OSHEE: Tërmetet dhe përmbytjet, 110 milion lekë dëme

Edona Llukacaj

Drejtori i Divizionit të Shpërndarjes në OSHEE, Petraq Lika, ka deklaruar ditën e martë se situata e rëndë e krijuar nga tërmetet e forta dhe përmbytjeve masive ka rezultuar në një dëm prej 110 milionë lekësh.

Ai u shpreh: “Është e jashtëzakonshme, në sistem raste të tilla janë të pakta. Nëse në 33 vite që kam në sistem, mund të kemi dy-tre raste të tilla, me tërmete dhe përmbytje. Ne kemi bërë një vlerësim të situatës, OSHE ka një dëm prej 110 milionë lekë të reja nga kjo situatë”.

Më tej, Lika sqaroi ne News 24 qytetarët, të cilët janë ankuar ditën e sotme për ndërprerje të energjisë elektrike, duke thënë se një gjë e tillë bëhet në raste përmbytjesh për të siguruar jetën e tyre. Ai tha: “Është normale që në raste përmbytjesh ne bëjmë stakim të energjisë elektrike. Bëhen për sigurinë e jetës së komunitetit, për sigurinë e impianteve”.

Lika shpjegoi: “I tërë rrjeti i energjisë u atakua, fillimisht nga tërmeti. Pas tërmetit ne e rikthyem gjendjen normale. Ishin rreth 14 mijë abonentë, në 12 linja, që u atakuan atë ditën e tërmetit. Kryesisht ishin në Durrës, Tiranë, ku u morën dhe masa sigurie. Ky është rregulli numër një që duhet të operohet”.

Ai shtoi: “Në 04:00 u atakua energjia në 130 mijë abonentë. Ashtu siç mbushen shtëpitë me ujë, ashtu mbushen dhe kabinat. Ne kryejmë inspektime, monitorime, dhe rikthim të gjendjes në situatë normale”.

Drejtori gjithashtu  njoftoi se në Tiranë dhe Durrës ka pasur kryesisht defekte në kabinat shtyllore, si dhe rënie të shtyllave e dëmtime të transformatorëve.

e.ll./dita

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *