Një ekzekutim mafioz me dy të vrarë dhe një të plagosur ka ndodhur gjatë mbrëmjes së të premtes në Neo Iraklio të Atikës.
Dy të rinj, njëri 20 vjeç dhe tjetri 23 vjeç, u qëlluan me armë zjarri jashtë zyrave të partisë neonaziste “Agimi i Artë”, ndërsa një i tretë është në spital në gjendje kritike për jetën, pasi ka marrë plagë në gjoks.
Sipas zëdhënësit të “Agimit të Artë”, Ilias Kasidiaris, viktimat janë anëtarë të partisë, që po ruanin ndërtesën dhe në momentin e sulmit ndodheshin jashtë saj.
Ata u qëlluan me një armë ushtarake nga një distancë rreth 20 metra nga dy persona me helmeta në kokë, që u larguan me një motor menjëherë pas krimit.
Incidenti është cilësuar si akt terrorist dhe forca të shumta policie e të antiterrorizmit ndodhen në zonën ku ndodhën vrasjet.
Zëdhënësi i qeverisë deklaroi se vrasësit do të përgjigjen para drejtësisë dhe do të ndëshkohen, ndërsa burimet thonë se kryeministri Samaras po informohet minutë pas minute për ngjarjen.
