Mjekimi i duhur që në stadet më të hershme ndihmon në rritjen e jetëgjatësisë së pacientëve të diagnostikuar me kancer në qelizat e bardha të gjakut. Kjo patologji në gjuhën mjekësore njihet ndryshe si “Limfoma”. Në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për kujdesin që duhet të tregohet në trajtimin e limfomave, ekspertët e Institutit të shëndetit Publik kanë vënë theksin tek domosdoshmëria e njohjes së faktorëve të riskut, simptomave dalluese, për diagnostikimin sa më të hershëm të kësaj patologjie.
Sipas tyre limfomat mund të shfaqen në çdo grupmoshë dhe nëse nuk trajtohen mund të mbartin edhe pasoja të rënda për jetën. “Limfoma është kanceri që prek qelizat e bardha të gjakut që quhen limfocite, të cilat janë pjesë e sistemit imunitar të trupit. Limfomat ndikojnë në sistemin limfatik, i cili është pjesë e sistemit imunitar që ndihmon në mbrojtjen ndaj infeksioneve dhe disa sëmundje të tjera”, vënë në dukje specialistët e Institutit të Shëndetit Publik.
Ata theksojnë se limfomat mund të fillojnë kudo në trup, ku gjenden indet limfatike. Vendet kryesore të indeve limfatike janë: nyjet limfatike, shpretka, timusi, palca e kockave dhe në pjesë të tjera të trupit. Në individët që kanë limfomë, limfocitet ndryshojnë dhe rriten jashtë kontrollit.
Dy format më të shpeshta të limfomave
Njihen me dhjetëra lloje të ndryshme limfomash. Megjithatë, dy janë tipet më të shpeshta të limfomave, për të cilat duhet të kërkohet ndihmë e menjëhershme mjekësore. Tipi i parë është “Limfoma jo-Hodgkin”, e cila shfaqet tek shumica e individëve me këtë patologji. Ndërsa forma tjetër është “Limfoma Hodgkin”. Që të dyja format e limfomave prekin lloje të ndryshme të qelizave limfocitare.
Çdo tip i limfomës rritet me një shkallë të ndryshme dhe i përgjigjet ndryshe trajtimit. Mund të prekë çdo moshë përfshirë edhe fëmijët. Limfoma është e trajtueshme dhe pamja mund të ndryshojë në varësi të llojit të limfomës, si dhe fazës së saj.
Faktorët që ndikojnë
Bluzat e bardha të shëndetit publik thonë se në përgjithësi shkaqet e limfomave nuk njihen. Por pavarësisht këtij fakti, është vënë re se individët mund të jenë në rrezik për të zhvilluar limfoma në prani të kushteve të tilla, si: kur janë mbi moshën 60 vjeç, ku tek kjo grupmoshë është më e shpeshtë (Limfoma jo-Hodgkin). Ndërsa grupmoshat 15-40 vjeç preken më shpesh nga limfoma Hodgkin.
Për disa lloje të limfomës meshkujt rezultojnë të jenë më të rrezikuar. Mund të rrezikoni për zhvillimin e kësaj patologjie edhe kur keni një sistem imunitar të dobët nga HIV/AIDS, nga transplanti i një organi, ose nëse keni lindur me një sëmundje, kur keni një sëmundje të sistemit imun, si: artriti reumatoid, lupus, në rastet ku jeni infektuar me virusin e Epstein-Bar, Hepatitin C, si dhe në rastet kur keni një të afërm i cili ka patur limfomë.
Shenjat dalluese të limfomave
Janë një sërë simptomash që ndihmojnë të kuptoni nëse keni të bëni me këtë patologji. Në përgjithësi shenjat paralajmëruese të sëmundjes kanë të bëjnë me: ënjtje të gjëndrave limfatike. Këto ënjtje ndodhin më shpesh në qafë, sqetull, ose në ije, të cilat janë të padhembshme.
Shenja të tjera që duhet të tërheqin vëmendjen janë: kolla, vështirësia në frymëmarrje, temperatura, djersitja gjatë natës, lodhja dhe këputja e vazhdueshme, humbja e pashpjegueshme në peshë, si dhe kruarja.
Duhet të bëni kujdes në vendosjen e duhur të diagnozës. Kjo pasi shumë nga këto shenja mund të jenë gjithashtu simptoma paralajmëruese për sëmundje të tjera, ndaj është e nevojshme që të kontaktoni mjekun tuaj për t’u siguruar nëse ju keni limfoma ose jo.
Limfoma është e trajtueshme dhe shumica e njerëzve mund të jetojnë për shumë vite pas diagnostikimit dhe mjekimit të tyre.
Ndërgjegjësimi për sëmundjen
“Gjërat e vogla rrisin vetëbesimin”, është ky është slogani i “Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit për Limfomën 2019”, i cili ka si qëllim përhapjen dhe njohjen e fakteve në lidhje me limfomat, si dhe në fuqizimin e njerëzve me kancer të sistemit limfatik.
Hulumtimet kanë treguar se tek pacienti vetëbesimi rritet kur ai ka infomacionin, mbështetjen e duhur dhe eksperiencën pozitive në shërbimet e kujdesit shëndetësor, të cilat luajnë një rol pozitiv në rezultatet shëndetësore të tij.
Në këtë ditë njerëzit në të gjithë botën janë të ftuar të bëjnë gjëra të vogla për të mbështetur dhe fuqizuar personat që jetojnë me limfomë. Çdo vit mbi 580 mijë njerëz në botë diagnostikohen me limfomë. Ekzistojnë më shumë se 80 lloje të limfomave.
Simptomat paralajmëruese të limfomave përfshijnë:
- Ënjtje të gjëndrave limfatike: më shpesh në qafë, sqetull, ose në ije të cilat janë të padhembshme.
- Kollë.
- Vështirësi në frymëmarrje.
- Temperaturë.
- Djersitje gjatë natës.
- Lodhje/ këputje.
- Humbje në peshë.
- Kruarje.
p.k/dita

Limfoma apo Leukemias ?
Qelizat limfocitare.
Halldupe..Limfotike, limfocitare..