Klubet e mëdhenj kanë detyrimin për të marrë lojtarët më të mirë dhe çdo shifër është normale për sa kohë që bilanci është pozitiv. Karl Hainc Rumenige, kryetari i bordit të Bajernit, nuk çuditet nga çmenduritë e Real Madridit në merkato, pasi klubi madrilen ka një bilanc pozitiv, ashtu si dhe Bajerni, pavarësisht shifrave të mëdha që shpenzon. Për gazetën spanjolle “Marca”, Rumenige tregon se te Bajerni të gjithë janë të lumtur me trajnerin e ri, Pep Guardiola, përfshirë këtu edhe strategun e sezonit të kaluar, Jup Hajnkes.
– Ishte etike mënyra se si u largua Hajnkes nga klubi, pasi fitoi tre trofetë, ndërkohë që më herët kishin nisur edhe bisedimet me Guardiolën?
– Pensioni vjen për të gjithë ne. Kemi qenë të ndershëm dhe Jupi është informuar me kohë për sa i përket ardhjes së Pepit. Do të doja shumë të kisha pasur mënyrën se si Hajnkes doli në pension, duke fituar Champions League, Bundesligën, Kupën e Gjermanisë, ndërkohë që i gjithë qyteti thërriste “Jupp, Jupp, Jupp!”. Po ju them që para dy javëve më mori në telefon dhe më tha se të gjithë kishim pasur të drejtë: ai për daljen në pension dhe ne për marrjen e Pepit.
– Është përshtatur mirë Guardiola?
– Njerëzit e duan tashmë. Ai ka një plan shumë të qartë dhe e ka ndryshuar skuadrën në aspektin taktik. Disa njerëz apo fragmente të medias nuk ishin të bindur në fillim, por tani janë. Për shembull, kur vendosi Lahmin në qendër të mesfushës, askush nuk mendoi se do të funksiononte, por tani të gjithë bërtasim: çfarë zgjidhjeje e madhe taktike! Pep na ka ndryshuar mentalitetin dhe shpirtin.
– Ku bazohet politika e suksesit të klubit tuaj?
– Pas dështimit në Euro 2000, klubet gjermane u ulën bashkë me federatën dhe krijuan një model të bazuar mbi dy gjëra: investime të mëdha në sektorin e të rinjve dhe blerja e lojtarëve të mëdhenj për skuadrën e parë.
– “Allianz Arena” është gjithmonë plot, por nuk i keni ngritur çmimet, pse?
– E dimë që çmimet në Spanjë dhe Itali janë të lartë, por ne kemi përgjegjësi shoqërore. Duam që njerëzit të vijnë në stadium e të kënaqen dhe të krijojmë atmosferë festive për të gjithë. Ka njerëz që janë të papunë dhe ne duam që edhe ata të jenë në gjendje të bëjnë abonimin sezonal.
– Besoni se është normale të blesh lojtarë 60, 80 apo 100 milionë euro, siç ka bërë Reali?
– Klubet e mëdha kanë gjithmonë detyrimin dhe presionin për të marrë lojtarët më të mirë, duke bërë blerje të mëdha. Sipas fair play-t financiar, klubet duhet të blejnë brenda mundësive që kanë. Madridi bleu Gareth Bale për shumë miliona, por edhe ka shitur shumë mirë. Klubi i ka nxjerrë vetë këto pará. Është e vërtetë që blerje të tilla nuk u pëlqejnë shumë politikanëve në Bruksel, të cilët mendojnë se ekonomia spanjolle nuk duhet t’ia lejojë vetes të tilla gjëra, por Reali nuk ka probleme ekonomike dhe është klub i shëndetshëm financiarisht.
– Cilët shihni si favoritë për të fituar Champions League?
– Është ende shumë herët dhe gjithçka është e mundur. Besoj se skuadrat angleze mund ta fitojnë, Chelsea, City, United apo Arsenal. Nga spanjollet është Reali dhe Barça. Nuk duhet nënvlerësuar Paris SG, që është rritur shumë, ndërsa nga italianet Juventus e Napoli janë mjaft të rrezikshëm. Sigurisht, jemi edhe ne gjermanët, kjo është e qartë.

Karl Heinz,lojtari idhull i femijerise sime, nje sportist shembullor dhe profesionist i arrire, tani po tregon se eshte edhe nje manaxher me nje disipline te hekurt dhe sens ekonomik. Drejtuesit e sportit kane nje shembull qe duhet ndjekur, nese duan nje sport te paster e cilesor si ai gjerman, ose nese duan te zvarriten le te ndjekin modelin italian.Dyshja e tij me Altobelin tek Interi, Feler me Renato tek Roma, Kareka dhe Maradona tek Napoli jane endrra te paperseritshme.