Ekonomia shqiptare e nisi këtë vit shumë larg pritshmërive optimiste të qeverisë dhe duke shfaqur shenja jopozitive ritjeje. Shifrat e INSTAT treguan se rritja ekonomike për periudhën Janar-Mars ishte vetëm 2.2%, të cilat u konsideruan relativisht të kënaqshme, nga ana e qeverisë por alarmante nga ana e ekspertëve të ekonomisë. Në buxhetin e vitit 2019, rritja ekonomike parashikohet në nivelin 4.3% dhe defiçiti buxhetor në 1.9%.
Kontributin kryesor në rritjen prej 2.21% për tremujorin e parë të këtij viti e kanë dhënë degët: Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor me +0,68%; Aktivitete të pasurive të paluajtshme me +0,51%; Ndërtimi me +0,43%; Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me + 0,36%; Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me +0,33%; Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit me +0,26%; Informacioni dhe Komunikacioni me +0,24%; dhe Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0,20%.
Ndërsa negativisht ka kontribuuar aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Uji me -0,81% dhe Arte, argëtim dhe çlodhje dhe aktivitete të tjera shërbimi me -0,54%.
Taksat neto mbi produktet kontribuan pozitivisht me +0,48 pikë përqindje.
Sa i përket ndryshimeve në krahasim me tremujorin paraardhës, treguesi i Produktit të Brendshëm Bruto vlerësohet me një rritje prej 0,56 %.
Për qeverinë, një rritje ekonomike e përgjysmuar, është cilësuar si e kënaqeshme dhe brenda pritshmërive. Sipas Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, sektorët kryesorë të ekonomisë kanë treguar momentin pozitiv që po kalon ekonomia e vendit. “ Shumica e sektorëve treguan një rritje të kënaqshme, në linjë me parashikimet pozitive të rritjes ekonomike.
Ajo shton me optimizëm se: “Gjithsesi, ndryshimet pozitive të tremujorit të dytë në sektorin e energjisë, pritet që të normalizojnë kontributin vjetor në rritjen ekonomike që pritet të mbetet brenda parashikimeve. Efektet negative në tregun e lojrave të fatit, të cilat patën ndikim në tremujorin e parë është një kosto që e kemi përllogaritur sepse të mirat sociale janë shumë më të mëdha dhe ne afatgjatë do të përkthehet edhe në përfitim ekonomik”.
Denaj, gjithashtu, thekson se ndikimet e mundshme negative nuk përjashtohen: “Por duhet theksuar që rreziqet e jashtme dhe të brendshme kanë ardhur në rritje. Rreziqet e ndryshme lidhen me shumë faktor global, një ngadalësim i mundshëm i ekonomisë evropiane dhe situata e tensionuar e politikës të brendshme rrezikojnë të ndikojë negativisht rritjen ekonomike. Cdo tension politik apo çfarëdo lloj tensioni tjetër ka efektet e tij në ekonomi dhe nuk mund të anashkalohet, në qoftë se është i tejzgjatur dhe i përshkallëzuar”.
Ekonomia shqiptare u rrit me 4.06% gjatë vitit 2018. Në në tremujorin e fundit të këtij vitit, rritja e prodhimit kombëtar u ngadalësua ndjeshëm në 3.1%, ndërsa për 9-mujorin e parë kishte qenë mesatarisht 4.35%. Ngadalësimi i rritjes ekonomike ishte i pritshëm, duke pasur parasysh se faktorët që e ndikuan në tremujorët e mëparshëm kishin pjesërisht natyrë të përkohshme ose sezonale.
Për gjysmën e parë të vitit rritja u mbështet sidomos nga prodhimi i lartë i energjisë elektrike, ndërsa për tremujorin e tretë gjeti një shtysë të fortë te sezoni i mbarë turistik. Për tremujorin e fundit të vitit të kaluar kontribut veçanërisht domethënës në rritje dha industria nxjerrëse, me afro 28%, ndërsa edhe industria përpunuese u rrit me ritme të kënaqshme, me rreth 5%. Sipas komponentëve të kërkesës, ajo që vërehet është një rënie e ndjeshme e kontributit të investimeve në rritjen ekonomike. Për tremujorin e katërt, investimet u rritën me 1.87%, ndërsa ndjeshëm më i lartë ishte ndikimi i konsumit të popullatës. Por me gjithë frenimin e tremujorit të fundit, ekonomia shqiptare duket se arriti të ruajë një rritje pak sipër kufirit të 4% për vitin e kaluar.
Komisioni Europian ka vënë në dukje dobësitë ekonomisë, duke marrë në analizë programin e pestë të reformave ekonomike të hartuar nga qeveria shqiptare 2019-2021. Në dokumentin e publikuar së fundmi, KE ngre si shqetësim nivelin e lartë të borxhit publik, dhe faktin se nevojat e mëdha financiare po peshojnë në qëndrueshmërinë e borxhit. Ndërsa theksi vendoset edhe tek mbledhja e taksave nën potencial, gjë që është konfirmuar edhe nga shifrat zyrtare në 5 muajt e parë të vitit.
Komisioni Europian sugjeron ndër të tjersa se duke reduktuar nivelin e lartë të punës së padeklaruar dhe evazionin fiskal, ka hapësirë të mjaftueshme për rritjen e të ardhurave tatimore, pa rritur normat e taksave. Ndërsa nënvizohet se borxhet e paregjistruara dhe detyrimet e kushtëzuara, si PPP-të, minojnë kredibilitetin e pozicionit të borxhit publik.
Sipas KE, programi ekonomik i reformave në Shqipëri supozon rritje të investimeve, por nuk adreson kushtet e nevojshme për rritjen e investimeve private ose për përmirësimin eficiencës dhe rritjes së investimeve publike. Në këndvështrimin e Komisionit Europian, Investimet private në Shqipëri pengohen nga mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe cilësia e ulët e shërbimeve publike të arritshme për sipërmarrësit./ Scan Tv
e.ll./dita
