Mëngjesi i së hënës në sheshet e pallateve i ngjante fundjavës apo dhe muajve të verës nga gumëzhimat e lojërave…derisa nisi shiu.
Vendimi i qeverisë për ta shpallur pushim zyrtar të hënën, për shkollat nëntëvjeçare në Tiranë, Durrës dhe Elbasan si edhe për prindërit që punojnë në administratë, u bë me përpjekjen për të qetësuar disi panikun e përhapur jo vetëm nga lëkundjet tektonike, por edhe lajmet e rreme për një tërmet edhe më të fuqishëm se ai i së shtunës.
Por në vend që e hëna të ishte një ditë normale, kur jeta duhej të rifillonte normalisht, pasi fenomenet natyrore si tërmetet as nuk mundet që shkenca t’i parashikojë e aq më pak t’i parandalojë, pasi planeti Tokë vijon shpërfillshëm nga njerëzimi ciklin e saj të evolucionit dhe shndërrimit, u kthye në një ditë më shumë ku kryefjalë mbetet ende tërmeti dhe pasiguria nëse e gjitha kaloi.
Sipas qeverisë, tërmeti i së shtunës, por edhe pas lëkundjet që e shoqëruan, treguan se ndërtimet e viteve të fundit janë bërë me cilësi, duke e përballuar me sukses testin sizmik.
Por më shumë sesa pallatet , ishin shkollat që i rezistuan lëkundjeve, ku siç bëri të ditur ministrja e Arsimit, Besa Shahini vetëm dy prej tyre, shkolla vartëse nuk do të hapen të martën.
Po atëherë pse u mbyllën shkollat kur ishin kaq të sigurta?
Shkollat janë të pajisura me psikologë, të cilët do të mund ta menaxhonin me profesionalizëm stresin që fëmijët kanë përjetuar gjatë dy ditëve dhe kjo do të ishte një shkak i mirë për të mos i mbyllur.
Sipas psikologes Deona Çano, në raste tërmetesh prindërit në radhë të parë do të duhet të jenë të qetë përpara fëmijëve, pasi ata kanë aftësinë e empatisë dhe kuptojnë e përjetojnë emocionet e të tjerëve rreth tyre.
“Prindërit dhe njerëzit që punojnë me fëmijët (mësues, edukatore, shërbimi psiko-social shkollor) duhet jenë të qetë nëqoftëse duan të minimizojnë traumën tek fëmijët”, vijon Çano, psikologe në një prej shkollave 9-vjeçare në qytetin e Vlorës, e cila prej disa vitesh punon me nxënësit. Sipas psikologes, të rriturit nuk duhet të gënjejnë në lidhje me frikën e tyre, sepse fëmijët e ndiejnë kur dikush nuk tregohet i sinqertë.
Sipas Çanos, ka disa mënyra për të minimizuar traumën dhe përdorimi i tyre lidhet me moshën e fëmijëve dhe karakteristikat personale. “Në rastin e fëmijëve më të vegjël se 10 vjeç, vlen me tepër modeli që përmenda më sipër, sepse ata vete-rregullojnë emocione duke u bazuar tek modelet dhe jo ndërgjegjësimi nëpërmjet fakteve apo komunikimit verbal, i cili mund të jetë më i vlefshëm tek fëmijët mbi 10 vjeç”, shpjegon psikologia, e cila sugjeron se me këtë grup fëmijësh, mësuesit kujdestarë dhe shërbimi psiko-social shkollor duhet të zhvillojnë takime në grup për shprehjen e emocioneve, në lidhje me ngjarjen dhe është mirë që për këtë grupmoshë të përdoren arti dhe loja si teknika shprehëse.
Sipas psikologes, për personat me të prekur, ku përfshihen edhe të rriturit, mund të zhvillohen seanca individuale këshillimi dhe terapie.
“Fëmijëve më të rritur duhet t’u paraqiten fakte shkencore, që lidhen me tërmetet (qe janë dukuri përgjithësisht të rralla dhe pas një tërmeti të madh, lëkundjet e tjera janë më të vogla ne intensitet)”, vijon Çano, duke sugjeruar disa teknika shprehëse si diskutimi në grup, të shkruarit e një tregimi po eseje, etj. “Është e rëndësishme që fëmijët dhe prindërit e tyre pasi kane diskutuar për traumën, të përfshihen në aktivitete te tjera zbavitëse për të minimizuar nivelin e stresit”, përfundon Çano.
Me ndihmën e psikologëve, që në shkolla janë falas për fëmijët të cilët në vend që të flisnin apo të heshtnin me prindërit e tyre nga frika e një lëkundjeje tjetër, mund të mësonin në shkolla si ta tejkalonin traumën dhe disa fakte shkencore rreth tërmeteve.
Dy ditët e fundjavës treguan edhe mbizotërimin e frikës para arsyes dhe mungesën e informacioneve që kanë qytetarët për fenomenet natyrore, ndaj të cilëve mund të mësojmë vetëm disa teknika të thjeshta për t’u mbrojtur por nuk u ikim dot edhe duke marrë autostradat për kushedi ku, në mes të natës si në ndonjë skenë filmi apokaliptik.
“Askush s’e di çfarë na rezervon fati apo natyra, sepse siç nuk ka mundur të parashikojë dot tërmetet, dija njerëzore s’ka mundur ende të parashikojë kohëzgjatjen e jetës sonë. Por ne çohemi çdo mëngjes e vazhdojmë rrugën e jetës, pa menduar se atë ditë mund të na ndalë zemra dhe biem të flemë çdo natë, pa menduar se mund të mos e shohim ditën tjetër. E pra, po aq absurde sa mund të duket të jetosh nga mëngjesi në mbrëmje me idenë e fundit të jetës, është edhe frika se nga momenti në moment, mund të bjerë tërmet”, shkruante kryeministri në profilin e tij të Facebook-ut, duke shprehur se pasi u përballua më së miri, jeta vazhdon po njësoj. Jo tamam njësoj për ata prindër që iu desh të linin sot orët e punës, për të qenë me fëmijët, të cilët nuk e ndjenë edhe aq atë solidaritet njerëzor për të cilin fliste kryeministri Rama, sepse iu desh të menaxhonin kaosin e krijuar nga çerdhet, kopshtet dhe shkollat e mbyllura./ Marrë me shkurtime nga Gazeta SI.
o.j/dita

Psikologe i thencin…..aty rrezikohej koka…..askush se dinte cdo ndodhte
Psikologja per ne psihiatri.