Nisja e hershme e aktivitetit seksual, si dhe mungesa e njohurive mbi metodat mbrojtëse mban ende në nivele të larta numrin e aborteve të raportuara tek adoleshentët shqiptarë. Vëzhgimet e bëra së fundmi nga strukturat e shëndetit publik, dhe UNFPA tregojnë se rreth 5 për qind e aborteve ndodhin tek adoleshentët. Fenomen ky që bëhet më i shprehur në kryeqytet. Sipas të dhënave të raportuara dje nga strukturat shëndetësore vihet në dukje fakti se nëse në vend në total shifrat që raportohen për abortet tek adoleshentet nga mosha 14-24 vjeç shkojnë në 5 për qind, rreth 4 për qind e këtyre rasteve janë të përqendruara në kryeqytet, ndërsa në zonat rurale fenomeni është më pak i pranishëm.
Sipas ekspertëve, të dhënat e krahasuara me ato të viteve të mëparshme, flasin për një rënie të shifrave, por pavarësisht këtij fakti janë ende të larta. Kryeqyteti mban statistikën më të lartë të aborteve tek adoleshentët, ndërsa në nivel kombëtar 5 % e kësaj grupmoshe zgjedhin të mos bëhen nëna, nëpërmjet abortit. Në Tiranë rreth 4 për qind e adoleshenteve i janë drejtuar klinikave apo materniteteve për të bërë abort, pasi kanë rënë pre e një shtatzanie të padëshiruar. Justifikimi kryesor që jepet në këto raste, është fakti se zgjedhja e abortit bëhet kryesisht nga fermat të cilat thonë se nuk kanë mundësi ekonomike për të mbajtur një fëmijë.
Sa i takon lindjeve, nga kjo grupmoshë bëhet me dije se adoleshentet në kryeqytet zënë rreth 40 për qind të lindjeve që ndodhin në totalin e lindjeve të raportuara. Këto të dhëna janë konfirmuar gjatë ditës së djeshme në raportin e publikuar nga ISHP UNFPA për situatën e aborteve në kryeqytet sa i takon viteve 2009-2012. “Abortet në Tiranë përbëjnë 4 % të aborteve totale, ndërkohë që 5 % janë në tërë vendin. Në rastin kur ka probleme nëna apo fëmija, atëherë lejohet ndërprerja e shtatzanisë në javën e 22 me ligj”, ka deklaruar lidhur me gjetjet e studimit, specialistja e ISHP-së, Alba Merdani. Kundrejt kësaj situate, autoritetet shëndetësore flasin për një fakt shqetësues, sipas të cilit Shqipëria ende vazhdon të ketë mungesë në informimin mbi shëndetin riprodhues, në veçanti për zonat rurale.
“Ka akoma shumë gjëra për të bërë në zonat rurale, si ofrimi i disa shërbimeve drejt rinisë dhe grupeve të adoleshentëve, pavarësisht se ku ndodhen, në qytet ose në fshat. Informimi për mënyrat kontraceptive duhet shtrirë dhe më tepër”, ka deklaruar gjatë këtij aktiviteti zëvendësministrja e shëndetësisë, Milva Ekonomi. Raporti i UNFPA-së, mbi gjendjen e popullsisë në botë raporton se në një vit rreth 7 milionë vajza nga vendet e varfra lindin fëmijë, përpara moshës 18 vjeç, nga të cilat rreth 2 milionë janë 14 vjeç ose më të vogla. Kjo grupmoshë, thekson raporti janë më të rrezikuara ndaj vdekjeve amtare. Krahasuar me Shqipërinë nivelin më të lartë të shtatzënisë e kanë vendet e Evropës Lindore si Bullgaria dhe Rumania. Ndërsa vendet e tjera si Italia dhe Spanja kanë niveli të ulët shtazanie tek adoleshentët, përkatësisht me 6 lindje për 1 000 vajza të moshës 15-19 vjeç. Mëmësia në fëmijëri është një problem global, veçanërisht i vendeve në zhvillim, pasi mban në shifra të larta abortet.

A ka mungese informimi apo mungese access ne zonat rurale?kot informojsh kur nuk vé ne disposition mjetet e duhura!