Partizani: Akti terrorist i tifozave të Tiranës na kërcënoi jetën

Edona Llukacaj

Pas incidenteve të ditës së dielë në stadiumin “Selman Stërmasi”, para derbit mes Tiranës dhe Partizanit, klubi i futbollit të Partizanit ka reaguar ashpër.

Në lidhje me këto incidente për të cilët 9 persona u proceduan dhe nga këta një u arrestua dhe dy të tjerë u shpallën në kërkim, klubi i “Demave të Kuq”, nëpërmjet një deklaratë, pretendon se aktet e dhunshme ishin planifikuar nga një pjesë ë tifozëve të Tiranës në bashkëpunim me administratorët e stadiumit “Selman Stërmasi” kundër tifozëve të Partizanit.

Reagimi i plotë i klubit të futbollit Partizani:

Klubi i Futbollit Partizani denoncon fuqimisht aktet e ndodhura në takimin Tirana – Partizani, i vlefshëm për javën e 6-të të Kategorisë Superiore. Për të disatën herë klubi pritës vazhdon të dështojë në organizimin dhe mbarëvatjen e takimeve derbi. Përtej shfaqjes së banderolave skandaloze, agresionit fizik ndaj tifozerisë së kuqe, hedhjes së sendeve të forta dhe koreve ofenduese, këtë herë është kapërcyer çdo element i sigurisë së organizimit të një aktiviteti sportiv. Një akt i vërtet terrorist i mbetur në tentativë rezultoi të ishte parapërgatitur nga një pjesë e tifozerisë pritëse, e cila do të ishte e pamundur të organizohej pa bashkëpunimin (në rastin më të mirë pasiv) të administratorëve të stadiumit “Selman Stërmasi”. Instalimi i një sasie të konsiderueshme eksplozivi pranë sektorit të mbështetësve të Partizanit konsiderohet një vepër e mirëmenduar kriminale, e cila shënjestron drejtpërsëdrejti jetën dhe shëndetin e të gjithë të pranishmëve dhe posaçërisht të lojtarëve të skuadrës sonë. Klubi e konsideron të papranueshëm faktin që për këtë akt, i cili nëse do të ishte realizuar mund të shënonte një tragjedi me përmasa të frikshme, nuk ka asnjë reagim apo distancim nga KF Tirana si klub organizator i ndeshjes dhe si administratore e stadiumit “Selman Stërmasi”. I bëjmë thirrje organeve ligjzbatuese që të hetojnë plotësisht këtë vepër të rëndë kriminale dhe të vënë përpara përgjegjësisë organizatorët dhe bashkëpunëtorët e këtij akti të paprecedent./ TCh

e.ll./dita

Share This Article
3 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *