Në vend të një përshëndetjeje për miqtë e shumtë të Moikomit

Ornela

Enver Kushi 

Spitali nr. 1 është pjesë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, godina e të cilit bie në sy menjëherë, sapo futesh në brendësi të këtij kompleksi. Kjo jo vetëm për fasadën, që sheh nga perëndimi e që rrihet nga dielli në çdo stinë të vitit, por edhe për katër bredhat e mbjellë ndoshta që kur është ndërtuar ky spital dhe që kanë arritur dhe kaluar lartësinë e godinës. Në këtë spital janë disa nga pavijonet më të rëndësishëm të Qendrës Spitalore dhe ku në vite kanë lënë gjurmë me përkushtimin dhe humanizmin e tyre shumë nga personalitetet e mjekësisë shqiptare.

Dhe në katin e tretë të tij është Pavijoni i Hematologjisë. Dhe nga fundi i korridorit të gjatë të këtij pavijoni, është dhoma 10. Dhe në këtë dhomë që nga fillimgushti i këtij viti e deri më sot, pra në mesvjeshtën e parë, është shtruar Moikom Zeqo, një personalitet i rrallë i kulturhistorisë shqiptare, figurë shumëdimensionale, erudit, ose më saktë një bibliotekë e gjallë diturie. Ai është në kujdesin e një prej emrave të njohur të Hematologjisë Shqiptare e më gjerë, Prof. Agron Ivanaj, si dhe i stafit, që punon në këtë pavion.

Gjatë kësaj periudhe, kur sapo zbres nga urbani, më është bërë shumë e njohur hyrja e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, fasada e Spitalit nr.1, që rrihet nga dielli i pazakontë i këtij gushti përvëlues, apo dhe fillimvjeshtës, bredhat, shkallët, hyrja e pavionit, koridori i gjatë, ku ecja me hapa të shpejtë për të arritur në dhomën nr.10. Në atë dhomë, që nga fillimet e shtrimit, në një krevat kam parë shtrirë, duke lënguar, ndoshta fjala lëngim është e rëndë ta vësh pranë emrit Moikom Zeqo, sepse ai me kurajo prej katër vitesh i ka bërë ballë sëmundjes së rëndë, por veçanërisht në këto shtatë javë, kur goditja ishte shumë më e rëndë, përballja më ‘të, është për t’u admiruar. Sa herë kam hyrë e dalë nga kjo dhomë, Moikom Zeqos nuk i ka munguar buzëqeshja, as falenderimi, as mirënjohja. Këtë e them jo vetëm për mua, por për të gjithë miqtë dhe dashamirësit e shumtë, që e kanë vizituar, ose telefonuar.

Dhoma 10, e katit të tretë të Pavijonit të Hematologjisë, gjatë gushtit dhe tani shtatorit, është kthyer në një dhomë pelegrinazhi. Jam i bindur, që asnjëherë në historinë e këtij pavijoni dhe të kësaj dhome, nuk ka qënë i shtruar një pacient i kalibrit intelektual të Moikom Zeqos dhe asnjëherë nuk kam parë të shkojnë kaq shumë personalitete të fushave të ndryshme. Në orët kur lejohet hyrja për vizitorët, por edhe në orë të tjera, duke e thyer rregullin, këtu kanë ardhur shkrimtarë, profesorë të fushave të ndryshme, politikanë, deputetë, ministra, siç është rasti i minestres së shëndetësisë zonjës Ogerta Manastirliu, gazetarë, njerëz të zakonshëm etj.etj. Me një gëzim të veçantë, kur e kam pyetur Moikomin, se kush të ka ardhur sot, ai ndonëse në gjendje jo të mirë, ka përmendur emrat e nderuar, si Bedri Islami, Pëllumb Xhufi, Ksenofon Krisafi, Xhevahir Spahiu, Fisnik Sina, Vllasova Musta, Luljeta Dano, Ylli Xhaferri, Andon Andoni, Ylli Cangonji, Namik Dokle, Arta Dade etj.etj. ( të më falin të tjerë personalitete që nuk po ua përmend emrat). Thanas Dino e merr çdo ditë në telefon nga Gjirokastra dhe me Thanasin gjithashtu unë flas çdo ditë.

Më datën 10 shtator, gjatë pritjes që Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi, bëri për Ditën e Ashures, i ulur pranë tij i them, se bashkë me Sotirulla Hoxhën do shkojmë në spital te Moikomi. T’i bëni shumë të fala nga unë dhe t’i uroni shërim të shpejtë, thotë ai. T’i çoni edhe ashure në emrin tim.

Kështu bëjmë. Është mesditë e nxehtë shtatori dhe sapo hyjmë në dhomën 10, ndonëse Moikomi duket që nuk është në gjëndje të mirë shëndetësore, na pret me fjalët: “Sa mirë që erdhët”, ndërsa e shoqja, Lida, na thotë të ulemi pranë tij. Unë i them, se Baba Mondi të bën të fala, ndërsa Luli shton, se kemi sjellë edhe ashure. Duket, që përmirësimet janë të lehta, shumë të lehta dhe ai na thotë, se ndihem në një gjëndje të pakuptimshërisë, por kujtesën e kam në rregull. I themi të mos lodhet duke folur, ndërsa unë shtoj, se kam mbajtur ditar. Për cilën kohë kë mbajtur ditar, pyet Moikomi. Për të gjitha vizitat që kam bërë te ty, i them, ku kam shënuar gjendjen tënde shëndetësore, por edhe bisedat që kemi bërë bashkë. Së shpejti do t’ia çoj gazetës “Dita” për t’i botuar… Ndërkohë hapet dera e dhomës dhe të tjerë “pelegrinë’, hyjnë në dhomën 10. Është një zonjë që nuk e njoh, si dhe Ilir Dashi, Nuri Dragoi dhe … Ne dalim dhe duke zbritur shkallët e Spitalit nr.1, më kujtohen fjalët e një shkrimi të shkurtër, por të ndjerë, të prof. Refik Kadisë, botuar te “Dita “, para pak ditësh: “Presim të kthehesh sa më shpejt në gjirin tonë, ne, miqtë e tu. Jemi shumë ata që presim, që të duam dhe, më beso, që kemi shumë nevojë për ty…”

Po i mbyll këto shënime, me atë që shkrova në ditarin tim në datën 11 shtator: “Është ora një e mesditës, kur e marr në telefon Moikomin. Nuk përgjigjet dhe në momentin që do mbyllja telefonin, dëgjoj një zë, që çuditërisht më ngjau me atë të djalit të tij, Epidamnit. Epidamni je, i them. Nga ana tjetër më vjen zëri i vërtetë i Moikomit: “Veri jam Tovi. Sot ka ndodhur një mrekulli me mua. Pa ndihmën e Lidës, kam zbritur shkallët e spitalit dhe kam pirë kafe në lulishte. Profesor Agron Ivanaj, si një profet, më pat thënë se ti Moikom do bëhesh më mirë…”

Ç’t’i them mikut tim, Moikom Zeqo?! Edhe unë jam i mrekulluar dhe këtë mrekulli ja them Sotirullës, zonjave të Arkivit të Bektashizmit dhe kur vjen Baba Mondi, ia them menjëherë edhe atij. Zoti është i madh, thotë ai. Pastaj, si gjithmonë marr në telefon Thanas Dinon. Edhe ai mrekullohet si unë. Është mesditë dhe data 11 shtator. Disa qindra metra që këtej është Spitali nr.1 dhe në katin e tretë të tij, Pavijoni i Hematologjisë, ku në dhomën 10 dhe ndoshta për herë të parë, jo i shtrirë në krevat, por duke ecur në korridor, është Moikom Zequa. Le të vazhdojnë të vijnë të tjerë “pelegrinë”, për ta parë në këmbë atë, mikun e të gjithëve. Le të presë Prof. Refik Kadia te “Trandafili i bardhë”, mikun e tij për të pirë kafe…

Tiranë, 12 shtator 2019

Share This Article
6 Comments
  • Moikomit te madh , perveç kurajos se vet, e ndihmojne perkushtimi I mjekeve, dashuria e perkushtimi I familjes, dashuria e respekti I miqve dhe I te gjithe neve qe I urojme me gjithe zemer ta kaloje periudhe te rende, me trimeri “ si partizan”.
    Sa per urimet e bullafiqit, ish oficerit , tani baba Mondit, dhe ashures se tij , nuk besoj se I bejne gje

  • Mire mo shkrues u bere si beluli dr nuk e ka emrin Agron po nejse dhe ata emra qe permend ti mos kujto se jane te nderuar me ne krye mond oficerin se besonte ne 93 se do behej baba duke puth Varrin e Gjyshit Tim. Moikom it I kam Uruar Sherim me nje Njeri Fetar dhe te nderuar qe e ka taku pa buje ne 10 gusht o veri.

  • Për ty Moikom !,
    ‘ka rreze shprese ?
    thotë “Pr.Dr Agron Ivanaj,
    si një profet, më pat thënë,
    se Moikomi do bëhet më mirë ”

    Kjo qënka një rreze shprese ,
    që po rrezaton ,të gjithve na gëzon..
    Zemra e Moikomit është e fortë ,
    si gjithmon ajo rreze lëshon ,
    rrugën e njerzimit ja ndriçon ,.

    KY Burr unik i rrallë ,
    sikur mbreti në përrallë.
    Qëndron me forcë më këmbë,
    me gjithë ato ilaçe që i banë.

    Të kan shtrydhur lotin ,
    s’të kan kursyer gjakun
    zemra rreh ngadalë,
    por ti do jetosh si vigan.

    Qëndro ,mor vigan !
    nuk ke çfar me ba .
    Hallet mbi këtë personalitet ,
    të kulturës shqiptare paskan ra.
    personeli i shëndatësor ,
    e dhoma10 është dëshmitar !
    nga fillimgushti i këtij viti e deri më sot.

    Moikom Zeqo, një personalitet i rrallë ,
    i kulturhistorisë shqiptare,
    figurë shumëdimensionale, erudit,
    më saktë një bibliotekë e gjallë diturie.
    Thotë Enver Kushi.i lumtë goja.

    Punë studjuese të mëdha ka lënë Moikomi,
    në çdo kohë ato kan peshë.
    Duhet të shkruhen se na duhen,
    janë si armët që trimi ,në betejë ngjeshë.

    Librat që shkruan për Zagorinë e Çajupin ,
    me të drejtë e shumë hak.
    E kan përkufizuar Moikomin ,
    Filozofi ynë SOKRAT.

    Intelegjenca e tijë prej poligloti ,
    koka e tijë një “biblotekë e rrallë “!……
    Popullariteti dhe thjeshtësia ,
    shprehjet filozofike që përdorte ,
    NË RASTE KRITIKE e bënë ,
    këtë figurë një ndër arkitekët ,
    më të njohur të gjetjes së fjalës ,
    dhe shprehjes filozofike,
    popullore shqiptare.

    Moikom Zeqo është një dhuratë,
    nga zoti,i dashur,i bukur ,i zgjuar,
    krenar ,besnik ,kavaljer i rrallë ,
    studjues kokë ulur i jashtë zakonshëm,
    i pa arritëshëm.

    Sot ai është i sëmurë ,
    por për mua jeton
    zemra e tijë nuk ndalon rrahjen e saj ,
    për arsye se nuk meriton ,
    që zoti ta marrë .

    Një njeri që i jep frymëmarrje,
    shoqërisë ,miqësisë dhe,
    institucionit g. Dita ku punion.

    I ranë gjethet pemës ,
    dhe pema u tha .
    I mbaroi boja penës ,
    MOIKOM ,më nuk ka !

  • E meriton kujdesin dhe simpatine e gjithe shoqerise ; por vizitat ne spital, nga miqte e shumte, per gjendjen qe paraqet , duhet te kufizohen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *