Nga Sejdo Harka
Sapo kalon Urën e Dragotit, tej në horzont të shfaqen konturet e Grykës së Këlcyrës, që së largu i ngjan bishtit të një komete të çuditshme, që sapo ka rënë nga qielli.Më tej, aty ku Aosi i lashtë e këmbëshpejtë (Vjosa e sotme), mendohet se dikur me vrullin e saj të papërmbajtur çau vargmalin trinjak Trebeshinë-Dhëmbel –Nemërçkë, për t’i dhënë frymëmarrje Luginës së begatë të Vjosës, të shfaqet si një portë gjigante, hyrja në trojet përmetare të Këlcyrës. Sapo ke mbaruar atë rrugë plot zig-zag që përshkon mes përmes këtë Grykë, sa të ashpër, aq dhe të çuditshme, lart mbi shpatin e malit të Trebeshinës të bien në sy konturet e lashta të kalasë ilire të këtij qyteti, ndërsa poshtë tyre të fanepsen rrënojat e zymta të sarajeve të bejlerëve të Këlcyrës, të cilët sunduan gjatë në këto anë. Kurse përpara të shpaloset qyteti, sa i vjetër dhe i ri i Këlcyrës, i cili dikur, nga banorët e këtyre anëve është quajtur kryeqyteti i Deshnicës.
Këlcyra, në gjurmët e historisë
Sipas historianit Stefan Bizantini, Këlcyra në kohët antike banohej nga fisi ilir i parauejëve. Këtë mendim e mbështesin jo vetëm ekzistenca e kalave ilire me mure të fortifikuara tipike ilire, në qytetin e Këlcyrës dhe në fshatrat përreth si në Limar e Brezhdan, por edhe në gjurmët arkeologjike që janë zbuluar nën rrënojat e tyre, si monedhat romake të kohës, medaljoni i argjendtë i Perseut, qeramikat tipike të enëve prej balte, gjilpërat metalike etj. Qyteza e Këlcyrës përmendet që në vitin 1272 me emrin Clausura. Ky vend njihet si pronë e Andrea Muzakës, zotit të Beratit dhe Marshallit të Arbërisë së lashtë. Krijuesi i Këlcyrës është Teodori. Djali i tij, Jakobi, mbasi u konvertua në mysliman me emrin Jakup, u vra në luftë kundër hungarezëve. Në shekullin e XIV Këlcyra thirret me emrin romak Clazura, ndërsa më vonë ky emër evoluoi sipas normave të gjuhës shqipe, derisa arriti tek emri i sotshëm “Këlcyra”.
Këlcyrjotët kanë një histori të gjatë luftash e përpjekjesh për liri dhe zhvillim shoqëror. Këtë e dëshmojnë edhe historianë të huaj si Joan Kontakuzeni , i cili thekson se kështjella ilire e Këlcyrs ka qenë e lakmuar jo vetëm nga Perandori i Bizantit, Androniku i III, por më vonë edhe nga pushtuesit serbë, grekë e italianë. Por përherë ata kanë gjetur kundërshtinë e ashpër të luftëtarëve të këtyre anëve. Në vitet 50 të shekullit te XIV, edhe në këto anë përfundoi njëherë e përgjithmonë sundimi i Bizantit. Në vitet 1430 fshatarët e këtij vilajeti kundërshtuan sundimin e Sultlan Muratit. Ndërsa në vrullin e Rilindjes, sidomos, në vitet 1880 mori fuqi lëvizja Iluministe, për më shumë dituri e arsim në gjuhën shqipe.
Lëvizja Xhonturke, që kërkonte të ringjallte “kalin e ngordhur”, i cili po jepte shpirt, u godit fuqishëm nga lëvizja patriotike”Qafa e Dhëmbelit”, e cila përmes thirrjeve patetike: “Ja të vdesim ja të rrojmë”, paralajmëronin fundin e pushtimit Osman. Me këtë motiv të lartë në shpirt e mendje çetat atdhetare që qarkullonin në Dëshnicë, më 30 korrik të vitit 1911 shpartalluan në Grykën e Këlcyrës një repart ushtarak turk. Këlcyrjotët përkrahën fuqishëm edhe luftën e Vlorës. Në ato vite, në zonat e Këlcyrës, vepronin çetat patriotike të Mehmet Pavarit, Nexhip Bënjës e Mete Topojanit. Këlcyra në vitet 1912- ‘16 ka përballuar edhe një nga lëvizjet më të egra të asaj kohe, si ajo e qarqeve shoviniste greke, që synonte aneksimin e të ashtuquajturit Vorio-Epir. Përmes këtij agresioni të egër, ata në Përmet përdhunuan, dogjën e plaçkitën 46 fshatra, nga të cilët 23 ishin në zonën e Dëshnicës. Këlcyrjotët e kanë ndjekur këmbakëmbës edhe pushtuesin italian. Nën komandën e luftëtarëve të spikatur të këtyre anëve si Stavro Vinjahu dhe Ahmet Kajca, ata më 6 Mars të vitit 1919 sulmuan forcat e pseudo lëvizjes “Hakmarrja” të organizuar nga komanda italiane për të shkaktuar përçarje e vëllavrasje midis këlcyrjotëve.
Kjo luftë bëri që forcat italiane më 18 Prill 1920 të largohen edhe nga kjo zonë. Këlcyrjotët dhe Dëshnicarët kanë vendin e tyre të padiskutueshëm edhe në Revolucionin Demokatrik të vitit 1924. Ata shprehën qëndresën dhe kundërshtinë e tyre, jo vetëm kundër qeverisë së Zogut, por dhe kundër bejlerëve të Këlcyrës. Luftën dhe kundërshtimin ndaj regjimit të Zogut dhe sundimit të bejlerëve, këlcyrjotët nuk e reshtën kurrë.
Ata përkrahën me vendosmëri Lëvizjen Demokratike. Më 16 nëntor të vitit 1925 ata shpallën demonstratën antizogiste dhe mbështetën Nolin. Në lëvizje të tilla ata u ndeshën fyt për fyt me Gjon Fushën , i cili edhe sot thirret me epitetin sarkastik Gjon Kërbaçi. Edhe pushtimin Fashist e Nazist njerëzit e këtyre anëve e pritën me luftë, me përjashtim të bejlerëve, që pasi u rikthyen nga mërgimi,bashkëpunuan me ta, për të forcuar pozitat e tyre sunduese. Të zemëruar thellë nga pushtuesit dhe sundimi despotik i bejlerëve shumica e këlcyrjotëve dhe dëshnicarëve përkrahën Luftën çlirimtare. Për këtë u krijuan dy batalione partizane si “Çome Mandi” dhe “Dëshnica”.
Aq ngushtë u lidhën banorët e këtyre anëve me Luftën, sa edhe sot e kësaj dite njerëzit tregojnë episode nga ngjarje të tilla groteske e tepër të dhimbshme, që kanë ndodhur gjatë Luftës në fshatin Kala të Malëshovës. Ndërsa në Përmet, në kohën kur Lufta kishte marrë përmasa të gjera, zhvilloi punimet Kongresi historik, i cili krijoi Këshillin e Përgjithshëm Antifashist me atributet e Qeverisë e të Shtetit të ri Shqiptar të atyre kohërave.
Ku është Këlcyra jonë e dikurshme
Ndryshimet e sotme në qytetin e Këlcyrës janë aq të dukshme, sa që ato e kanë tjetërsuar atë në një metamorfozë të vërtetë. Gjatë viteve të demokracisë, si rezultat i lëvizjes së lirë të popullsisë nga fshati në qytet, sidomos në vitet ‘90, janë bërë shumë ndërtime pa norma e rregulla të kontrolluara urbanistike,të cilat duket sikur të marrin frymën. Mbi sheshet e lulishtet e bukura, aq të domosdoshme për frymëmarrjen e qytetit, mbinë si kërpudhat pas shiut pallate, klube, dyqane e qendra të shumta tregtare pa sistem e rregulla të kontrolluara . Aq e dukshme u shfaq kjo metamorfozë e çuditshme, sa që këlcyrjotët, që rikthehen në vendlindjen e tyre pas disa vitesh, të habitur pyesin veten: “Ku është Këlcyra jonë e dikurshme. Ku janë lulishtet e Qafës së Këlcyrës që kundërmonin nga era e trëndafilave dhe gjelbërimi i dendur i plepave, akacieve aromatike. Ku janë rrushtë e Dëshnicës që s’kishin të mbaruar dhe drurët e pemëve të tjera, që ja zbukuronin dhe freskonin rrugët dhe mjediset e thjeshta kësaj qyteze, të cilën Zoti e bekoi me bukurinë e saj të rrallë natyrore. Ku është Fabrika e përpunimit të rrushit dhe frutave, e njohur jo vetëm brenda por edhe jashtë vendit..? Pyetje të tilla retorike, nuk janë thjesht një nostalgji fëminore për të kaluarën, por më tepër një këmbanë, që bie për ata që kanë veshë. Të krijosh vlera të reja, nuk do të thotë të shkelësh mbi vlerat e të shkuarës, por t’i përsosësh ato më tej. Në qendër të Këlcyrës ndodhet bashkia e re, e cila përbëhet nga 4 njësi administrative me 48 fshatra. Ajo ka një klimë mesdhetare, që shpesh e shoqërojnë temperaturat ekstreme nga +40 në -20 gradë. Lugina e pasur dhe ujrat e bollshme të Vjosës e të Zallit të Dëshnicës, liqeni i madh artificial, diga e të cilit lartësohet mbi prehrin e fushës së këtij qyteti dhe burimet e shumta nëntokësore, u japin njerëzve të këtyre anëve mundësi të mëdha për të mbjellë e kultivuar të gjitha llojet e bimëve, drithërave, perimeve e frutave që zhvillohen në vendin tonë. Por jo nga të gjithë shfrytëzohen këto mundësi të mëdha. Ka ende këlcyrjotë, që lënë djerrë fushat e tyre të begata, për të punuar argat në tokat e vendeve fqinje. Këlcyra dallohet për prodhimin e rakisë së rrallë dhe verës cilësore të merlotit, për reçelrat e ëmbla si mjalti dhe shumëllojshmërinë e glikove të prodhuar nga vëllezërit Kote. Shquhet për produktet cilësore të qumështit që prodhohen nga P.Ndoni dhe për shumëllojshmërinë e mishit të shijshëm bio. Që Këlcyra të ecte ndër vite me hapin e kohës, është dashur jo vetëm sakrifica sublime e njerëzve të rrallë, por dhe mendja, mundi e djersa e shumë qytetarëve të thjeshtë të këtyre anëve. Këtij qyteti sot i bën nder lufta dhe sakrifica sublime e internaciolistit Musa Fratari, shembulli heroik i komandantëve të sprovuar të këtyre anëve si Kamber Bënja e Çome Mandi dhe i shumë dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e vëndit. Ju desh lufta dhe qëndresa e Sejfulla Malëshovës para demonëve të diktaturës për më shumë liri e demokraci. Është kjo arsyeja që me emrin e tij të madh është pagëzuar shkolla e mesme e këtij qyteti, ndërsa nga bashkia ai është nderuar me titullin “Qytetar Nderi i Këlcyrës”. Një vlerësim të tillë të lartë, për kontributin e tyre në shërbim të qytetit dhe njerëzve të këtyre anëve e kanë marrë edhe disa intelektualë të talentuar e veprimtarë të shquar shoqërorë si mjekja e pasionuar Liri Tyto, Enver Hysa , Vasil Komino… Por vend të padiskutueshëm në arritjet e këtij qyteti -thotë agronomi Avram Premto zënë dhe drejtuesit e kësaj bashkie në vite si Klement Ndoni. Ai është një djalë i ditur dhe i shkathët , i cili me sjelljen dhe punën e tij, ka fituar zemrën e njerëzve të këtyre anëve. Sekreti i punës së tij qëndron tek njohja dhe lidhja e ngushtë me njerëzit dhe tek fjala e mbajtur.
Bukuritë atraktive të Këlcyrës
Këlcyra, kjo qytezë e bukur përmetare, shtrihet në kërthizën e Luginës se Vjosës, aty ku ndalin vrullin e takohen ujërat e kristalta të Vjosës me ato të Zallit të Dëshnicës, të cilat jo rrallë në kohë shtrëngatash këtë luginë e tjetërsojnë në një det, që të kujton legjendat e të kaluarës së largët të këtyre anëve. Si një vigan madhështor kësaj qyteze i bën hije vargmali trinjak Trebeshinë- Dhëmbel-Nemërçkë. Ndërsa aromën e këndshme dhe freskinë ia shtojnë shpatet e thepisura me pyje e dru të larta, lëndinat e mbushura me shkurre e lule të shumëngjyrta dhe bimët kuruese si sherebeli, çaji, bedunica e trëndelina. Ndërsa etjen ua shuajnë ujërat e kristalta që burojnë nga lartësitë e majave të tyre thinjoshe. Ndërsa në horizontin Veri-Lindor të kësaj qyteze, si në një mugëtirë të largët të shfaqet Qafa e Kiçokut dhe vazhdimësia e saj Qarrishta ,me majën më të lartë prej 1242 m, mbushur me pyje e kullota, që ja mrekullojnë peizazhin këtyre anëve. Këlcyra është e pasur me mundësi e resurse të mëdha turistike. Një nga dhuratat më të bukura të Zotit për njerëzit e këtyre anëve është Gryka e Këlcyrës, e cila ka një gjatësi prej 13 km dhe një thellësi prej 1000m. Ajo është një perlë e përmendur që në kohërat më të lashta me emrin Fauces Antigonses, me një pejzash të rrallë turistik lumor e sportive. Është një vend i papërsëritshëm pushimi, me burime të kristalta,që dalin nga thellësitë e maleve të mbuluara me borë. Vetëm 3 km larg Këlcyrës janë ndërtuar disa klube turistike mes rrepeve shekullorë, që ja shtojnë bukurinë dhe freskinë. Jo shumë larg kësaj pike turistike buron dhe një ujë i çuditshëm me ngjyrë të errët, që quhet “Uji i Zi”, i cili edhe kur Vjosa fryhet, ai nuk përzihet me të. Këtë pikë turistike e preferojnë jo vetëm turistët që vinë nga rrethe të ndryshme të vendit , por edhe nga shume vende të botës. Të tjera vende me vlera historike dhe atraktive të këtyre anëve janë dhe kalatë ilire në Këlcyrë dhe fshatrat përreth. Vlera të papërsëritshme atraktive e muzeale ruajnë edhe rrënojat e sarajeve të bejlerëve të Këlcyrës, konturet dhe historia e tyre, jo vetëm që duhen ruajtur, por dhe duhen vënë në shërbim të vizitorëve dhe të brezave të ardhshëm. Bejlerët e Këlcyrës, për të sunduar mbi banorët e këtyre anëve, jo vetëm që sarajet e tyre i ndërtuan në lartësitë e shpateve të Trebeshinës, mbi shtëpitë e varfra të këlcyrjotëve, por për t’i poshtëruar ata, vendosën dhe disa norma morale ndaj tyre: Dhëndri që guxonte të martohej me një këlcyrjotë , duhet t’i sillte Beut si dhuratë një dele, ndërsa Beu i dhuronte atij një kalpak të bardhë me fije ari, që simbolizonte pushtetin absolut të tij mbi banorët e këtyre anëve. Trashëgimtarja e fundit e familjes së madhe të Këlcyrajve është vajza e Ali Beut, Hëna Këlcyra, e cila ka lindur në Paris të vitit 1935 dhe vazhdon të jetojë jashtë vendit tonë. Kohët e fundit nga studiues të ndryshëm si K. Mateli janë hedhur mendime se në shpatet e malit të Trebeshinës, në kohërat e thella iliro-pellazgjike, aty mbi shpatet e malit të Trebeshinës, dikur janë lartësuar konturet e Tempullit të shenjtë të Dodonës së lashtë, ide që ndoshta sot nuk na bind plotësisht, por na bën të mendojmë, të eksplorojmë e diskutojmë për këtë çështje të rëndësishme të historisë, mbasi një zbulim i tillë do t’i bënte nder jo vetëm Këlcyrës, por dhe gjithë Shqipërisë.
