Prof. Nasho Jorgaqi
Një poet që mbeti deri në fund poet. Lirik në shpirt. Lirik në këngët që këndoi. Nexhat Hakiu debutoi në letërsinë tonë nga mesi i viteve ’30 të shekullit të kaluar. E nisi me atë grup vjershëtarësh të rinj që hodhën hapat e parë nën ndikimin marramendës të poezisë së L. Poradecit. Të gjithë pothuaj u bënë lasgushianë, epigonë të tij dhe askush nuk arriti të krijojë individualitetin e vet. Përjashtim do të bënte vetëm Nexhat Hakiu, i vetmi nga shokët që do të fitonte emër në poezinë shqipe të kohës me zërin e tij origjinal. Nexhat Hakiu kish lindur në Vlorë në 1917, ku kish kryer dhe shkollën tregtare, prej nga dolën dhe shkrimtarët e ardhshëm Sh. Musaraj, P. Marko e A. Varfi. Pasi studioi në Institutin e Lartë Teknik të Selanikut, punoi si gazetar e më vonë si mësues i shkëlqyer i letërsisë në shkollat e Tiranës. U bë bashkëpunëtor i rregullt i organeve letrare-kulturore të kohës: “Bota e re”, “Illyria”, “Përpjekja shqiptare” etj.
Përmbledhja e tij e parë me poezi dhe ndoshta më e mira është libri “Këngët e Zambares” (1939). Pesë vjet më vonë poezisë së tij i shtohet poema “Kënga e gjakut” (1944), një vepër me frymë antifashiste. Pas çlirimit, vjershat e reja që shkroi i përmblodhi në vëllimet “Këndoj”, “Zëri i pyllit”, “Një lule mbolla” etj. Ai do t’i paguante kështu haraç të pamerituar një kohe në të cilën nuk u inkuadrua asnjëherë si këngëtar i saj i vërtetë.
Nexhat Hakiu me poezinë më të mirë na paraqitet një poet i ngrohtë lirik, këngëtar i dashurisë, i botës dhe natyrës shqiptare. Kënga e tij frymëzohet dhe buron në radhë të parë nga gazet e dertet e fshatit, nga jeta zakonore. Ajo është një poezi e mirëfilltë rustike, plot kolorit e frymë fshatarake, brenda së cilës gjallojnë personazhe dhe ndihen shqetësimet e kohës. Poeti shfrytëzoi në mënyrë krijuese modelet e lirikës popullore, duke pasur si model dhe përvojën e suksesshme të poetit Ali Asllani sidomos asaj labe. Disa nga vjershat e tij më të bukura morën trajtën e idileve, të cilat dhe sot i kanë qëndruar kohës. Ato të bëjnë për vete me hovet lirike dhe situatat psikologjike, me tonet optimiste dhe reflekset e gjalla jetësore. Të gjitha këto përcillen me një shprehje spontane, me varg të harmonishëm e gjuhë të rrjedhshme, që i bëjnë të denja për çdo antologji të poezisë shqipe.
Brezat e rinj të lexuesve vështirë se i njohin këto vlera të çmuara të poetit Nexhat Hakiu. Vëllimi i postum që u botua para disa vjetësh është një përmbledhje e krijimtarisë së tij të para çlirimit, ku përfshihet në radhë të parë poezia, për t’u ndjekur nga proza dhe mendimi kritik. Një vend të veçantë zë vlerësimi i kritikës së kohës së vet dhe i kohës sonë për të, si një individualiti artistik i admirueshëm.
Por krijimtaria e Nexhat Hakiut nuk u mjaftua vetëm brenda kufijve të poezisë. Talenti i tij u shtri dhe në fusha të tjera të letërsisë. Ai botoi një varg tregimesh të suksesshme me tema patriotike-sociale si “Lulja”, “Një shokut”, “Mbremja e fundit” etj. që dëshmojnë një prirje realiste dhe mjeshtri artistike. Pena e Nexhat Hakiut dha prova të çmuara dhe në fushën c përkthimeve, me shqipërime nga veprat e L. Pirandelos, R. Tagorës, E. Petrarkës, G. Karduci etj. Mendimi kritik letrar është një tjetër vlerë e trashëgimisë së Nexhatit, me një varg artikujsh problemor e studimor që botoi në shtypin e kohës si “Naimi si poet i dashurisë”, “Shkrimtarët dhe populli”, “Degjenerimi i shtypit”, “Librat që na duhen”, “Shkrimtari, frymëzimi dhe origjinaliteti”, “Talentet femërore”, pa harruar komentet e buRura estetike mbi Ferrin e Dantes dhe Milosaon e De Radës.
Personaliteti intelektual i Nexhat Hakiut nuk mund të kuptohet pa kontributet cilësore që ai dha në fushën e gazetarisë dhe të publicistikës. Që i ri ai u tregua një gazetar i talentuar letrar duke punuar si redaktor në revistën “Përpjekja shqiptare” e B. Merxhanit, në gazetën “Tomori i vogël”, kryeredaktor i gazetës “Bashkimi i kombit”. Puna e tij drejtuese në shtyp u shoqërua me një publicistikë të pasur, një pjesë e të cilës i ka qëndruar kohës.
Në vitet e pas çlirimit Nexhati, krahas poezisë, iu përkushtua mësuesisë, duke u bërë një shëmbëlltyrë e rrallë si ligjërues i letërsisë në shkollat e mesme të kryeqytetit. Një ligjërues artist, për nga përgatitja profesionale, për nga interpretimi dhe komentimi, për nga fjala e goditur dhe emocionet fisnike që zgjonte tek nxënësit. Artikujt e tij të botuar në shtypin pedagogjik si dhe librat e botuara, si “Antologji e komentuar”, “Copa letrare të komentuara në ndihmë të mësuesit”, “Edukimi ideo-estetik përmes letërsisë”, “Studimet për poezinë e Lasgushit e A. Asllanit” mbeten një model dhe sot e kësaj dite për shkollën shqiptare.
Vepra letrare dhe trashëgimia që N. Hakiu la pas, njohën vlerësime të merituara nga kritika dhe opinioni si punë serioze e origjinale. Kështu, që në krye, talenti i tij do të mirëpritet. “Te poeti i ri vërejmë një fantazi të gjallë, talent të mprehtë të vrojtimit, sentiment të ndjeshëm, spontan e të natyrshëm” shkruan kritiku Qemal Dracini. Kritika e krahason me Lasgushin, Migjenin, Koliqin. Për kritikun Kolë Ashta, “Nexhat Hakiu sjell një ndjeshmëri të re lirike në poczinë shqipe”. Për Rinush Idrizin, lirika e N. Hakiut “është e ëmbël dhe e dhimbshme, kurse në orën e mësimit ai tregohet virtuoz, derdh dashuri të madhe, kryefjala e tij është humanizmi”. Ndërsa për P. Jorgonin, ‘Nexhat Hakiu është një poet me vokacion krejt origjinal, me një fizionomi të vetën, me shpirt të thellë e të brishtë.”
Në 18 qershor të vitit 1978, poeti u nda nga jeta në moshën 61 vjeçare. Iku siç kish jetuar, i qetë dhe pa u ndjerë. Dhe siç shkruan studiuesi Kristaq Shtëmbari “Për të nuk ra asnjë kambanë”. Veçse me këtë rast mund të kujtojmë fjalët e Nexhatit se “Historia e letërsisë dhe e artit njeh shembuj të tillë, por nga ana tjetër, – thoshte ai, – ajo rezervon dhe vende në panteon për ata që duke u djegur vetë, të tjerëve u falin dritë dhe jetë.”
o.j/dita

Nga ishte i ndjeri?