I lidhur me Spanjën, arsyeja e zgjedhjes së Diego Kostës

redaktor

Diego Kosta ka zgjedhur të luajë me kombëtaren e Spanjës, duke e preferuar para Brazilit. Një ditë pasi bëri publike zgjedhjen, sulmuesi i Atletikos shpjegon arsyet. “Ishte një vendim i vështirë për t’u marrë, duke parë edhe palët e përfshira në këtë çështje. Nga njëra anë më kërkonte Brazili, ku jam lindur, ndërsa nga ana tjetër është Spanja, vendi që më ka dhënë gjithçka. Prandaj mendoj se është vendimi i duhur që të luaj për kombëtaren spanjolle. Në Spanjë kam arritur gjithçka dhe është një vend me të cilin jam lidhur shumë. Këtu ndihem i vlerësuar, sepse njerëzit më duan”, tha 24-vjeçari. Ai flet edhe për Brazilin, duke kërkuar që njerëzit në vendlindje ta kuptojnë vendimin e marrë prej tij. “Dua të jem i qartë, unë nuk e kam refuzuar Brazilin, por më pëlqen të luaj për Spanjën, sepse thjesht jam më shumë i lidhur me këtë vend. Në Brazil kam familjen dhe do të jetoj edhe pasi të largohem nga futbolli. Shpresoj që njerëzit ta kuptojnë dhe respektojnë vendimin tim”. Me vendimin që ka marrë, ai bashkohet me një nga kombëtaret më të forta të planetit, për më tepër kampionen e botës në fuqi. “Të veshësh fanellën e Spanjës nuk është një mundësi që të jepet çdo ditë. Pres vetëm mundësinë që Del Boske të më grumbullojë dhe unë jam i gatshëm të vihem në dispozicion të skuadrës. Te Atletiko e pranuan vendimin tim dhe jam shumë i lumtur”. Prej disa javësh, Brazili dhe Spanja luftuan për të bindur lojtarin, i cili po shkëlqen me Atletikon. Edhe pse i grumbulluar në dy ndeshje miqësore me kombëtaren braziliane, ai nuk u thirr në Kupën e Konfederatave, çka i la hapur mundësinë për të luajtur me Spanjën, edhe pse Skolari kishte bërë në plan ta thërriste në dy miqësoret e Brazilit për muajin e ardhshëm.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *