Simptomat dhe shtimi i urgjencave në QSUT shtojnë dyshimet për një epidemi

Edona Llukacaj

Fillimi i muajit shtator ka shënuar një fluks shumë të madh urgjencash në QSUT. Sipas mjekëve, kjo nuk është një situatë normale, pasi, sipas tyre, në 10 ditët e fundit, ugjencat janë dyfishuar në mënyrë të menjëhershme.

Sipas lajmit të BW, në 24 orët e fundit numri i urgjencave të paraqitura në pediatrinë e QSUT është mbi 460, dyfishi i shifrës së fluksit normal të sezonit.

Por ajo që shqetëson më shumë mjekët është numri tepër i lartë i patologjive gastrointestinale me simptoma të tilla si prerje të forta të barkut, diarre të shpeshta shoqëruar me të vjellja dhe temperaturë të lartë. Të njëjtat burime pohojnë se ka pasur edhe forma më të rënda të sëmundjes me hemorragji në jashtëqitje.

Sipas të dhënave, shumica e fëmijëve me gastrointerite vijnë nga lagjet periferike, si Shkoza, Bregu i Lumit, Paskuqani, Astiri, Sauku etj.

Edhe në urgjencën e infektivit për adultë në QSUT, ku numri i urgjencave llogaritet dyfishë më i lartë se normalja. Mjekët pohojnë se numri i urgjencave në 24 orë ka arritur në mbi 250 raste nga 150 që është mesatarja stinore

Duhet theksuar se dyfishimi i urgjencave dhe shtimi i rasteve me gastrointerite ka nisur thuajse në të njëjtën ditë në të dy urgjencat, afër 1 javë më parë.

Ministria e Shëndetësisë ka lajmëruar hapjen e parakohshme të qendrave shëndetësore 24 orëshe për urgjencat pediatrike, konkretisht: Qendra Shëndetësore nr. 7 në Laprakë, Qendra Shëndetësore nr. 8 në zonën e ish-bllokut dhe Qendra Shëndetësore nr. 10 në zonën e Oxhakut. Por qytetarët vijojnë të drejtohen në QSUT.

Nga mjekët mësojmë se ISHP ka marrë një numër të madh mostrash për t’i analizuar në laboratorët e saj. Deri më tani asnjë institucion shëndetësor nuk ka shprehur zyrtarisht se cili është burimi i infeksionit gastrointestinal që po kthehet në një epidemi.

e.ll./dita

Share This Article
1 Comment
  • Gjëja e parë që të vjen në mendje,që ka një shpërndarje kaq të madhe, është mielli i bukës, byrekëve, etj. Tjetër mund të jenë lëngjet e frutave. Por si zakonisht deri sa të dalin analizat, ky lajm do jetë harruar. Analizat nuk do i publikojnë ose nëse i publikojnë do nxjerrin ndonjë shkak si grip, ftohje etj, edhe shkaqet e vërteta do vazhdojnë të helmojnë shqiptarët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *