Denoncohet për trafik prostitucioni në Itali, pranga 27-vjeçarit

anazapta

Një i shumëkërkuar për trafik prostitucioni është ndaluar dje në qytetin e Fierit, ndërsa në banesë iu kap edhe një armë pistoletë pa leje. Komisariati bëri me dije se i arrestuari është 27-vjeçari Gentian Bardhi, i cili muajin e kaluar akuzohet se ka mashtruar dhe më pas trafikuar drejt Italisë një vajzë për qëllime prostitucioni. Vajza e ka denoncuar pas kthimit nga vendi fqinj dhe ndaj Bardhit nisën menjëherë hetimet, nën akuzën e “trafikimit të femrave për qëllim prostitucioni” dhe “mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”. Bardhi akuzohet se ka trafikuar për qëllim prostitucioni në Itali një vajzë në muajin tetor, por emri i saj u mbajt sekret për shkak të sigurisë.

Sipas policisë, në momentin e arrestimit, Bardhit iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një pistoletë e markës “Ekol Special”, si dhe një krehër me 4 fishekë. Ngjarja është ende nën hetim nga prokuroria, por sipas dëshmisë së vajzës, ata kanë pasur njohje së bashku dhe menjëherë pas mashtrimit për punë në Itali, i dyshuari e ka shfrytëzuar për prostitucion. Bardhi e ka mohuar akuzën gjatë marrjes në pyetje, duke e quajtur sajesë denoncimin e të dëmtuarës.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *