Xhahid Bushati
Mënyra sesi hyn në fushën e letrave, në atë tempull të lavdishëm, të mundimshëm, gjurmëlënës e fisnik, mbetet një nga rrugët më interesante, më të vështira e me shumë të panjohura për një krijues, ku në startin e tij zë fill A-ja. Po ç’është A-ja? Çelësi, Jetëshkrimi i Krijuesit.
Kur flasim për Jetëshkrimin e Krijuesit, në mes të tjerave shenjojmë edhe laboratorin e tij krijues, edhe ‘të pathënat’ e tij…
Kështu, duke ndjekur tipologjinë e shkrimtarëve të talentuar, ndalojmë tek ato të pakët. Por… përsëri ecim, vazhdojmë të ecim… dhe ndalojmë tek ato edhe më të pakët, te ato që quhen fenomene letrare. Personalisht, këto të fundit, në vështrimin tim, i kam quajtur të dinjitetshmit. I tillë në letërsi hyri Migjeni i Madh, për të cilin Kuteli shkroi kështu: “Nuk kish aso kohe as 27 vjet… po ç’janë vjetët përpara talentit? Ç’janë vjetët përpara zjarrit që rreh së brendshmi? Ç’janë vjetët përpara një shpirti të madh? Asgjë! Dhe pikërisht kjo asgjë nuk e ndaloi Migjenin të jetë poet megjithëse ish i ri fort. Poet sepse e njomi penën jo me trajtat konvencionale të një arti konvencional, po në nj’atë mellanin e dhembjes së të gjithëve, për të mjerët e të mjeruarit, me një gjenerozitet e sulm të pa shoq.”
Hyri Migjeni i Madh! Ai e mbylli jetën duke qenë i lirë përmes faqeve të një libri të vetëm e me një simbolikë vizionare, që gjithnjë mbetet aktuale, të cilin e quajti “Vargjet e lira”. U deshën afërsisht 35 vjet, që po dinjitetshëm, pra, si fenomen letrar, të hynte Faik Ballanca me prozën e tij të magjishme e moderne.
Po përmend disa nga titujt e librave të Faikut, për të kuptuar marrëdhëniet e tij me kohën që jetoi e pasjetoi, ndoshta për të kuptuar edhe kohën e shkrimtarit të vërtetë, që ai krijoi në lëndën artistike, si: “Rrëmbimi” (tregime, 1970), “Mbasdite të lagura” (tregime, 1971), “Katër orë larg shtëpisë” (novela, 1972), “Letra Anonime” (tregime e novela, 1973), “Pritësit e rrufeve” (tregime e novela, 1975), “Tregime të zgjedhura” (1976), si dhe disa botime pas vdekjes “Perëndia e shtëpisë” (1985), “Nomeja e largët” (roman, 1989), “Kënga e fundit e Marko Boçarit” (novelë, 2002), “Mbama pak pallton, çun” (tregime të zgjedhura, 2003), etj. Po t’i vërejmë me kujdes, këta tituj kanë një apo disa të përbashkëta mes tyre, ndonëse në aspektin formal autori bën komunikimin e parë me lexuesin.
Te personazhet, shkrimtari Ballanca shpaloste dije, vetëdije e nënvetëdije nga bota e personazheve që lëviznin nëpër hapësirat e krijimeve të tij, duke shpërfaqur gjithashtu natyra, karaktere, psikologji, dramë, etj. Kjo ndodhte në një kohë kur shkrimtari po gdhendte kohën e vet…Ky moment i rëndësishëm në procesin krijues të prozatorit Ballanca, më kujton një thënie të Balzakut: “Shkrimtari është… një kronikan i madh i konflikteve njerëzore.” Thënie, që mendoj se i shkon për shtat krijimtarisë së Faik Ballancës. Krijimtari, -siç do të thoshte Dr. Mimoza Ahmeti “Surrealizmi poetik dhe kompozicioni piktoral i Faik Ballancës janë një ushqim shqisor i jashtëzakonshëm terapeutik, me frymëmarrjen e natyrës, pemët, shtazët, yjet, malet, hënën në rrokullimat dritore mes natës; me gra, burra, fëmijë, prej gjestesh e besimesh ende natyrale, por me një distancë të vetëmjaftueshme dallimi e përqendrimi drejt vetes, autoriteti i së cilës, vetja, frymëzon zbulimin.”
E kujtoj dhe tani atë njeri njerëzor, që quhej Faik Ballanca. E kam, si tani para syve ecjen e tij paksa të shpejtë, dobësinë e trupit e të fytyrës si fragment brenge e drame, sytë shprehës që fshehnin një buzëqeshje të lodhur. Shpesh më dukej sikur rendte drejt një humbëtire të pafat, e herë drejt një panteoni të mermertë lavdie, që sigurisht, krijues të rrallë e kanë këtë fat. Shpesh, Faiku i ngjante një muzgu të kaltër, i bukur në ardhje, por misterioz në vetvete dhe po ashtu në ikje.
Nuk e di pse ecjen e tij e kam krahasuar gjithnjë me ecjen e poetit Frederik Rreshpja. Gjithnjë e kam menduar këtë krahasim ecjeje, të këtyre dy njerëzve që mbartnin një botë të pasur, sepse e kishin realisht, në shpirt botën e pasur e të vyer. Kjo pasuri e rrallë me dimensione vlerash qe fatmirë për letërsinë shqipe.
Më vonë, pas ca viteve, lexova romanin “Nomeja e largët” (1989, botimi i parë). Teksti i sapolexuar më dha një shumësi përshtypjesh e mbresash të pashlyeshme, shpesh të çuditëshme e befasuese. Më bënte përshtypje mënyra e rrëfimit, struktura e romanit, vizatimi i personazheve, konceptet estetike që reflektonin në vepër dhe e “qëndisnin” atë, etj., e etj. Më bënin përshtypje disa raporte, si: tema e vdekjes si model letrar i shqipes, si çlirim nga jeta e personazhit, e vetë personazhit si humbje, e personazhit si flijim emancipues, etj., etj.
Më vonë, përsëri pas ca viteve, emri i Faik Ballancës do më shfaqej si një befasim i bukur, teksa më ra në duar libri me tregime të zgjedhura “Mbama pak pallton, çun!”. Botim i Botimeve Toena, Tiranë, 2013; zgjedhur e redaktuar nga Pandeli Koçi, i cili hap pas hapi të jetës, por edhe në atë të pasvdekjes, me shumë devocion e fisnikëri kërkoi, mblodhi e studioi krijimtarinë letrare të Faik Ballancës. Duke e njohur atë në thellësi e në gjerësi, me të drejtë ai thotë: “Fatmirësisht sot mund të pranojmë se pjesa dërrmuese e prozës së Faik Ballancës na paraqitet e freskët në thelbin e saj palcor. Ajo na flet me gjuhën e njeriut që e do njeriun dhe që mirësia i rrjedh nga shpirti nëpërmjet artit.”

Shkodër, shtator 2019

Shkrimtari H.C.tregonte:Vellimin me tregime:Baba,ma fal mistrine,qe botova ne 1978,ma ktheu tre here redaktori i shtepise botuese Faik Ballanca.
Kur ma ktheu per te treten here me tha:-Moa e sill me,se sa te jem une ne shtepine botuese,ti nuk boton me!
Ne nuk po i botojme njeresve tane,do te botojme ty,me baba ne burg! Atekohe mora nje apartament ne kat te peste.Prit Faik Ballanca se po hidhesha une nga kati i peste,une hic-rrefente me humor H.C..
Atehere nga padurimi,Faik Ballanca u hodh vete.
Na botoni ndonje gje nga ky Faik Ballanca te marrim vesh se cfare ka qene! Se ne e njohim nga anekdodat e kolegeve.
Urime Xhahid. Te uroj pene te mbare.