Trump dhe Rouhani, akuza të ndërsjellta në Asamble

Edona Llukacaj

Gjatë fjalimit të tij të mërkurën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti i Iranit, Hassan Rouhani tha se vendi i tij nuk do të negociojë një marrëveshje të re bërthamore, për sa kohë Irani përballet me sanksione ekonomike. Ai gjithashtu akuzoi Shtetet e Bashkuara për “terrorizëm të pamëshirshëm ekonomik”.

Një ditë më parë, presidenti amerikan Donald Trump e quajti Iranin një nga “kërcënimet më të mëdha në botë”.

Por udhëheqës botërorë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelaren gjermane Angela Merkel i kanë kërkuar liderëve të SHBA dhe Iranit të takohen, me shpresën për të zgjidhur tensionet në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Sidoqoftë, këto përpjekje nuk kanë pasur sukses.

Rouhani ka dhënë sinjale se është i gatshëm për bisedime, por vetëm nëse presidenti Trump bie dakort të heqë sanksionet ekonomike ndaj Teheranit,.

Kjo për SHBA, duket të jetë jashtë diskutimit, sidomos pas sulmeve në rafineritë saudite, për të cilat zyrtarët amerikanë akuzuan Iranin, akuzë që Irani e hedh poshtë.

Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj industrisë kryesore të Iranit, asaj të naftës, pas tërheqjes vitit të kaluar nga marrëveshja e vitit 2015 e cila kufizon programin bërthamor të Iranit. Që nga ajo kohë, Irani i ka tejkaluar disa prej kufizimeve, me argumentin se nënshkruesit e tjerë nuk po i përmbushin kërkesat e marrëveshjes.

e.ll./dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *