Gjashtë të rinj që lëviznin me drogë heroinë dhe kokainë në rrugët e kryeqytetit janë arrestuar brenda pak orësh nga policia për akuzën e shitjes së narkotikëve. Seksioni Kundër Narkotikëve Tiranë, pas hetimeve disaditore dhe ndjekjes në distancë, finalizuan deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm aksionin. I pari ra në pranga Spartak Çollaku, 31 vjeç, të cilit gjatë kontrollit të ushtruar i është gjetur një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit kanabis sativa. Më pas janë kapur në Laprakë, Blerind Doda, 28 vjeç dhe Ervis Kola, 26 vjeç, banues në Burrel, pasi nga kontrolli personal i ushtruar ju gjetën një sasi prej 150 gramë lëndë narkotike në 40 paketa, po me hashash dhe gati për shitje. Po për të njëjtën akuzë u arrestua Armand Llapanji, 32 vjeç, teksa në rrugën “Qemal Stafa”, iu gjetën të fshehura në pedalin e automjetit, një sasi lëndë narkotike e llojit heroinë, e cila ishte e ndarë në 10 porcione dhe Eduart Zeqiri, 35 vjeç, banues në Durrës, që u kap në rrugën “Irfan Tomini” me disa doza kokainë. I gjashti është ndaluar Dolsi Kuka, 28 vjeç, të cilit iu sekuestrua një sasi hashashi gati për shitje në treg.
