Ministri i jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif ka deklaruar të enjten se çdo sulm ushtarak amerikan ose saudit kundër Iranit do të rezultojë në një “luftë të përgjithshme”.
Në një intervistë për median ndërkobëtare CNN, Zarif u shpreh se Irani kërkonte ta shmangte konfliktin me çdo kusht por do të luftonte nëse sulmohej, dhe jo pa ironi pyeti nëse rivali i hershëm, Arabia Saudite ishte e gatshme ta luftonte këtë luftë deri “në ushtarin e fundit amerikan”.
Zarif, që konsiderohet si ‘grushti i hekurt’ i Iranit, mohoi edhe një herë kategorikisht përfshirjen e Iranit në sulmet në rafinerinë e naftës në Arabina Saudite. Ai shtoi se nuk e dinte nëse, ashtu si ata deklaruan, sulmi ishte ndërmarrë nga rebelët Huthi të Jemenit.
Autoritet saudite janë shprehur se mbetjet e raketave që nuk goditën objektivët në sulmin e fundjavës provonin qartë se sulmi u organizua nga Irani.
Në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar sanksione shtesë për Iranin si përgjigje kundër këtij sulmi, Zarif, ripërsëriti se autoritetet iraniane nuk ishin të gatshme të uleshin në tryezën e dialogut pa u hequr sanksionet ekzistuese ndaj këtij vendi.
Nga ana tij, sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, gjatë vizitës së tij në Riad, e quajti sulmin mbi objektet e naftës saudite një “akt lufte”, duke shtuar se SHBA e mbështet “të drejtën” e sauditëve “për të mbrojtur veten”, raporton Dita, duke iu referuar mediave ndërkombëtare.
e.ll./dita
