Hajdutët i mbajmë në kurriz dhe i ushqejmë

redaktor

E nderuar Dita! Ju lutem më ndihmoni për një problem. Qeveria e re po harron një temë të rëndësishme, siç është ajo e pronës. Personat drejtues që dëmtuan procesin e kthimit të pronës, jo vetëm që u paguan për këtë, por dhe u zgjodhën në organe të larta të drejtësisë nga qeveria e S.Berishës, por ajo që është e pa tolerueshme, janë akoma në pika drejtuese. Ndërsa brezi i prindërve të mi vdiqën në varfëri pas 20 vjet mundimesh në dyert e këtij shteti përbindesh, që është me “Ish pronarët” siç na e ka vënë emrin banda e hajdutëve të Katovicës, pa patur asnjë kacidhe nga trashëgimia për të cilën punuan prindërit e tyre, duke paguar me pensionet e punës së gjithë jetës letrat, hartat e dokumentat që kërkonin këta monstra vetëm për t’u tallur, hajdutët e demokracisë jetojnë dhe vazhdojne të pijnë gjakun e jetëve tona. Një nga këto është zv.drejtuesi i KLD-së, Evis Cefa që e pashë dje në televizor përkrah Presidentit. Ky zotëri kur u emërua në KLD kishte një dosje penale të hapur nga unë, Mimoza Boçari, me aktpadi shpërdorim detyre, që në qershor të vitit 2010.

Evis Cefa, ka mbajtur të pa ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Strasburgut Shtator 2008, Gjykatës së Lartë të Shqipërisë të Marsit 2003, dhe të KKKP Vlorë Mars 2009, për kthimin e pronës së trashëguar. E lodhur dhe e dërrmuar nga tallja që më bënte ky drejtues i AKP, në Maj 2010 hyra në grevë të urisë për të drejtën e pronës, por Sali Berisha që shikonte nga dritaret nuk ktheu kurrë përgjigje akuzave që i bëra. Drejtori i AKP-së mori si dekoratë ngjitjen në majat më të larta të drejtësisë shqiptare ku është edhe sot në qeverinë e re socialiste, që i ka shpallur luftë korrupsionit. Po bëhet dhe flitet shumë për peshq të vegjël, por koka e krimit në Shqipëri është akoma e lirë dhe qesh, pa u vënë akoma përpara përgjegjësisë për krimet e bëra. Marrim vetëm problemin e pronës, duke mos harruar kurrë 21 Janarin dhe Gërdecin. Janë vrarë mbi 6000 njerëz për probleme pronësie, sepse është lënë pa zgjidhur, me dhjetra mijra të tjerë vërtiten që prej 20 vjetësh për një të drejtë kushtetuse, të drejtën e tyre mbi pronën, që nuk e gjejnë asgjëkundi. Vuajtje fizike, psiqike, financiare në emër të së drejtës së nëpërkëmbur. Krimet janë para syve, Kushtetuta e Shqipërisë është formale. Hajdutët i mbajmë në kurriz dhe i ushqejmë në pronat ku ne kemi vetëm letrat që u mbajmë erë. Deri kur kështu qeveri e re?

Nqs. doni të investigoni këtë problem mund t’ju vë në dispozicion të gjithë materialin që disponoj, në të kundert botoheni si letër timen.

 

Ju faleminderit.

Me respekt, Mimoza Boçari.

Share This Article
1 Comment
  • Znj. Boçari,
    keni plotësisht të drejtë për problemin që ngrini në këtë shkrim. Hajdutët vazhdojnë të na bëjnë karshillëk nga postet e pushtetit, ndërkohë që ne qytetarët presim kur do marrin ndëshkimin që meritojnë.
    Qeveria e re, ka nisur ndëshkimet së pari nga rradhët e veta. Nuk e dimë a do kalojë edhe në rradhët e ish-qeverisë, apo do e lënë ndëshkimin vetëm me votën e 23 qershorit?! A do mjaftohen vetëm me denoncime publike në media? Në se do ndodhë kjo, nuk ka fatalitet më të madh për ne shqiptarët. Gjithnjë luftojmë për drejtësi, sakrifikojmë edhe jetët, por në fund politika dredhon në analet e diplomacisë dhe ne qytetarët mbetemi me gisht në gojë, si gjithmonë.
    Nuk e kuptoj se çfarë faktesh të tjera pret drejtësia shqiptare për të ndëshkuar shkelësit e ligjit, kur kështu si ju, në gazeta çdo ditë dalin fakte flagrante të abuzimeve nga ish-pushtetarët? Ndërsa për çudi, ne shohim çdo ditë ish-pushtetarët që akuzojnë maxhorancën për afera korruptive dhe lidhje me mafien e krimin?!!!
    Edhe sa kohë do të vazhdojë kjo lojë akuzash nga opozita? Përse nuk vepron drejtësia?!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *