Uragani ‘Dorian’, duket i pandalshëm. Ai shkatërroi ishullin e Bahamasit në Karaibe, dhe më pas u përplas mbi SHBA. Forca e tij, ka bërë që Qendra Kombëtare e Uraganëve në SHBA ta krahasojë me Uraganin e Ditës së Punës të vitit 1935, që ishte stuhia më e fortë e krijuar në oqeanin Atlantik në historinë e regjistruar.
Të mos harrojmë Uraganin Katrina e gushtit të vitit 2005, i dyti më i madh për sa i përket dëmeve ekonomike, dhe gjithashtu uraganët Sendi, Kamila, Endrju dhe të tjerët.
Të gjithë këto uragane kanë emra të veçantë. Por si vendosen ato? Sikurse shpjegon Qendra Kombëtare e Uraganëve, zgjedhja nuk është e rastësishme.
Nëse uragani është “femër”
Midis fundit të 1800 dhe fillimit të viteve 1900, shumë uragane në Inditë Perëndore (zonat dhe ishujt midis Floridës dhe Venezuelës), identifikoheshin me emrin e shenjtorit të ditës kur ndodhnin. Më vonë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, meteorologët e ushtrisë dhe marinës filluan t’u vënë uraganëve emra grash.
Kjo metodë ishte aq e thjeshtë, saqë Qendra Kombëtare e Uraganëve e miratoi atë. Kështu, duke filluar nga viti 1953, uraganët merrnin zakonisht emra femërorë. Vetëm në vitin 1978, u përfshinë edhe emrat mashkullorë për gjysmën e uraganëve, me një “barazi gjinore” edhe për ciklonet tropikale.
Emrat e uraganeve sot
Aktualisht Organizata Botërore e Meteorologjisë ka 6 lista, secila me 21 emra mashkullorë dhe femërorë, që përzgjidhen për të emërtuar uraganet. Ideja është që secila prej listave të jetë e vlefshme për një vit të caktuar. Për shembull për vitin 2019, ekziston një listë me 21 emra të mundshëm për 21 uraganë.
Dhe në rastin konkret u zgjodh emrin Dorian. Ndërsa për vitin 2020, janë në dispozicion 21 emra të tjerë e kështu me radhë, deri në listën e gjashtë me emra, që do të jenë të vlefshëm për vitin 2024. Më pas, nga viti 2025, do të nisë të përdoret sërish lista e parë.
Edhe zgjedhja për të pasur vetëm 21 emra për secilën listë nuk është e rastësishme. Pasi çdo emër fillon me një shkronjë të ndryshme të alfabetit. Nëse do të kishte më shumë se 21 uragane në një vit, meteorologët do të nisnin të përdornin shkronjat e alfabetit grek, duke i quajtur uraganët Alfa, Beta, Gama etj.
Dorian, një emër jo shumë i përhapur
Dorian nuk është një emër shumë i përdorshëm në Amerikë. Për shembull, nga rreth 14 milionë banorë të shtetit të Floridës, vetëm 857 quhen Dorian. Kur e dëgjon këtë emër, të vjen menjëherë ndërmend “Portreti i Dorian Greit”, romani i mirënjohur i Oskar Uajlld në të cilin protagonist kryesor bën një pakt me Djallin për të mbetur i ri, ndërsa portreti i tij në një tablo do të plaket.
l.h/ dita
