Universaliteti i një tregimi

J L

Nga Qamil Hamzaj

 

Viti 1960. Nasho Jorgaqi botonte novelën “Dashuria e Mimozës”. Ky emër sikur u zbuloi njerëzve pemën lulebukur dhe aromëkëndshme në bulevardet kryesore të Tiranës, që sfidonte dimrin dhe paralajmëronte ardhjen e pranverës. Menjëherë në zyrat e gjendjes civile filluan të regjistroheshin me shumicë anekënd atdheut vajzat që lindnin me emrin e bukur Mimoza. Libri ishte shkëndija e parë e një talenti që do të rrezatonte fuqishëm në të ardhmen në shumë fusha të letërsisë dhe kulturës sonë kombëtare.

Diku në veprat e tij Prof. Rexhep Qosja shprehet se Noli kontribuoi në shumë fusha, por asnjërës nuk iu përkushtua plotësisht. Të më falë profesori i nderuar Qosja, por unë mendoj se Noli ynë i madh me gjenialitetin e tij kontribuoi gjithë jetën e tij për t’i dhënë një shtytjepërpara kulturës sonë kombëtare. Dhe, duke lënë mënjanë fushën e politikës, roli  e ndikimi i tij  qe mahnitës si në krijimtarinë poetike, në  historiografi, në historinë e artit e të muzikës, ne shqipërimet, në historinë e Skënderbeut ai krijoi kryevepra,vuri gurë themeli e piketa për  zhvillimet e ardhme të kulturës shqiptare në këto drejtime.

Në përmasa, mbase jo aq të mëdha sa ato të Nolit, Nasho Jorgaqi dha modele dinjitoze  në shumë fusha  të letërsisë dhe të artit shqiptar. Lëvroi me sukses  romanin, novelën, tregimin, letërsinë për fëmijë, shkroi skenare artistike, u ngriti lapidare me biografitë e letrarizuara Heronjve te Luftës, redaktoi dhe rinxori në dritë veprat e shumë shkrimtarëve të së kaluarës, solli në shqip  kolosë të letërsisë së huaj dhe  ndriçoi figura të mëdha  e domethënëse  të letërsisë e të kulturës shqiptare  kudo në botë. E madhe është vepra e Jorgaqit për arbëreshët dhe krijuesit dhe studiuesit arbëreshë e të huaj për letërsinë dhe kulturën e vyer të ngulimeve shqiptare kudo në botë. Edhe kur si estet e kritik  shkruan për Naimin, Nolin, Migjenin etj. , për të cilët kanë shkruar dhe  profesor Qosja, Kadareja e të tjerë, ai na e zbulon shkrimtarin  në një këndvështrim të ri, duke na dhënë diçka të re  e të qenësishme për objektin e studimit.

Nasho Jorgaqi  është një eksplorator i madh; ai çdo ditë zbulon diçka, grumbullon e krijon diçka. Veprat e tij, të ngjizura vite me radhë, dallohen për stilin magjepsës  e tërheqës, ato përshkohen nga mendimi i gjallë e vetëtues, ngjallin  ndjenja  të fuqishme e robëruese. Mbi të gjitha, në tërë krijimtarinë e tij,  ai mbetet besnik i vetvetes. Edhe vitet e fundit, kur shumë penda të forta u stepën, ai vazhdon të  krijojë e botojë, çka dëshmon se ai punon e krijon për të qenë  i pranishëm me veprat e tij për sot dhe brezat e ardhshëm.

Vitin e kaluar ai botoi tregimin “Tropari i  dashurisë”, që shpejt u botua  si libërth  me titullin “Manastiri i dashurisë”.

Subjekti i thjeshtë i tregimit ngërthen  dramën e dashurisë së pafat të Perandorit Teofil me Kasianinë e bukur. Në një paraqitje para tij të vajzave më të bukura aristokrate të Bizantit, atij zemrën ia rrëmbeu vetëm njëra, ajo që  u paraqit para tij ashtu siç ishte, vetëm me hiret e veta dhe përballë madhështisë   së fronit të Perandorit  vuri madhështinë e nderit të saj. Por ajo, siç thotë Hajneja, guxoi të shohë mbretin drejt në fytyrë, të kundërshtonte  mendimin e tij, të fyejë kështu arsyen perandorake, sipas së cilës mençuria i përket vetëm atij. Megjithëse  dashuria hodhi rrënjë në zemrat e tyre që me shikimin e parë, ata nuk mund të bashkoheshin, duke vërtetuar atë që thotë Turgenjevi se dashuria nuk vdes vetem  kur vdesin protagonistet,  si te “Romeo e Zhuljeta” , por edhe kur ata mbeten gjallë, por u përkasin klasave të ndryshme. Të dy e kaluan jetën të mjerë; ajo që vuante si murgeshë nga mëkati i dashurisë, ai si perandor nga pendesa se nëperkëmbi dashurinë.

Në këtë tregim gjejmë disa karakteristika, që dëshmojnë  për karakterin universal të një vepre. Është tema e dashurisë, një temë e vjetër sa vetë njerëzimi, gjithnjë e pashterueshme. Para saj, si para vdekjes, të gjithë njerëzit janë të barabartë, do te shprehet autori. Kjo temë, e shfrytëzuar  nga korifejtë e letërsisë botërore të të gjitha kohërave,duke krijuar këngë e balada te mrekullueshme, romane , drama e tragjedi të pavdekshme, ngjason me ajrin, që, ndonëse të gjithë breznitë marrin frymë në të, nuk mbaron kurrë. Edhe pse  ngjarja vendoset ne mesjetën e errët, ajo dritë dashurie vjen e qartë dhe e freskët dhe në kohërat tona moderne.

Në këtë tregim të vogël sheh përmasa të universales, sepse në të  secili  gjen diçka nga vetvetja. Vallë cili nuk provoi e kujtoi me përmallim  një vështrim të vagëlluar, plot avuj dashurie të  vajzës së dashuruar, cili nuk ndjeu  regëtimat dhe drithërimat dhembjeëmbëla të  zemrës së rënë në dashuri?  Edhe ngjallja e kujtimeve  e fisnikëron njeriun, se, dhe letërsia ka  një mision fisnik: të lartësoje vyrtytet e njerëzve dhe të  ndikojë në  përparimin e qytetërimin e  kombeve dhe të mbarë njerëzimit.

Në shkencë është një parim: sa më qartë e thjesht të paraqitet teoria, aq më i lartë është niveli i shkencës. Nasho Jorgaqi është një shkrimtar-shkencëtar; idetë, mendimet, ndjenjat i zhvillon me një logjikë të brendshme të hekurt, dhe, të veshura me një figuracion te ndritshëm e të  drejtpërdrejtë, si në epikën popullore shqiptare, i transmeton përsosmëisht te lexuesi, duke vënë në rezonancë zemrën dhe mendjen e tij. Me plot gojën mund të themi  se ky tregim merr përmasat e legjendës, duke mbështetur atë që thotë autori, se “atë çka nuk e shkroi historia, e përcolli legjenda”.

Vetëm një përqasje e drejtpërdrejtë me këtë tregim, do të dëshmonte se sa mjeranë janë ata shkrimtarë, që, për t’iu dhënë  veprave të tyre ngjyra të universalizmit, përziejnë në mënyre alogjike epokat, njerëzit dhe ngjarjet e këtyre epokave, tregohen kozmopolitë, duke imituar lloj-lloj izmash. Vepra të tilla kanë jetë dhe janë të denja  jo për epoka e gjenerata njerëzish, por  për brezni e stinë mizash.

Në epikën popullore, të dashuruarit, pas sakrificash te panumërta, më në fund, triumfojnë dhe lumturohen, Romeo dhe Zhuljeta u bashkuan vetëm në vdekjen e tyre, Perandori Teofil dhe  e bukura dhe e mençura Kasiani  u bashkuan  vetëm në troparin e tyre  të dashurisë, një këngë kishtare bizantine. Ky tropar-himn i dashurisë njerëzore këndohet në tempujt e besimit në ditët e Pashkëve, të ringjalljes së Krishtit. Ky rit, në këto ditë  kulmore të ripërtëritjes së natyrës, të shpërthimit të  luleve e të aromave dehëse të pranverës, s’bën  gjë tjetër, veçse e shenjtëron dashurinë, i jep asaj një dritë te përjetshme, hyjnore.

 

Tetor  1995 – Prill  1996

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *