ka bërë mire që ka shkruar për të bashkë me Andre Llukanin studjues i zoti, një monografi kuptimplotë.
Ndihem keq kur ulemi me profesorin rreth tavolinës, jashtë tek kopshti me lule. Një dobësi pushton gjithë trupin tim. Më merren mendtë. Shoh turbull. Ndoshta më është rritur glicemia. E vërtetë që këto kohët e fundit, megjithëse i marr ilaçet në rregull, sheqerin e kam të lartë. Ndoshta pasi e teprova me ëmbëlsirat në dasmën e Enit dhe Armandos në restorantin e vëllezërve Osmani midis Vorës dhe Durrësit, dhe në Fier tek restoranti „Kështjella“. Qepallat i kam si të rënda. A mos është një rrëshqitje drejt një humnere, për të mos u kthyer më në këtë jetë. Shpesh e kisha menduar një alternativë të tillë, por përsëri më mbante në jetë dëshira dhe këmbëngulja për të ndihmuar sado pak atë qënie timen të shtrenjtë që kishte akoma nevojë për mua…Duhet të shkoj patjetër tek klinika e profesor Alain Golay dhe Prof. Zoltan Pataky, për të marrë disa këshilla të vlefshme. E respektoj prof. Alain, dhe ai më respekton, pasi jo vetëm i përktheva në shqip dy libra të tij për diabetin dhe dobësimin pa stres, por kam marrë pjesë me të në dhjetra e dhjetra konsulta me bashkëatdhetarët tanë. Kërkoi përsëri t’i përkthej librin e tij të tretë, i përkryer dhe i vlefshëm edhe për shqiptarët, që janë bërë më keq se amerikanët e Nju Jorkut që hanë ushqime tek “Macdonald” dhe pastaj shkojnë bëjnë vrap tek Parku i madh i Nju Jorkut…
Fjalët e Tizianës më sollën në vehte, kur ajo solli ekspresin aq të qëlluar. Bie zilja e celularit. Por nuk u përgjigja. E vura zilen e tij në pozicionin me vibrues. Kështu nuk do të shqetësoja edhe profesor Assalin. Disa mendojnë se çdo zgjedhje që ndërmarrim, e ndan botën në universe paralele. A egziston kjo në të vërtetë, apo ne jemi të ndryshëm, ose në të kundërtën, a jemi të destinuar të jemi ashtu siç jemi tani? Jam në një kryqëzim rrugësh. Duhet të vazhdoj të jetoj, nuk duhet të heq dorë. Ndiq fillin e jetës, më thotë ndërgjegja dhe shih deri ku të shpie ajo.
Fjalët e profesorit më sjellin në vehte. Hap sytë dhe zemra më rreh fort.
„Pra, Fredi, ke ardhur me kujtime dhe të reja inkurajuese nga Shqipëria. Jemi pra para një ringjallje shqiptare. Edhe unë kam kujtime të paharruara, por ato janë të para shumë viteve. Në telefon ishe tepër entuziast dhe më fole për ndryshimet e dukëshme në Tiranë, e në gjithë vendin, autostradën, universitetet e shumta, bankat, magazinat si këtu… Si është Ismail Kadaré? “.
Ju përgjigja se është shumë mirë me shëndet dhe ka marrë çmimin Asturias, si dhe çmime të tjera dhe vazhdon shkruan. Se kisha folur një orë me të, atje në apartamentin e tij në „Sky Tower“ dhe kishim diskutuar ashtu lirshëm për letërsinë dhe ai më kishte dhënë dy libra të tij me autograf. Njëri prej tyre mbante titullin „Identiteti europian i shqiptarëve“. Më dha versionin e fundit të plotë, botimin e pestë. Ndër të tjera në të, i thashë Jean-Philippit (pasi ai nuk don t’i them profesor), se Ismaili në atë „sprovë“ thekson se populli shqiptar nuk ka identitet gjysmak, të shtirë apo të fshehur pas lajlelulesh mashtruese. Identiteti i tij është gjithashtu i qartë, pavarësisht se dikush nuk dëshiron ta shohë, e dikujt nuk i intereson ta shohë. Shqiptarët janë ndër popujt më të vjetër të kontinentit europian, popull themeltar në rrafshin e tij, ashtu siç është pranuar gjuha shqipe nga gjithë gjuhëtarët e mëdhenj, si një ndër 10 a 12 gjuhët bazë të kontinentit.
Tiziana që ishte pranë nesh më pyeti për Helenën. A ishte akoma e bukur, ashtu siç e mbante mend ajo para disa vitesh? I thashë për mirësjellje se ajo mbahej mirë dhe ishte akoma e bukur, ashtu siç e kishte njohur ajo. Mendova në ato çaste se isha ulur në bangën ku ishte ulur edhe shkrimtari ynë i madh dhe pse jo, ato ditë kishte shkruar faqe të tëra të një vepre të tij madhore…
Folëm për gjithçka. Për takimet e mija me Prof. Hamit Boriçin, shef i Katedrës së gazetarisë në Universitetin „Ufo“, Prof. Afrimin e ndjerë dhe Bajronin e madh që ai e kishte si idhull, për takimet me prof. Ksenofonin Krisafin, me Analistin dhe ish kolegun tim, Shaban Muratin, ekspert i Kosovës dhe ecurisë së saj, me profesor Muratin, me juristin docent Piro , Vasilin, Armandon, Profesorët dhe miqtë tek Coloseum, historianin Gjergj dhe bashkëshorten e tij, me dy turistet kanadeze që e njihnin këngëtaren Celine Dyon, me Përparimin e poezive tepër të ndjera për dashurinë, me Saliun e „Légion d’honneur“, me miq gazetarë, artistë, ekonomistë, parlamentarë…Folëm shkurtimisht dhe për projektet tona për Talaseminë.
Profesori filloi të flasë për kujtimet e tij nga Shqipëria. Për Butrintin ku ishte mahnitur me mozaikët që mbroheshin, të mbuluar nga rëra. Për manastirin e Ardenicës, ku ikonat ishin ruajtur pas mënxyrës së 1967, pasi kishte qënë kazermë ushtarake dhe „të rinjtë“ shkatërimtarë nuk kishin mundur të futeshin aty. Kujtoi edhe udhëtimin me atë profesorin e diabetit dhe të mbipeshës. Kishin fjetur bashkë, në një krevat, në atë vilën që përdorej për vizitorët miq që vinin në Tiranë. Në dhomën tjetër kishte fjetur sekretarja e profesorit. S’kishte alternativë tjetër… Më foli edhe për shqetësimin e tij që diabeti, sipas thënieve të profesor Isuf Kalos ishte i dukshëm në Shqipëri. Folëm edhe për Talaseminë dhe dëshirën time që të krijonim një Qendër të Talasemisë në Fier, ku dhjetë përqind e popullsisë janë talasemikë. Folëm edhe për vetëaftësimin e pacientëve të sëmundjeve kronike që duhet të marrin vetë në dorë mjekimin e tyre. I kishte pëlqyer botimi në shqip i librit » Edukimi terapeutik i pacienteve me semundje kronike » që e përktheva unë. Më pyeti se a kisha ndonjë libër tjetër në dorë, pas promovimit të tre librave të mi në Gjenevë, ku ai ishte i pranishëm bashkë me Solangë d’ Angely nga Parisi (e bija e gjuhëtarit të famshëm Robert d’Angely) dhe Alfonsin nga Grenobla, si dhe shumë miq të tjerë. I tregova edhe skicën letrare, botuar në shtypin shqiptar për udhëtimin tonë tek vendi ku kishte jetuar Pestalozzi.
Pas pak, ai u largua në sallon dhe erdhi shpejt me librin e tij të ri : « Nga vënia në skenë tek arsyetimi“. Vuri këtë shënim për mua, me autografin e tij: „Alfredit tim të shtrejtë, këtë libër me dedikimin tim, me gëzimin që mësova prej tij ringjalljen e bukur shqiptare. Me miqësi të plotë. Jean-Philippe“.
Libri në fjalë, siç më shpjegoi Profesori, i drejtohej të gjithë kuriozëve, cilado qoftë disiplina e tyre, zanati apo pasionet e tyre. Më lexoi një pasazh të librit, që po ja u përkthej edhe juve lexues. Është i shkurtër, si postulatë, dhe besoj se nuk do të mërziteni që do lexoni këto radhë. Le të fillojmë: „ Në fakt, ne jetojmë në një botë, të drejtuar nga specialistët dhe ekspertët (të banesave, të shëndetit, të ekonomisë, të politikës, të sigurisë, etj) Shumë herë harrohet se ata janë vetëm përfaqësues të një klase, të një profesioni dhe të interesave të tyre të veçanta. Pra ata punojnë duke u nisur nga postulatat që, në vend që të jenë asnjëanëse, në të kundërtën vijnë nga një ideologji që nuk del hapur. Duke u nisur nga ky fakt, na u duk e nevojëshme të dëshmojmë për dialogun e frytshëm që mund të egzistojë midis disiplinave të ndryshme“. Libri, i botuar nga shtëpia botuese franceze me prestigj „Harmattan“ që ka botuar edhe vepra të autorëve shqiptarë me zë, siç më shpjegoi profesori është ndërtuar në fillim si një lloj bisede midis Jean-Philippe, mjek dhe Marcos Malavia, regjizor teatri. Duke u nisur nga 12 pyetje, ata ndërthurin me fjalë, përvojat e tyre, ashtu siç e bëjnë në praktikë, qysh prej 20 vitesh. Pjesa e dytë, përbëhet nga meditimet e Muriel Roland, aktore, e diplomuar në shkollën me prestigj Marcel Marceau. Ajo, duke rimarrë çdo njërën nga bisedat e sipërpërmendura, arrin në digresione të lira, meditime, „shëtitje“ të lindura nga rileximi si një metaforë. Këto meditime janë si një ftesë që i bëhet lexuesit që të japë edhe ai refleksionet e tij, në „teatrin e tij mendor“, me shpresë se tek ai do të zgjohen meditime të reja në fushën e tij të veprimtarisë, apo mendimit të tij.
Shkëmbimet e mija të fundit për sot me profesor Jean-Philippin kishin të bënim me Fondacionin që drejton ai „Recherche et Formation et Enseignement du Malade“ (Punë kërkimore, Formim dhe Edukim i të Sëmurit) dhe edukimit terapeutik të pacientëve kronikë. Folëm edhe për projektin tonë për Talaseminë dhe ecurinë e tij. Folëm edhe për 50 seminaret e organizuara prej profesorit dhe 5000 pjesëmarrësit nga 70 vende të botës në Zinal e gjetiu, ku unë kam patur fatin të marr pjesë, bashkë me mjekë me zë shqiptarë…
Orët kalojnë me bisedat elokuente të profesorit tim të nderuar, Jean-Philippe dhe bashkëshortes së tij, Tiziana dhe unë kaloj në mendjen time filmin e ngjarjeve: gjithçka u shfaq shumë shpejt…Dashuria ime e parë më shfaqet duke hedhur guriçkat aty tek lumi që kalon pranë vilës së profesorit. Ajo më duket si Xhokonda. Që afrohet pranë meje. Ajo është e mrekullueshme. Silueta e saj e zhdërvjellët dhe e hajthme rrëshqet tek mua, pa prekur bile fare tokën. Ajo flet me zërin e saj të ëmbël dhe të largët, që depërton në mendjen time, si një zbulim i brëndëshëm. Ajo më flet dhe buzët e saj pas pak nuk lëvizin më. Ato janë mbërthyer tek buzët e mija…
Por profesori më sjell në vehte dhe unë vij përsëri në kohën e tanishme…
Largohem nga profesori im i dashur dhe Tiziana erudite, me dëshirën që të takohemi përsëri së shpejti për projektin tonë të përbashkët…Afrohem tek vetura ime dhe i jap gaz. Kaloj në rrugët e Gjenevës, ku banoj prej mëse 32 vitesh. Pranë „Jet d’Eau“ (Shatrivanit), orës të vendosur në tokë dhe të rrethuar me lule të bukura, pranë Fondacionit „RFEM“, pranë Spitaleve Universitare të Gjenevës, ku kam punuar me vite të tëra, edhe natën vonë për raste urgjente, të dhimshme, të bashkëpatriotëve tanë të vuajtur nga Kosova, pranë „shtëpisë“, Pallatit të Kombeve, ku kam dhënë ndihmesën time modeste për projekte për Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit, para Pallatit të të Drejtave të Njeriut ku ish presidenti amerikan Uillson mbrojti çështjen e Shqipërisë që disa hiena donin ta gllabëronin.
Marr lapsin në këto çaste dhe shkruaj një letër pa ditur se kujt do t’ja adresoj. Ty që më linde dhe që u largove nga kjo jetë në moshën 88 vjeçare. Të dua shumë, por ti nuk më kupton tani. Vetëm më buzëqesh nga larg. Do të doja t’ja drejtoja tim eti, idhulli im, por që është tashmë atje lart prej vitesh dhe më del gjithmonë në ëndërr. Iku kur s’kishte mbushur as 53 vjet. Asaj që ka ndarë me mua shumë vite bashkëshortore. Dashuria ime e papritur dhe shumë e fortë që filloi në Konviktin e Pedagogjikes së Korçës, ku e shihja gjithmonë në kopshtin e saj me libra në duar dhe me buklet e bukura. Ajo ish-kolegia e saj atje në Nju Jork e mban mend dhe më shkruan shpesh për të. Por unë nuk kam guxim t’ja lexoj ato të gjitha. Pasi ajo nuk don që unë të shkruaj më. “ Pemë pa bukë”, më thotë. Edhe unë » i dështuar » si ai Mitrua…I lumtur se djali im tepër i dashur, fisnik tanimë ka një vajzë të zgjuar që e dua dhe më do shumë, Elynën.
Kjo jetë mund të duket për disa si një ferr, por do të desha në këto çaste që fantazma ime të dënonte të gjithë ata “qoftëlargë”, qofshin të thjeshtë apo parlamentarë, që nuk punojnë për Shqipërinë në Europën e të 28-tëve për të cilën kam shkruar e kam shkruar, kam studjuar, kam bërë debate dhe jam zemëruar, të nxisë dashurinë, mirësinë, paqen e përjetëshme, lumturinë, gëzimet, solidaritetin. Le të shpresojmë se e ardhmja do të jetë më e mirë për një popull të vuajtur, por krenar, paqedashës, europian, me dinjitet, punëtor, që do ta shohë vehten krahas popujve të tjerë të kontinentit, duke i dhënë një mësim edhe atyre pak zërave meskine që duan ta shtyjnë futjen e Shqipërisë në Europë deri në « kalendat greke ».
Kur kam ardhur në këtë jetë, nuk kam nënshkruar ndonjë kontratë. Edhe kur të largohem, edhe nëse pas pak kohësh, nuk mendoj të nënshkruaj një tjetër. Kjo jetë nuk varet vetëm nga gjykimi im, edhe pse modest, nga dëshira ime, por edhe nga gjykimi dhe dëshira e miqve të mij të mirë, Jean-Philipit, Alenit, Zoltanit, Renatës, Marie-Luce, Frankos, Fransinës, Vaçes dhe Pjetrit të paharruar, Irmës, Ksenofonit, Shabanit, Hamitit, Elynës, Nuriut të përkushtuar të muzeut në Fier, Ledit, Edlirës, Kadriut, Samiut, Erlindit, Kristianit, Xhevatit, Bertit, Ganiut, Bujarit, Admirit, Virgjilit, Arsimit, Gentit të Brunes, Harillës, Bardhit, Mirës, Skënderit, Gëzimit, Andit, Brunildës, Thanit, Përparimit, Landit, Hasanit, Roelit, Joridës, Raqit, Gjergjit, Muratit, Ladit, Mondit, Piros, Mozës, Enit, Armandos, Vasilit, Florës, Danielës, Sonilës, Aranitit, Jetës, Marios, Amelias, Gjinit, Durimit, Janit, Agronit të paharrur, Ilirjanës, Kristaqit, Jetës, Adrianës, Fatmirit, prof. Vangjushit, Kozetës, Qemalit, Imerit, dhe shumë miqve të tjerë që rrugët e jetës i kanë shpërndarë në botë. Të më falin ata lexues që ndoshta u mërzitën me këtë rrëfim timin, por që e kam « me zemër të pastër ». Pres kritika nga miqtë e mij të mirë, ndërsa ndonjë qoftëlarg cmirëzi, rufjan, hurjahip, si ai dikur që kishte dhëmbë floriri, por u detyrua t’i mbulojë…nuk dua asnjë shënim.


Ore ti ke folur per Jean-Phillipe apo per vete? Vetem monologun “Doni me per Belulin” me kujtoi ky artikull..
Marr shkas nga permendja e edukato-
fit te madh zviceran: Pestalozzi dhe
kujtoj nje fraze te tij EMBLEMATIKE:
“Kur Une vendorsa t’ja kushtoj jeten
shoqerise, u ndala te profesioni i ME-
SUESSISE”
Fredi te uroj shendet e jete te gjate !
Sporadikisht kemi punuar bashke ne
RT ! Une shpesh largohesha me muaj
te tere per “aresye objective”,megjitha-
te kurre nuk e kam harruar ate sjelljen
tender plot miresjellje e miresi ! Kam
qene mik I ngushte i Bedriut dhe Pan-
dotes, i Edlires e Sokolit, I kujtoj
shpesh nga larg,pertej Oqeanit. Dush-
manet na shperndane si zogjt e korbit!
Any way ! Pershendetje. Mbase nje di-
te takohemi ne Tiranen tone te pakra-
hasueshme me gjithe boten. Eshte
TOKA JONE,ATDHEU YNE !!!!!