Bedri Islami
(Vijon nga numri i kaluar-Kliko KËTU)
Dante Aligieri, shkruan Kadare, mund të lejohej si i krishterë në trojet e Ballkanit, por jo si shkrimtar. Thënë ndryshe, mund të gjendeshin kisha, por jo shkronja për të.
Në të vërtetë, mes Dantes dhe Shqipërisë, ka pasur një pengesë, që nuk ishte ujore, deti Adriatik, që rrihte në dy brigjet, por përtej saj. Dokumentet e kohës së njëjtë ose edhe pak më tej kohës danteske, dëshmojnë se gjuha shqipe ishte e shkruar dhe e përcjellë në kancelaritë e botës, ashtu si përdorej latinishtja, shumë kohë para se të vinte osmanishtja.
Sulmi mbi gjuhën, mbi shkrimin shqip, ka qenë i pashoq. Nuk gjendet shembull tjetër, qoftë në trevën ballkanike, qoftë larg saj, kur një gjuhë të jetë sulmuar aq barbarisht dhe të jetë ndaluar aq verbërisht. Mungesa e saj solli edhe njohjen e vonët të Dantes. Priftërinjtë dhe prelatët e vjetër, të shkolluar në universitetet më të zëshëm të kohës, e kishin njohur Danten, por nuk e kishin sjellë në gjuhën shqipe atë, ose dëshmitë kanë humbur, si shumë gjëra të tjera. Por, mbi të gjitha, ata e kishin gjetur njerën pjesë të hapësirës së Dantes në këtë vend, pikërisht më madhështorin, më të lakmuarin në përkthim, Ferrin. Rrathët danteskë nuk kishin qenë asgjë para asaj që shihnin, përkitnin dhe ndjenin.
Kadareja e dëshmon këtë, dhe, si ndodh me atë që u përket mjeshtërve të mëdhenj, e sjell me dhimbje, por edhe çiltasi, pa mohuar asgjë nga e shkuara dhe pa hyjnizuar asgjë.
Drama e Dantes, i mërguari i përjetshëm, është më e prekshme për ata që kanë të njëjtën dramë jetësore dhe jo rastësisht përkthimet e para të Dantes, copa nga “Komedia hyjnore” u përkthyen dhe u botuan në shekullin e 19-të, nga arbëreshi Luigi Lorecchio. Në vitin 1900, një shqiptar erudit nga Mbishkodra, i shkolluar në Itali dhe në Austri, pinjoll i një dere të njohur malësore, Sokol Baçi, do të përkthejë Këngën e Pestë të Ferrit. Nuk e di se si ka ndodhur, por në fillimet e përkthimeve të Dantes, shumë nga mëtuesit do të jenë veriorë dhe, si duket, kjo ka të bëjë me elitën katolike të kohës, por edhe me rrjetin arsimor të përhapur atje, gjithnjë nën patronazhin austriak dhe ndikimin latin. Të gjithë do i vërsulen përkthimit të këngëve të Ferrit, pa një rregull, rrëmujshëm, duke kapërcyer nga një rreth në tjetrin, sipas gjendjes shpirtërore, inateve, mërive, mllefeve, duke i përdorur tercinat danteske si jataganë. Duke jetuar në Purgatorin e mbitokës, ata e ndjenin më afër Ferrrin se sa Parajsën; këmbët kërkonin të shkonin drejt rrathëve parajsorë, por mendja i vërvitej drejt Ferrit, të cilin e ndjenin më afër, e kishin më të prekshëm dhe më të pranishëm.
I vetmi prelat i lartë që do të sjellë përkthime nga Parajsa është një figurë e njohur, poetike dhe kishtare, ndër më të diturit dhe më të lartët e hierarkisë katolike, imzot Vinçens Prendushi, i cili do të sjellë në të njëjtën kohë, Këngën e Njëmbëdhjetë të Parajsës dhe poezinë e tij origjinale, “Vajza dhe Flamuri”, një elegji atdhetare, me fundin tragjik të qëndistares, njëjtë si do e kishte edhe vetë poeti – përkthyes, por tani në një burg të komunizmit, si të ishte sprova e tij e përjetimit të Ferrit.
Ardhja e vrullshme Dantes në Shqipëri, shkruan Kadare, përkon me një periudhë të habitshme: pushtimin nga Italia. Është koha e një dyndjeje të Dantes dhe, i vendosur në atë pjesë të prikës që Italia po sillte në “bashkimin”, ai ngjante edhe më solemn, por, si ndodh në raste të tilla, gjithsesi në dy kohët ose gjendjet e tij, i kuptueshëm si poet, me tisin e tij hyjnor, profetik, kryezoti shpirtëror, por enigmë si joshje e pushtimit. Shqiptarët e kulturuar u ndaluan tek i pari, ishte joshëse e gjithë ajo që po servirej, një befasi e pakuptueshme, për më tepër, vetë ministri i ri i Kulturës, Ernest Koliqi, ishte një ithtar i zjarrtë i poetit, studiues i tij. Shqiptarët e revoltuar nga pushtimi ishin të dyzuar. Poeti i madh, i adhuruar prej tyre, po gjendej befas mes rrebeshit të luftës, dhe, si nuk e kishte menduar kurrë, po përdorej për të ndihmuar popullin e vet për të sunduar një popull tjetër.
Megjithatë, si vëren Kadare, shqiptarët nuk krijuan asnjë keqkuptim me poetin, por e ndjenë se përmes tij mund të ishte krijuar një rreth i ri i Ferrit dantesk, çka nuk e kishin dashur dhe nuk kishin pse ta donin. Ata u përpoqën ta mënjanonin Danten nga mëria dhe ia arritën kësaj, pasi vetë poeti ofron miqësi, mirësi dhe ndjeshmëri të lartë ndaj vuajtjes.
Dante, megjithatë, nuk e ndihmoi pushtimin, por ai u bë i njohur në veçantitë e tij, por jo në tërësinë. Atje ku pushtuesit menduan se mund të ngrinin një urë apo rrugë, përmes emrit të Dantes dhe tercinave të tij, befas e ndjenë se po shndërrohet në një mur, në një pengesë dhe, megjithëse mes poezisë së Dantes dhe elitës intelektuale shqiptare nuk ka një hendek ndarës, mes idesë së pushtimit dhe lirisë së poetit, do të ngrihej një i tillë. Ndoshta do të ishte pikërisht kjo “gjendje”, e cila nuk lejoi përkthimin dhe botimin e plotë të Komedisë Hyjnore, por vetëm pjesë të saj, të cilat, sado të shumta, nuk u bënë kurrë tërësi.

***
Dante Aligieri ka qenë gjithnjë në vemendjen e botës. Ai ka shumë shekuj që rri në memorien njerëzore, sëbashku me Ferrin, Purgatorin dhe Parajsën e tij. Që nga kalimi i tij në pasjetë dhe në pafundësi ai ishte e do të jetë i pranishëm, sepse ka trazuar ndërgjegjen njerëzore më shumë se askush tjetër dhe na ka bërë të besojmë, qoftë edhe përkohësisht, se ai e përfytyronte botën tjetër, edhe ne bashkë me të, pikërisht si e paraqet në Vepër.
Dante i është nënshtruar studimeve serioze, ashtu si edhe ka rënë në prehun e mediokritetit; njerëzit, sipas përshkrimit të tij, kanë ndërtuar malin e përmbysur të Ferrit, brezaret e Purgatorit apo edhe kanë ëndërruar për qiejt rrethorë tëParajsës, për të cilët predikojnë thuajse të gjitha religjionet fetare.
Dante i ka bërë njerëzit të ndjejnë shumë më tepër nga sa është besuar, dhe, si ka shkruar Borges në studimin e tij të shkëlqyer për Poetin, “vargjet, sidomos vargjet e mëdha të Dantes janë shumë më tepër se sa ato shprehin”.
Dante, duke qenë i përbotshëm, ka joshur mijëra studiues. Por edhe të tjerë. Piktori i madh izraelito – italian, Modiliani, e kishte Danten poetin e zemrës dhe dinte përmendësh të 100 Këngët e tij. Borges e adhuronte dhe, sipas tij, “kur sjellim ndër mend të njëqind këngët e poemës, është vërtet një mrekulli që kjo fuqi nuk bjerret… Nuk më kujtohet ndonjë shembull tjetër i tillë, ndoshta Tragjedia e Makbethit e Shekspirit, që fillon me tri magjistricat, ose tri Parkat, tri motrat fatale dhe shkon gjer tek vdekja e heroit, pa iu dobësuar asnjë çast fuqia”. Ezra Paund, të cilin amerikanët e mbyllën në një kafaz si bishë të egër, nën dritat e një projektori, që nuk shuhej kurrë, pasi kishte qenë dishepulli më i njohur nga bota e letrave ndaj fashizmit, ndryshe nga të tjerët, do të mendonte se pjesa më e bukur e Komedisë Hyjnore është pikërisht Parajsa, ajo që i kishte munguar atij vetë dhe nuk kishte mundur ta bënte pjesë të jetës së tij. Në letrat shqipe, studiuesi më i shquar do të jetë Ernest Koliqi, historia e të cilit do të ketë ngjashmëri me poetin e dëbuar; edhe ai do të jetë i dëbuar, i mbushur me mirësi, parandjellës i një kohe të ardhshme, që, si mund të ishte fatkobe, ashtu edhe ndjellëse e mirësisë. Shumë njerëzve u vijnë ndër mend tercinat e “Purgatorit”, poeti dhe bashkëudhëtari i tij, Virgjili, të ngjitur majë malit, rrinë heshturazi dhe sodisin udhën e bërë. Ndërsa Kadareja e sheh atë si një paradhomë e humanizmit të ardhur në Shqipëri nga përtej detit, por edhe si pasqyrë e asaj që vërtet ka ndodhur në Shqipëri. Nga të paktat studime të bibliotekës “Dante”, shkrimtari shqiptar, Kadare, me zërin e tij unik, e vendos Danten në pendulin e shekujve të historisë shqiptare, në të shkuarën dhe të ardhmen, duke e përqasur atë me ato momente të cilat e kanë të domosdoshme praninë e poetit të madh fiorentin. Ai ndërton hartën e një udhëtimi kohor, ku përshkrimet ndërthuren skajshëm me njëra tjetrën dhe krijojnë befasinë e madhe, pikërisht atë që saktësisht e ka përcaktuar, se “Që Dantja kishte lindur për të gjithë kjo ishte lehtë të kapej. Por që kjo të kapej prej një populli ballkanas, mu midis luftës, kjo ishte vërtet një gjë e rrallë… Gjithë Shqipëria ngjante si e stërpikur prej poetit”.
Kritikët, studiuesit, poetët, filozofët, shkrimarë të mëdhenj apo meskinë, që kanë studiuar Danten janë mrekullisht të shumtë, por ajo që i mungonte letërsisë shqipe, kjo ndërlidhje mes Poetit dhe Shqipërisë, erdhi, po ashtu, nga një mjeshtër i madh i gjuhës shqipe, që, në vitet e tij, ka ndërtuar pamjen e një Ferri tjetër, duke kaluar përmes Purgatorit dhe pa shkuar kurrë në Parajsë.
Kadareja, në studimin e tij, ka vërejtur se në ndërlidhjen mes Dantes dhe vendit të tij, ajo që ka pasur më tepër rëndësi ka qenë pikërisht fuqia shprehëse që ka rrokur vetitë njerëzore, ndjeshmëria dhe delikatesa me të cilin ai është pritur dhe studiuar, dhëmbshuria dhe ajo ndjenjë e lehtë, do të thoja edhe, njëkohësisht e mahnitshme, e vizionit dantesk, që aq lehtësisht mund të ishte gjendur në këtë vend, ku ende nuk janë hapur asnjë nga rrathët qiellorë.
A është e rastësishme që të dëbuarit, mërgimtarët, të larguarit ishin ndër të parët që iu qasën Dantes, ndërtuan përmes tij trevat e tyre, brengat, rrëfimet, pengjet e pathëna, amanetet, mëritë, në një ndërthurje të habitshme mes së djeshmes dhe të tashmes; mes Ferrit apo Purgatorit dhe asaj që përjetonin?
A është e rastësishme që në periudhën e vonë përkthyesit dhe “dantistët” më të njohur do të jenë nga të dënuarit politikë, që në një mënyrë ose tjetër, nga e zakonshmja kishin kaluar drejt në Ferr dhe, kur ishin kthyer prej andej, ishin të gjymtuar?
Kadareja e di këtë fare mirë dhe, ndoshta, jo rastësisht, ai iu rikthye historisë së shkurtër të Dante Aligierit me Shqipërinë, pikërisht kur ishte gjysëm i mërguar, i vetëlarguar, me pengun e tij për gjithë çka ndodh në vendin e tij, ku herë pas here i duket se përsëriten tercinat e poetit, sidomos të Këngëve që lidhen me Ferrin, më pak me Purgatorin e asnjëherë me Parajsën.
Secili shkrimtar, sidomos shkrimtar i madh, pavarësisht nga origjina e tij, e shkuara dhe synimet që mund të ketë, ka çastin e caktuar të jetës dhe ky është ai kur gjendet përballë vetes dhe bën pyetjen: po pastaj?
Kadareja i është afruar Dantes jo me trishtim, por me ndjeshmërinë e poetit që kërkon domosdo të gjejë të përbashkëta mes tij dhe popullit që i takon; ai sjell pikërisht atë magji, ëndje e dhëmbshuri që i ka përjetuar edhe ai vetë, por që, mbi të gjitha i ka përjetuar Shqipëria. Krijon binomin e domosdoshëm poetik, duke e ditur se tek Dante, ajo që është thelbësore qëndron tek epikja dhe pikërisht këtë ndjenjë epike e ka gjetur, ndoshta me tepri, tek populli i tij.
Shqipëria është njohur pjesë – pjesë me Danten, më shumë përmes këngëve të Ferrit, tercinat e së cilës shumë të rinj, që nga mesi i viteve’30 , si kurrë më parë, i dinin përmendësh. Besimi i poetit, Dante i tmerruar, ligjërimi i tij si në rrjedhën e një përroi magjik, vetë fakti se Dante është përsonazhi i asaj që ka krijuar, merr pjesë, frymon, dashuron, bindet, tmerrohet, citon Virgjilin, që e shoqëron, ka kërshërinë të bisedojë me të Mëdhenjtë e Antikitetit, të filozofojë, të krijojë, pra, të krijojë një perandori të mëvetshme, të padukshme dhe të besuar prej tij, përkon, do të thoja mrekullisht e çuditërisht me atë që kanë besuar shqiptarët, me ndjenjën e tyre të veçantë për t’u mbështetur tek e panjohura, e padukshmja dhe të thënë me pak fjalë, si një tercinë koncize, atë që nuk mund ta thonin dhjetëra faqe librash. “ Më ka zanë dheu me besë të dhanë”, të duket sikur është ofshama e Uliksit apo Diomedit, të cilët rropaten në një humbëtirë të padukshme; rrethet ku rropaten shpirtrat e dënuar për mëkatet e krimet e tyre të duket sikur kanë bërë vend edhe për atë që ka ndodhur në këtë vend në shekullin e shkuar, pastaj njeriu kujtohet se ajo që Dante shkruan për tmerrin do të jetë marrë nga gjithëshfaqja e përbindshme e kampeve të internimit dhe të përqendrimit, një shpikje naziste që u përcoll në komunizëm në përmasë të frikshme; dënimet e dhëna të ngjajnë sikur kanë dalë tashmë nga tercinat dhe janë bërë pjesë e dosjeve, të cilat nuk u hapën kur duhej, në kohën e duhur, por u fashitën, u ndërruan, u zhbënë, për të krijuar alibi të reja dhe për të sunduar shpirtin.
Kadareja e ka njohur këtë; megjithëse nuk e ka prekur me dorë, pra nuk është i kaluar nëpër Gulaget e tmerrit, si Sollzhinicini , apo edhe më tej, si Dostojevski, të tjerë, miq, të njohur apo edhe të sapo ardhur në botën e letrave, kanë provuar Golgotën e tmerrit, për një mendim ndryshe, një fjalë në rrethin e miqve, ku “judët” ishin shumë më tepër se sa të besuarit, një poezi e dyfigurshme, një varg, për të shkuar më tej, shumë më tej, dyshimi në një pus nafte, liberalizmi i shfaqur në një fustan të zi apo në një pije me ngjyrë, zakonisht ponç portokalli, në lokalin kryesor të qytetit, që do të ishte habia më e madhe e një kohe.
Dante është i pashmangshëm edhe në këtë periudhë… madje, në këtë kohë ai është më i kuptueshëm.
Përkthimi i plotë i tij, befas, erdhi pikërisht në këtë kohë. Një përkthyes i shquar, ndër më të shquarit e kohës dhe botës latine e helenistike, Pashko Gjeçi, ish i burgosur politik, martir në besimin e tij dhe poliglot në dijet, do të merrte përsipër përkthimin e plotë, më të saktë dhe më të duhurin e “Komedisë hyjnore”.
Me atë, si me Gjon Shllakun, përkthyesin e habitshëm të Iliadës, do të ndodhte e njëjta paradhomë përkthimi: burgu, qelitë e një pas njëshme, pyetjet e zgjatura, padurimi i hetuesisë e në fund gjyqi farsë, ku asgjë nuk dihej dhe askush nuk mund ta merrte me mend se si kishin rrjedhur ujërat.
Përkthimi dhe botimi i plotë i “Komedisë Hyjnore” ka historinë e habitshme të tij, që i ngjan fatit të poetit. Pashko Gjeçi, do të ketë edhe ai fatin e tij të çuditshëm. Në gjimnazin e Shkodrës do të jetë shok banke dhe mik i ngushtë me Qemal Stafën dhe Arshi Pipën, Xhemal Brojën dhe Lazër Radin, Nikolla Shurbanin dhe Kolë Ashtën. Gjysma e tyre të joshur nga komunizmi dhe gjysma tjetër kundërshtarë të tij. Pashkoja në mesoren e artë, pa e ditur se edhe kështu e gëlltiste humnera. “Qemal Stafa dhe Arshi Pipa dallonin nga të gjithë ne shokët e klasës për zgjuarsi dhe inteligjencë, e Qemali ka qenë nxënësi më i mirë që kam njohur në jetën time“- do të kujtojë nga fundi i jetës së tij. Mësues të latinishtes dhe të greqishtes së vjetër do të ketë një mësues të mrekullueshëm, emri i të cilit përkon habitshëm me emrin e tij: quhej Pashko Geci. “Në fillim ai më kishte në patronazh vetëm mua për të më mësuar greqishten e vjetër, por duke më pasur mua shok të ngushtë, dolën vullnetarë dhe Qemali me Nikolla Shurbanin e të tre arritëm ta mësonim atë gjuhë“ – endet në vitet e gjimazit klasik të Shkodrës përkthyesi i shquar.
Pas akordimit të një burse të vogël, shkon të studiojë filozofi në Universitetin e Romës, sëbashku me shokët e tij të klasës, Kolë Ashta, Lazër Radi dhe Luigj Ljarja – tre prej tyre tyre do të jenë të burgosur politikë në pasluftën e komunizmit, ndërsa tjetri i njohur nga të gjithë si kundërshtar i tij. Përfundon Fakultetin e Filozofisë dhe të Letërsisë në vitin 1943 dhe i ofrojnë vendin e profesorit asistent, por kthehet në atdheun e tij. Ernest Koliqi e nxit poetin shtatshkurtër të kthehet për të rritur shtatin kulturor të atdheut.
Atdheu nuk kërkon rritjen, kërkon shpagimin! Ndaj kujt? Pashko Gjeçi nuk ka pasur të bëjë asnjë ditë me politikë, miqtë e tij, po. Qemali nuk është më. Xhemal Broja po përgatit veten për arrestimet e ardhshme, megjithëse drejtues i lëvizjes komuniste. Arshi Pipa do të arrestohet në të njëjtën ditë me të. 4 shtator 1947. Pas tri ditëve do të ishte 29 vjeçar, pasi ka lindur me 7 shtator 1918. Tre muajt e parë në një dhomë izolimi. Terrinë, që, kur nis të zbardhë, i risjell në mend vargjet e Dantes, të cilat i di përmendësh dhe kishte nisur të provonte përkthimin e tyre. E nis nga Purgatori dhe Parajsa. Ferrin, që e kishte brenda asaj ngushtice të qelisë, do e vazhdojë në tharjen e Kënetës së Maliqit.

Përkthimet e para i kishte nisur në moshën 17 vjeçare, gjimnazist. Do i përfundonte në një dhomë të ngushtë, gjysëm bodrum.
Në moshën e shtyrë, pak para ndarjes nga jeta e këndejme, për të shkuar në atë të përtejme, Pashko Gjeçi kujton:
“Për përkthimin e saj unë shfrytëzoja orët e para të mëgjesit para se të fillonte mësimi dhe çdo ditë hidhja në letër nga katër vargje në gjuhën shqipe. Disa prej këtyre vargjeve, në mos gaboj ato të “Ferrit”, unë ia tregova mikut tim të ngushtë Llazar Siliqit, i cili i botoi menjëherë në revistën “Nëntori”. Ndonëse ato u pëlqyen mjaft dhe u vlersuan nga shumë njerëz dashamirë, kritika e asaj kohe heshti, sepse nuk mund të shkruante për një ish të burgosur politik. Meqënse i kisha vënë detyrë vetes që ta përktheja me çdo kusht Danten, vazhdoja të punoja çdo ditë dhe kishte raste që për një varg më duhej tre katër ditë punë. Pasi kisha përkthyer mijëra vargje në ato tre vjet, katër vargjet e fundit i kam përkthyer një ditë të shtunë kur tre kolegët e mi kishin shkuar në Tiranë. Ato i mbarova aty rreth orës katër të mëngjesit dhe kur i mbarova, mu duk se u hap dera e prej aty doli Dantja e më la vetëm”.
M‘u duk se u hap dera e prej aty doli Dantja e më la vetëm!
Ishte njëlloj si të thoshte se, m’u duk se u hap dera e prej aty doli Jeta e më la vetëm, pasi Dante kishte qenë pjesa e fillesës së jetës së tij.
Për një ironi të fatit, botimi i plotë i Veprës madhore do të bëhej me porosi të Enver Hoxhës. Sikur të mos ishte i mjaftueshëm ferri i ngritur mbi tokë, papritmas, një urdhër suprem do të bënte të mundur botimin e plotë të Dantes dhe emërimin e përkthyesit si profesor në Fakultetin e Filologjisë, profesor i latinishtes dhe greqishtes së vjetër. Përkthyesi i vyer, që do të sillte në shqip edhe kryeveprën tjetër, “Odiseu“, kishte dhënë gjithçka nga vetja.
Largimi i tij nga jeta ishte i heshtur… sikur të hapej një derë e prej aty të dilte përkthyesi i famshëm dhe të na linte vetëm…
x x x
Joyce thonte dikur se „Historia është një makth nga i cili dua të zgjohem“. Dante kishte lindur për të gjithë, por në botën përballë vendit të tij, ishte një truall tjetër, ku do të njihej shumë më vonë se nga kombet e tjerë rreth e rrotull tij, pok u do të ishte më i ngjashëm se askund tjetër. Dante nuk ishte vetëm poet për shqiptarët, ai ishte pjesë e një hisorie, makthi i së cilës ende kërkon zgjimin e tij. Një vend, ku tri gjendjet poetike të“ Komedisë Hyjnore“ ndërthuren me njëra tjetrën dhe në të cilat përmsat janë të ndryshme me atë që ka ndodhur në tercinat e njohura.
Nëse në përkthimin e Pashko Gjeçit, gjendja e Ferrit do të ishte më e plotë, më e natyrshme, më e dhimbshme, më sublime, më e shenjtë, më tronditëse, më e kapshme, më befasuese, më tingëlluese, kjo nuk ka të bëjë vetëm me forcën e përkthimit, por edhe me fillesën e proçesit të zgjatur në shumë vite, në një qeli burgu, që ngjante pambarimisht e vockël me atë që ndodhte rreth e rrotull, me rrathët e krijuar njëri pas tjetrit, ku numri i tyre përzihej, duke i zënë vendin njëri tjetrit, jo sipas përcaktimit poetik, por prej ngarendjes së një trysnie të pashoqe, të ashpër e mizore, e cila, nga njëra anë jepte devizën e saj, që në vitin 1945, „ më shumë bukë, më shumë kulturë“, dhe, nga ana tjetër shpallte të huaj për kombin, të përjashtuar, të dëbuar e të mallkuar pikërisht atë elitë që mund të bënte ringritjen e vlerave.
„Komedia hyjnore“ ishte një ëndërr që kishte gjithnjë në vete drojën se mos ndërpritej dhe bashkë me të krijohej ndarja mes saj dhe historisë. Do të ishte e mjaftueshme një turfullim i pushtetit, i dikujt që mund të kishte parë pjesë të vetvetes në tercinat e njohura, të cilat pavarësisht kohës kanë mrekullinë të jenë të pranishme edhe sot e kësaj dite, dhe, e gjithë vepra do të mund të dërgohej në kthinat e territ, ku kishte qenë dikur përkthyesi i saj.
Ismail Kadare është , mund të them pa droje, i tronditur nga Dante dhe i marrosur pas tij, si ndodh shpesh herë kur takohen shpirtrat binjakë. Ai është gati ta nacionalizojë Danten, t’i japë atij nënshtesinë shqiptare, ta bëjë ambasador të vendit të tij dhe të jenë bashkë, në të mirë e në të keq. Për të, jo vetëm në këtë histori të shkurtër, Dante është ndërtuesi i urave mes kulturave dhe, si më i madhi poet i Europës i takon edhe asaj pjese europiane shqiptare, që shikoi tek poeti fjorentinas bulimin e idesë së kundërshtimit, duke ngritur, me aq sa kishin hapësirë, artin e tyre normal në një vend jo normal.
Kadare e sjell Danten në mjediset shqiptare si një gjë të zakonshme, e vendos në fillimin e marshimit fashist mbi kryeqytetin shqiptar, e dërgon me falangat italiane në marshimin mbi shtetin fqinj grek, si për të dashur të bëjë njësimin e Homerit helen me Homerin e Italisë, si është quajtur Dante, heziton për vendndodhjen e tij në ditët e pushtimit nazist, por gjithëherë në praninë e së mirës; më pas, në kohrat e shtetit diktatorial, kur asgjë nuk është e sigurtë, ai përndjell të mirën përmes tij dhe, befas, tablloja që shfaq, në një trekëndësh Tiranë – Romë – Shkodër , nga ku janë edhe më e shumta e përkthyesve të tij, zakonisht të krishterë katolikë, synon të bëjë lidhjen e asaj ndjenje ende të pashfaqur si duhet të shqiptarëve ndaj perëndimit.
Shumë studjues kanë shfaqur endimin se Dante mund të kuptohet si duhet vetëm në gjuhën italiane, bile në dialektin fiorentinas. Nobelisti Seferis e mendonte këtë, por edhe Borges e kishte shijuar pikërisht në italishte.
Kadare mbështet mendimin e studjuesve të shquar shqiptarë të Dantes, sidomos të Fishtës dhe Koliqit se poeti i shquar, duke qenë gjuhësisht i afërt për shqiptarët, ai është i kapshëm në gjuhën tonë. Gjergj Fishta, sipas kujtimeve të Koliqit, mendonte se gjuha shqipe, „ gjuha jonë mashkullore“, sipas tij, ishte tepër e përshtatshme për të mbartur shprehjet krenare danteske. Kadare shkon edhe përtej këtij mendimi. Ai është i bindur se edhe vetë trualli ynë, historia e tij, me përplasjet, fatkobet, mençurinë, mbijetesën, dështimet dhe ringritjet i përngjan truallit poetik të Dantes dhe mund të jetë një strehë e mirë për të, ndoshta streha më e përshtatshme në hapësirën ballkanike, për më tepër me një përkthim brilant që tingëllon aq natyrshëm.
Ka edhe një veçori tjetër, e cila nuk do të mungonte asesi. Në fillimet e ardhjes së Dantes në vendin tonë, përcjellja apo shoqërimi i tij u bë nga korifej të letrave shqipe, atë po e përcillin drejt „altarit“ të jetësimit në shqip figura që e kishin përnjëmend për zemër, që ishin rritur duke i thënë tercinat e tij, fillimisht në origjinalin e tyre e më pas në përkthimet e para , të drojtura, por të mirëpritura, si çdo gjë që troket për herë të parë.
Shoqërimi i Dantes nga figura të mëdha të letrave shqipe, mes tyre Fishta, Koliqi, Kuteli, Pashko Gjeçi, i jepnin atij hijen dhe nderimin e fshehtë, që ishte edhe m tej interesant, por edhe e „legalizonin“ atë në botën e shpirtit shqiptar.
Këto autorë, më pas, në kohën e komunizmit, në shumicën e tyre, do të shpalleshin të padëshiruar, do hiqeshin nga tekstet, do të pëshpëriteshin dhe librat e tyre do të lexoheshin netëve të terrta, por, megjithatë, ata kishin aureolën e tyre, të cilën nuk ja hiqnin dot të ardhurit në letrat shqipe dhe as ndalimi disa dekadash i tyre. Dante ishte i lidhur me to; ai ishte i pandaluari që kishte ardhur mes të ndaluarve dhe kjo i ngjante historisë që ai vetë kishte ngritur përmes tri „ gjendjeve“ të tij: Ferrit, Purgatorit e Parajsës.
Me rënien e komunizmit , pa asnjë mëdyshje, reabilitimi i këtyre figurave ishte i menjëhershëm; gjithçka ndodhi marramendshëm shpejt dhe , „ ashtu si është vuajtja pa dhimbje, ngadhënjimi ishte, po ashtu, pa haraç“.
Çfarë ndodhte ndër kohë me Kadarenë? Si lëviste ai në këtë botë marramendëse, ku gjysma e tij ishte në ballada e gjysma tjetër në mengenë e shtetit?
A ishte ai i Parajsës, i Purgatorit apo i Ferrit?
Çka dolli me veprën e tij, e cila, në të gjithë këtë perandori që ka ngritur mund të ketë vend për të gjitha, që nga mënjanimi, heshtja e deri tek mallkimi, e po ashtu, që nga lëvdata, marrja nën mbrojtje, ngadhnjimi e deri tek fillesa e Parajsës.
Si ndodh me përsonazhet e Purgatorit, ai ndodhej në një gjendje shëlbimi, pra, midis mallkimit dhe bakimit.
A është e vërtetë kjo?
Si përfytyrohej ai në një vend që quhej „Parajsë“ pushtetore me rrathët e saj dhe si mendohej ai në një vend që ishte vërtet Ferr?
Si me asnjë shkrimtar tjetër ai ka qenë i pranishëm në dy skajet e botës shqiptare: në Komitetin Qendror, të cilin më pas e ngriti mjeshtërisht në Pallatin e Ëndrrave dhe, në skajin tjetër, tek të burgosurit politikë.
Sa herë që është dukur se ka rrëshqitur nga selia murale dhe deri diku groteske, aq herë është dukur se i është afruar të tjerëve, që ishin tashmë të humnerizuar.
Nëse në fillimet e poezisë së tij është dukur se po thërret parajsën, dhe kjo është e kuptueshme dhe çuditërisht më e pranishme se në prozën e tij, vitet e mëpasme e afrojnë drejt asaj që ka të bëjë me ftillimin e së të vërtetës përmes artit; sa herë që është rrëzuar nga shkallët e selisë masive të Komitetit Qendror, aq herë është dukur i afruar me rrethinat e kthinave të një jete të mbyllur.
Ai fqinjëronte me të dyja, duke u larguar përherë e më shumë nga masivja e duke shkuar drejt një britme shumë dimensionale që tingëllon fundbotshëm dhe fillim bote njëkohësisht.
Çfarë mendonte „Parajsa“, Komiteti Qendror për Kadarenë?
Në mbledhjen e zhvilluar në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH, me 25 tetor 1975, nën drejtimin e Ramiz Alisë, seketar i Komitetit Qendror për ideologjinë dhe ku janë të pranishëm funskionarë të lartë partiak, do të diskutohet lidhur me poezinë „ Në mesditë Byroja Politike u mblodh“ të Ismail kadaresë, e njohur si „Pashallarët e kuq“.
„Gabimi i Kadaresë është më i rëndi nga të gjithë gabimet që kanë ndodhur deri më sot. Me këtë vjershë ka goditur në ballë vijën e partisë. Diktaturën e proletariatit ai e nxjerr gjakatare.Shpreh mendimin se shteti socialist i nënshtrohet të njëjtit ligj si shteti borgjez: zhduket nga themelet…“.
Të duket e ka sjellë pjesë të Ferrit. Edhe ai . Kadare, e di këtë. Në autokritikën e tij, ai shkon edhe më tej se kaq: bën përcaktimin më serioz të jetës së tij në përballjen me shtetin dhe pret momentin tjetër të goditjes.
„Unë kam shkruar dhe kam çuar për botim një vjershë armiqësore, kundërrevolucionare, të drejtuar kundër regjimit tonë, kundër diktaturës së proletariatit…E gjithë vjersha është armiqsëore dhe kundërrevolucuionare. Unë isha në këtë vjershë po aq i rrezikshëm sa një kundërrevolucionar“.
Visar Zhiti, ish i burgosur politik, poet:
„Vepra e Kadaresë i ngjan një beteje, një dueli homerik, me oratori dhe kërcënime, me pauza dhe vërvitjer topuzësh, me mërira dhe…me gjak në gotën e verës festive…me romane të vrara, poema të therura, elegji të heshtura…Dhe gjithsesi shihet se kundërshtari i shkrimtarit është një gjigand monstër, që nxjerrë kokë të tjera përbindshmërisht, me brirë dhe gjuhë zjarri. …Gjithnjë e më i guximshëm shkrimtari, më i zymtë dhe më sublim. Mallkueshmërisht nga perënditë për të qenë i pandreqshëm. Shefat e mi, do të thoshte, s’janë ata të shtetit, por Eskili, Dante, Shekspiri, Servantesi“.
Bashkim Shehu – ish i burgosur politik, shkrimtar, në letrën e tij të vitit 1991, dërguar Kadaresë, letër që u botua edhe në shtypin perëndimor :
„ Desha të të shkruaj për atë pjesë të hetuesisë sime: më 1982 më kanë pyetur për ty. Më kanë pyetur intesivisht për rreth një javë. Madje një herë më erdhi në mesin e natës zëvendësministzri i brendshëm Rexhep Kolli. Të quanin „ armik të vjetër e të rrezikshëm“, që „ ishte munduar të i’a hidhje partisë, por nuk i’a hidhje dot“, që „ të kishin dhënë dorën disa herë, por tani nuk kishe ku të veje më“etj. Kërkonin të dinin se çfarë mendimi kishte ti për regjimin, çfarë kishte thënë kundër Enver Hoxhës, madje të implikonin edhe në çështje agjenturore…“.
x x x
Dante ka qenë dhe vazhdon të mbetet i gjithëkohëshëm. Ai i është përafruar kohrave, pasi, në rastin e tij, gjithçka është kaq e gjallë, sa arrijmë të bindemi se ai, jo vetëm ka besuar tek bota tjetër, por këtë besim e ka përcjellur edhe nëpër kohra.
Dante qëndron përtej vizionit, ai është njëri ndër magjistarët e fjalët, me një fuqi shprehëse të pazakontë dhe, si ndodh rrallë, kjo fuqi nuk reshtet në të 100 këngët e tij.
Në kohrat e mëpasme ai ka qenë gjithnjë e më i kuptuar dhe pikërisht atëherë kur mendohej se tashmë përkimet e tij do të ishin të tepërta, në botën njerëzore, të këtejshme, u shfaqën dy format më llahtaruese të Ferrit, nazizmi dhe komunizmi.
Kampet e tmerrshme të përqëndrimit, furrat e stërmëdha me gaz, vdekjet e llahtarshme, 6 milionë izraelitë do të vriteshin në një hark kohor prej 5 viteve, ose 1.2 milion në vit, rreth 3300 në ditë, pa shkuar më tej, tek gjëmat e mëdha të vrasjeve masive në Poloni, Rusi, Ukrainë…të cilave, llahtarshëm, po ashtu, do iu përgjigjej komunizmi.
Në Shqipërinë e vogël do të kishte , po ashtu, vend për tercinat e Ferrit të Dantes, ku kampet e internimit, nisur bashkë me pushtetin e ri, do të ishin të kobshëm, nëpër të cilët vetë jeta do të rridhte në një ritëm ndryshe.
x x x
Që Dante të vinte në Shqipëri këtë nuk mund ta ndalonte asnjë traktat. Vetëm diçka mund të bëhej pengesë për të dhe shtytëse: gjuha shqipe, por, për fat të bardhë, ajo u bë mbështetja e tij.
Regjimet që kanë shkuar në Shqipëri, republikë, monarki, gjysëm republikë dhe gjysëm monarki , diktaturë e proletariatit, përsëri republikë, luftrat që kanë ndodhur, përplasjet brenda shqiptare, të ashpra, si gjithë përplasjet ballkanaike, por me më shumë pezm e mëri, liderët që e kanë drejtuar këtë vend, herë herë perëndimorë e herë herë anadollakë, miqësitë e krijuara dhe ndarjet e mëdha politike, traktatet dhe ndryshimi i epokave, asnjëra prej tyre nuk e ka trandur Danten .
Shqipëria ka historinë e saj me poetin e madh fiorentinas, ka përngjasimet e saj, përkimet dhe ngarendjet e përbashkëta.
Dante nuk mund të ishte kurrësesi i huaj për këtë truall dhe „ Mëtimi i Shqipërisë së vogël për të patur një histori të veçantë me Dante Aligierin, s‘ besoj se do të merrej si prirje përvetësimi, prirje aq fort e njohur në gadishull. Në fund të fundit të kesh një histori të privilegjuar me Danten, nuk është gjë tjetër veçse të ofrohesh për të vuajtur më fort“.
Ky përfundim i Ismail Kadaresë, në librin e tij „Dantja i pashmangshëm – një histori e shkurtër e Shqipërisë me Dante Aligierin“, nuk është asgjë tjetër veçse një dëshmi e asaj që ka ndodhur dhe, për më tepër, një përuljendaj poetit të shquar nga një sivëlla i tij, disa shekuj më pas.

shkrim i shkelqyer me ne fund po lexojme ndonje artikull me vlere ne katrauren e shtypit te perditshem
Gjithkush kerkon te behet gjykates i Kadarese.Ai vete nuk ja ka dhene asnje skerbythje kete te drejte.
Ca minola minj vrimash si Kole Ashta as kane bere burg,as kane patur peshe ne formimin letrar te shqiptareve.Kur i sillnin te fala nga ndonje bashkestudent ne Itali pergjigjej:-Ka dek Kola,ka dek Kola.JETOI SI I VDEKUR.
Gjigandet e kultures,qe mbajten peshen e rende te Homerit dhe Dantes dhe mijra vjet shtresa kulturore persiper,nuk kane nevoje per gjykatore pafajsie.
Gjyqe pafajsie ben Fatos Nano.
Llumi proletariatit ashtu si ju vuri kopilin ne deret,
ASHTU PO JU PERVETESON MERITAT.
Gjon Shllaku,Pashko Gjeci peshojne sa Noli ne themelet e kultures kombetare.Jane gure te rende fort.
Shpirti bardhe si debore i Llazar Siliqit.
Sa kane shpetuar nga mbytja Llazar Siliqi dhe Dhimiter Shuteriqi.Pa ta Faslli Haliti do te merrte sot kestin e 10 te burgut.
Demo e ke gabim.Profesori I nderuar Kol Ashta ishte gjithenje nen nje survejim te gjithaneshem te drejtorit te gjimnazit shtetit ne Shkoder,ai ishte pjese e elites intelektuale te qytetit,antikomunist I vendosur por I heshtun per te mos hanger burgun e teper I matun.E kesaj ja doli e nuk kishte fatin e intelektualeve te tjere qe I larguan nga shkollat e ndryshme te qytetit e nje pjese jo e vogel e u burgosen.Ne gjimnazin e shkodres ishte nje brez I jashtezakonshem I atyreqe dinin latinisht prefekt edhe ne mes tyre ishte edhe H.Lacaj I ditur I talentum xheltelmen por I frikesuar nga ambjenti per rreth.Ishte nje gjenerate e te diturve qe burgoseshin e ndiqeshin nga padija e injoraca e asaj kohe
I dashur Bedri, Pashko Gjeçi e Gjon Shllaku kane qene dhe mbeten të mëdhenj me përkthimet e tyre, por duhet të e dini se ka dhe përkthyes të tjerë po aq të mëdhenj sa ata te dy, realitivisht të rinj, siç është Meritan Spahija.
Prej tij, këto ditë doli nga botimi Komedia Hyjnore, FERRI, i Dantes.
Për ketë, ai që i bëri parathënie, po një djalë i ri, Lisander Kola, në mes të tjerave shkruan:
“Ndërkaq publiku shqiptar u lidh me kultin e idolit (idhujtarisë në terma të tjerë), i cili e ka shumë të vështirë me e pranue versionin e ri, variantin e nji vepre që asht ba “simbol” i përkthimit. Me guxue kush sot me ripërkthye Hamletin, do të shpallej heretik pa e dorëzue materialin në shtypshkronjë. Në të tilla kushte ndodhet dhe Spahija me Ferrin e tij. Miq e lexues të dashtun, nuk po flasim për herezi, por për alternativë, siç ngjet në krejt botën. Po flas këtu prej statusit tim dhe përvojës modeste në fushën e përkthimit. Kur ne, së bashku me mikun e kolegun z. Vinçens Marku, e nisëm punën me pru në shqipe Pseudo-Longinin, kishim konstatue se në anglisht ekzistojnë mbi njizetë variante e në italisht mbi sa e sa variante. Por nji gja e tillë na ka ba të mundun me krahasue rreth shtatë variante, që me u afrue sa ma shumë me kuptimin e duhun të veprës. Dhe unë personalisht do të isha shumë i lumtun sikur të ketë nji variant të dytë e të tretë të së Madhërishmes. Kështu pra, sa i takon nocionit të idolit që fola pak ma nalt, mundem me thanë se korifeu i përkthimit Noli mundet me u sprapsë sadopak. Nji gja të tillë na e ka dëshmue Guljelm Deda me Orlandin e çmendun, i cili ka sjellë nji produkt tej mase cilësor dhe ka hapë mundsinë e gjykimit të historisë dhe atributit të primatit të përkthimit në gjuhën shqipe. Gjithmonë nëse ka me pasë nji vullnet të tillë, sepse njerëzit që “konstituojnë” kulturën tonë nuk e pranojnë, ngaqë: “zemra e tyne asht [sic!] e lidhun me idhujt e tyne” (Ezekieli, 20: 16). Por kjo s’don me thanë se për hir të statusit tradicional të nji iks përkthyesi me u frenue që me e ripërkthye nji vepër, të ardhun tashma në gjuhën shqipe. Për këtë duhet të jemi të qartë, se Hamleti i Nolit asht po kaq i largët me shqipen e sotme sa edhe Komedia Hyjnore e Gjeçit a e Ndojës. …”.
O Nue!Mjeshtri i perkthimit letrar nuk njihet prej KALKUT(leter kopjativit),por prej perkthimit qe i jep jete vepres.Po te kete vlere Kalku,merre fute ne kompjuter,po te siguroj qe krijesa do te jete nje gje sterile pa jete,e palexueshme.