Malishevë, arrestohet mësuesi pedofil

anazapta

Një rast i rëndë i keqpërdorimit të vajzave të mitura, madje nga mësuesit, ata që do të duhej t’i edukonin dhe udhëzonin fëmijët në rrugë të drejtë, ka ndodhur më 28 tetor në Malishevë, por deri dje është mbajtur në heshtje, larg opinionit, bën të ditur gazeta “Zëri”.

Një mësues 59-vjeçar, me inicialet R. M., është kapur dhe arrestuar nga policia, për veprën penale abuzimit seksual, pasi është gjetur në një dhomë me një nxënëse të shkollës fillore ‘’Ibrahim Mazreku’’, në një dyqan këpucësh në Malishevë.

Rasti ndodhi tri ditë më parë, por policia rajonale në Prizren e ka mbajtur në heshtje. I pyetur rreth rastit, zëdhënësi Rajonal i Policisë në Prizren Hazir Berisha, tha se zyra e tij e ka mbajtur të fshehtë rastin, për të ruajtur identitetin e vajzës së mitur.
Berisha ka konfirmuar për Zëri-n se i arrestuari është mësues në shkollën fillore “Ibrahim Mazreku” të Malishevës, i lindur në vitin 1954, ndërsa bashkë me të është arrestuar edhe pronari i dyqanit të këpucëve, i cili kishte lejuar që lokali i tij të përdorej për një takim të kësaj natyre.

“Për këtë rast policinë e ka njoftuar një qytetar, i cili ka telefonuar duke thënë se një arsimtar ishte mbyllur në një lokal me një vajzë të mitur. Policia ka reaguar shpejt, duke gjetur lokacionin dhe pas kërkesës së policisë i dyshuari ka hapur derën e dhomës ku ishte bashkë me vajzën e mitur”, tha Hazir Berisha, zëdhënës i Policisë për rajonin e Prizrenit. Ai po ashtu pohoi se nuk ka pasur ndonjë kontakt seksual ndërmjet mësimdhënësit dhe të miturës pasi nuk ka pasur kohën e mjaftueshme. Berisha nuk pranoi t’i japë as inicialet e të miturës me qëllim të mbrojtjes së identitetit të saj.

Berisha tha se dy të dyshuarve të arrestuar, mësuesit dhe pronarit të lokalit, u është caktuar masa e paraburgimit deri 48 orë, por nuk ështët i sigurt nëse ata vazhdojnë të jenë në paraburgim sepse, sipas tij, çështja i kalon Prokurorisë por sipas burimeve jozyrtare të arrestuarit janë liruar nga qendra e mbajtjes dhe janë në arrest shtëpiak.

Burime të gazetës kanë thënë se i njëjti mësimdhënës ka edhe raste të tjera të këtij lloji, por Policia Rajonale e Prizrenit thotë se zyrtarisht nuk ka të dhëna për diçka të tillë.

 

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *