Lista me çmimet e reduktuara për studentët

Ornela

Pranvera Kola

Zgjerohet edhe më tej lista e shërbimeve me çmime të reduktuara për studentët. Sipas urdhrit më të fundit të zbardhur gjatë ditës së djeshme në Fletoren Zyrtare, të gjithë mbajtësit e Kartës së Studentit, tashmë do të mund të përfitojnë reduktim të kostos edhe për 18 shërbime të tjera të ofruara nga Instituti i Gjeografisë dhe i Infrastrukturës Ushtarake, apo edhe institucioneve të tjera që janë vartëse të Ministrisë së Mbrojtjes.

Konkretisht bëhet fjalë për sigurimin e hartave topografike të madhësive të ndryshme, hartave rrugore, detare, si dhe skanim të fotove të bëra para viteve 1990,apo të materialeve të tjera të nevojshme në ndihmë të procesit mësimor, etj. Listën e plotë të këtyre shërbimeve me çmime të reduktuara që mund të merren pranë Institutit të Gjeografisë dhe Infrastrukturës Ushtarake e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit. Pjesa dërrmuese e këtyre shërbimeve ofrohen me gjysmë çmimi në rastet kur aplikohet me Kartën e studentit.

Kështu, për të siguruar një hartë topografike të shkallës 1 me 10 mijë, kostoja reale e të cilës është 800 lekë, studentët do ta sigurojnë me një tarifë prej 400 lekësh. Përmes kësaj karte, studentët përfitojnë lehtësira edhe në shërbime të tjera publike dhe private: si në sektorin bankar, shëndetësor, art, kulturë, turizëm, transport, telefoni, librari, ushqim dhe veshje. Konkretisht, sipas vendimit të miratuar më herët nga Këshilli i Ministrave, të gjitha shërbimet që ofrohen nga entet shtetërore në fushën e artit dhe të kulturës, të shëndetësisë dhe të mbrojtjes sociale, arsimit, sportit dhe rinisë, transportit, turizmit dhe mjedisit, ekonomisë, financave, punësimit dhe trajnimit dhe ato të mbrojtjes përfitohen nga studentët me çmime të reduktuara, apo edhe tarifa zero, vetëm përmes përdorimit të kartës së studentit, si një dokument unik i çdo studenti.

Përfituesit e kartës së studentit përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara edhe nga subjekte të tjera private, që kanë objekt të fushës së veprimtarisë së tyre shërbime për studentët, në bazë të marrëveshjeve përkatëse të lidhura ndërmjet tyre dhe strukturave të qeverisjes vendore. Në çdo fakultet të çdo universiteti tashmë janë pozicionuar nga dy operatorë, të cilët ndihmojnë në procesin e emetimit të Kartës së Studentit, duke nisur nga informacioni i përgjithshëm, plotësimi i të dhënave, e deri te lëshimi i kartës.

Karta lëshohet pa pagesë, është e rinovueshme, ka një barcode të caktuar dhe ofron akses në të gjitha institucionet apo subjektet, të cilat në ambientet e tyre kanë të afishuara stikerat me logon “Karta e Studentit”. Informacionet e nevojshme në lidhje me shërbimet përmes kësaj karte janë të aksesueshme edhe në aplikacionin karta e studentit. Qendra e Shërbimeve Arsimore konfirmon, për çdo vit akademik, studentët e regjistruar në vitin përkatës akademik, për çdo institucion të arsimit të lartë, pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin dhe pranë njësive të vetëqeverisjes vendore, në rastin e delegimit të prodhimit dhe të administrimit të kartës së studentit.

 

 

Share This Article
1 Comment
  • Bankat e nivelit te dyte ne Shqiperi nuk e njohin karten e studentit dhe kur paraqiten u kerkohet vertetim nga Fakulteti, kjo ka ndodhur me BKT qe per te hapur nje numer ne llogarine rjedhese nuk e njohu karten e studentit por kerkonte vertetim per ta perjashtuar nga komisioni. Ne keto kushte gjykojme se kjo karte eshte pa vlere dhe pa interes. Nuk sigurojme dot abone studenti sepse shperndahen ne pika te panjohuar nga studentet ose nen dore dhe jo prane cdo fakulkteti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *