Rreziku hidrologjik dhe digat

Ornela

Ing. Niko Naska

 Vendi ynë për natyrën e veçantë fiziko-gjeografike të territorit, ka një rrjet të zhvilluar ujor të përbërë nga përrenj, lumenj, burime ujore, dete Adriatik e Jon dhe si elementë të rinj në hidrografinë e Shqipërisë janë edhe ujëmbledhësit së bashku me sistemin e kanaleve ujitës.

-Relievi (gjeografia) i pellgut ujëmbledhës të rrjetit hidrografik është i thyer dhe përbëhet nga prania e tre formacioneve kryesore morfometrike:

-Zonës malore

-Zonës kodrinore

-Zonës së ulët bregdetare.

Kjo përbërje kushtëzon përmasat hidromorfometrike të objekteve të ndryshme ujore të territorit të vendit tonë si dhe regjimin hidrologjik të tij.

Relievi i lartë i territorit hidrografik të vendit tone ndikon në mënyrë të dukshme si në procesin e formimit të rrjedhës ujore ashtu edhe në shpërndarjen e saj në hapësirë dhe në kohë.

Gjeologjia e territorit hidrografik të vendit tonë është e re. Ajo i përket periudhës terciale. Në këtë periudhë krahas ngritjes dhe rrudhosjes te pjesëve të veçanta të territorit kanë ndodhur edhe shkëputje tektonike të cilat e kanë ndarë territorit e vendit tonë në blloqe të veçanta. Këto blloqe i janë nënshtruar lëvizjeve neotektonike të diferencuara ulëse dhe ngritëse duke formuar vargmalet e larta e luginat që shtrihen ndërmjet tyre, rrafshnaltat dhe ultësirat e brendshme si dhe fushat e ulëta bregdetare. Ky konfiguracion i relievit kushtëzon edhe shpërndarjen e rrjetit të përgjithshëm hidrografik të vendit tonë. Krahinat malore veriperëndimore dhe zonat e alpeve, që përfaqësojnë pjesën veriore, ku gjenden pellgjet ujëmbledhëse të lumit Drin dhe të liqenit të Shkodrës, në përgjithësi, karakterizohen nga struktura gjeologjike me rrudha të qeta e të gjëra antiklinale, të përbëra kryesisht nga shkëmbej gëlqeror me zhvillim karstik.

-Pedoloqjia e sipërfaqes së territorit hidrografik të vendit tonë është komplekse gjë e cila ndikoi në natyrën e regjimit hidrologjik dhe kryesisht në procesin e formimit të rrjedhës së ngurtë.

Zonat tokësore të territorit hidrografik të vendit tonë nga veçantia e tyre pedologjike janë të përafërta me krahina të tjera të Europës.

Digat

Digat janë objekte në përbërje të veprave hidroteknike me një ose disa destinacione. Vetë digat shërbejnë për ngritjen e nivelit të ujit dhe formimin e rezervuarëve duke bërë të mundur rregullimin e rrjedhës natyrale dhe plotësimin në kohë e në cilësi të kërkesave për ujë të konsumatorëve të ndryshëm si në prodhimin e energjisë elektrike, bujqësisë, blegtorisë.

Furnizimin me ujë të pijshëm të qendrave të banimit. Furnizimin me ujë të industrive të ndryshme, aktiviteteve sportive, turizëm të brendshëm etj. Në saj të rezervuarëve ujore krijohen kushte për zhvillimin e kultivimit të peshkut, të transportit ujor etj.

Po të kihet parasysh se uji është një nga elementët më të rëndësishëm jetësorë për njeriun, florën, faunën dhe mjedisin dhe rolin parësor që luajnë digat me rezervuarët e tyre në sigurimin e burimeve ujore, ndërtimi i tyre edhe në të ardhmen është i padiskutueshëm.

Nga ana tjetër ndërtimi i këtyre objekteve mbetet gjithmonë një ndërhyrje në ekuilibrin natyrorë dhe krijimin e një ekuilibri të ri, i cili për të qenë i qëndrueshëm kërkon masa teknike, cilësore dhe të sigurta. Këto masa fillojnë që në konceptimin e digës, projektimin, ndërtimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen, pas vënies në shfrytëzim të saj dhe të nën/objekteve që lidhen me të. Në rrethana të caktuara, në momente të caktuara për shkaqe të shumta, diga nga burim i të mirave materiale mund të kthehet në burim fatkeqësish me pasoja të rënda në njerëz dhe në vlera ekonomike të konsiderueshme.

Përvoja botërore ka treguar se si rezultat i prishjes së digave kanë ndodhur katastrofa të rënda të shoqëruara me humbjen e jetës të mijëra njerëzve dhe dëme të pa llogaritshme materiale. Në vlerësimin e dëmeve duhet patur parasysh se me prishjen e digës dhe zbrazjen e rezervuarit objekti pushon se qeni burim uji duke paralizuar kështu aktivitetin ekonomik për të cilën është ndërtuar.

Fatkeqësi të kësaj natyre nuk kanë kursyer as vende të zhvilluara, përvojë e traditë të madhe në fushën e digave të cilat disponojnë metoda dhe teknikë llogaritëse të përparuara, kanë mjete dhe teknologji ndërtimi ndër më të mirat e kohës si dhe një kulturë të lartë shfrytëzimi e mirëmbajtje e megjithatë kanë pësuar dëme të konsiderueshme nga prishja e digave.

Në vendin tonë, projektet e të gjitha digave janë hartuar nga inxhinierët tanë. Nuk kemi patur dëmtime dhe prishje deri në provokimin e katastrofave. Kjo jep arsye për të përgëzuar specialistët e projektimit dhe të ndërtimit të digave të cilët me punën e mirë të tyre kanë bërë që vendi ynë të jetë anëtar i ICOLDIT-it (Komisioni Ndërkombëtar i Digave të Mëdha).

-Komisioni Ndërkombëtar i Digave të Mëdha është krijuar në vitin 1928.

Vendi ynë si anëtar i ICOLD që nga viti 1964 zë një nga vendet e para për sipërfaqen dhe numrin e popullsisë në raport me digat e larta të ndërtuara. Ai zë vendin e 18 për nga numri i përgjithshëm i digave, vendin e 20 për diga me lartësi mbi 30 ml, vendin e 43 për diga me lartësi mbi 60 ml dhe vendin e parë për treguesin digë/100 00′ banorë ose 9 diga/100 00 banorë.

-Në vendin tonë janë ndërtuar 654 diga të cilat plotësojnë kushtet për të qenë diga të mëdha. Brenda numrit të digave të mëdha plotësojnë kushtet e ICOLD 306 diga.

-Diga e parë e madhe në vendin tonë është ndërtuar në vitin 1957 me vënien në shfrytëzim të digës së liqenit të H/C të Ulzës.

-Diga e madhe e fundit është ndërtuar në vitin 1998 me vënien në shfrytëzim të ujëmbledhësit të Bovillës.

-Diga e madhe në të cilën janë ndërprerë punimet e ndërtimit, që përbën një rrezik potencial për banorët që ndodhen në bjefin e poshtëm e për pasuritë e konsiderueshme që ndodhen në këtë bjef, është diga e kompleksit H/Energjetik të Banjës, e cila është në administrim të DPUK dhe investitore e Ministrisë së Rregullimit të Territorit e Turizmit.

Gjeografia e digave të ndërtuara në vendin tonë ka qenë e diktuar nga këto faktorë:

-Shpërndarja e popullatës në territorin e vendit -Aktiviteti ekonomik në përshtatje me politikën ekonomike të kohës -Kushtet natyrore (relievi, gjeologjia, pasurit ujore, vendndodhja e materialeve të ndërtimit, infrastruktura e rrugëve të transportit etj).

Rrezikshmëria dhe vulnerabiliteti

Siç u shprehëm edhe më lartë, objektivi është që të sensibilizojmë rrezikshmërinë që vijnë nga ujërat me qëllim ruajtjen e mirëqenies shëndetit human të individëve dhe komunitetit, të objekteve, social- ekonomike dhe pasuritë e tyre. Kjo do të arrihet, sigurisht brenda kuadrit të zhvillimit të qëndrueshëm duke marrë masa në përmirësimin jo vetëm të menaxhimit të ujit, ruajtjen e ekosistemeve të tij, por edhe nëpërmjet parandalimit, kontrollit të sëmundjeve transmetuese përmes ujit, parandalimit të çarjeve të digave, shkarjeve të shpateve etj.

Nëpërmjet ujërave sipërfaqësor të ëmbël, ujërave nëntokësorë, ujërave në grykëderdhje, ujërave të mbyllur, rezervuarëve, liqeneve dhe deteve transmetohen sëmundje të ndryshme. Kështu nëpërmjet furnizimit adekuat me ujë të pijshëm që përbën parazitë dhe substanca të ndryshme do të kemi një rrezik potencial për shëndetin e publikut. Ndërsa nga mungesa e rrjetit hidrografik apo nga mos sistemimi i këtij rrjeti në periudhën e dimrit lumenjtë dalin jashtë shtratit të tyre duke shkaktuar përmbytje të zonave përreth, rrezik dhe fatkeqësi të ndryshme të banorëve që jetojnë në këto zona në periudhën e verës për mungesë të veprave ujitëse toka thahet duke shkaktuar dëme të mëdha në prodhime të ndryshme bujqësore.

Pra rrezikshmëria shkaktohet:

  • Nga reshjet e shumta të cilat shkaktojnë përmbytje dhe katastrofa të mëdha.
  • Nga mungesa e veprave hidroteknike mbrojtëse, mungesa e pendëve dhe masat për mbrojtjen e tokës nga gërryerjet.
  • Nga mungesa e argjinaturave të lumenjve me penda gjatësore për të përballuar plotat e parashikuara në projekt.
  • Nga mungesa e theksuar e hidrovorëve.
  • Nga ndërhyrja pa leje, pa kriter në veprat ujitëse e kulluese në hidrovoret përkatëse dhe në linjat elektrike që vënë në punë këta hidrovore, në sistemet e drenazhimit, etj.
  • Nga shfrytëzimi pa kriter i lumenjve për marrjen e inerteve në brigjet e shtretërit e tyre.
  • Nga mungesa e studimeve të mirëfillta për mbrojtjen, shfrytëzimin dhe administrimin e veprave ujore.
  • Nga mungesa e koordinimit të të gjitha strukturave për të qenë në gatishmëri ndaj parandalimit të përmbytjeve e katastrofave.
  • Nga prishjet e digave, si rezultat i ujit të rezervuarëve që ata akumulojnë, shkaktohen katastrofa të rënda të shoqëruara me humbjen e jetës së mijëra njerëzve dhe dëme të shumta materiale. Në vlerësimin e dëmeve duhet të merren në konsideratë edhe ajo që me prishjen e digës dhe zbrazjen e rezervuarit objekti pushon së qeni burim uji duke paralizuar aktivitetin ekonomik. Kështu prishja e digës së hidrocentraleve nxjerr jashtë pune vetë hidrocentralin. Kështu veç humbjeve në njerëz dhe dëmeve materiale që shkaktohet nga uji do të kemi dhe humbje të mëdha ekonomike nga mungesa e energjisë elektrike që prodhonte ky hidrocentral. Po kështu po të prishet diga e Bovillës veç humbjeve në njerëz dhe dëme materiale që shkaktohet nga uji do të kemi edhe mungesën e furnizimit me ujë të banorëve të Tiranës dhe dëme ekonomike në industritë e ndryshme që lidhen me ujin e këtij burimi.

Shembuj të tillë janë të shumtë edhe për digat e bujqësisë, dambat e industrisë etj, prishja e të cilave krahas humbjeve në njerëz dhe dëmeve materiale shkaktojnë dëme ekonomike për destinacionin që janë ndërtuar.

Siguria e popullatës

Në vendet e zhvilluara me densitet të madh të popullsisë, të tilla si Austria, Franca, Gjermania, Zvicra, Japonia etj., ekzistenca e një administrimi kompetent dhe e një rrjeti të efektshëm komunikacioni ka lehtësuar zhvillimin dispozitivave efikase të alarmit. Në rajonet më pak të populluara është e vështirë të vendoset një sistem i tillë alarmi, me gjithë ekzistencën e një administrimi kompetent.

Rreziqet e jashtme digat

Për sa më sipër, si dhe duke ju referuar të dhënave dhe informacioneve të marra nga shfrytëzuesit dhe administratorët e veprave të H/centraleve, bujqësisë e industrisë rezulton se rreziqet e jashtme të digave vijnë për këto shkaqe:

-Koha e gjatë e shfrytëzimit të veprave hidroenergjetike dhe të bonifikimit për një periudhë 20-50-vjeçare ka ndikuar në ndryshimin e vetive fizike të materialeve të ndërtimit të tyre, si dhe të strukturës të këtyre materialeve.

Kështu betonet e disa digave kanë ndryshuar vetitë fiziko-mekanike në drejtim të dobësimit të vetive e të cilësisë mbajtëse të tyre, në bërthamën e argjilit disa pjesë të tyre kanë rezistencë elektrike specifike të dobët për rrjedhojë kanë shpejtësi të zvogëluar të valëve sizmike në krahasim me pjesët e tjera të digës, kanë filtrime të ujit në disa struktura jo homogjene etj. Koha e gjatë e shfrytëzimit të këtyre veprave ka ndikuar edhe në kapacitete hidrike të tyre mbasi rezervarët e ujit janë mbushur me sendimente të ngurta, sasia e të cilave është e pa përcaktuar.

Gjithashtu vlen të theksohet se në brigjet e liqeneve të disa prej këtyre veprave ka rrëshqitje disa prej të cilave janë aktive duke rrezikuar së tepërmi jetën e familjeve që banojnë në bjefin e poshtëm dhe të defekteve e pasurive të ndryshme që ndodhen në këtë bjef.

-Nga mungesa e pajisjeve monitoruese apo mos përdorimi i atyre që ekzistojnë, nuk njihet gjendja aktuale e nën objekteve kryesore të këtyre veprave. Mungesa e pajisjeve pjezometrike për kontrollin e gjendjes së perdes së çimentimit në shtratin e lumit, sjell mos njohjen e parametrave të filtrimit në bazamentin, po kështu mungesa e puseve pjezometrike në shpatullat e digës sjell mungesën e informacionit për gjendjen hidrogjeologjike të shpatullave të digës të cilat mund të sjellin rreziqe të situatave emergjente.

 

Share This Article
2 Comments
  • Lekundjet sizmike vazhdojne , dimrin dhe kapricot e kohes i kemi perpara , si dhe te tjera fenomene te njohura e te panjohura , ende te pa provuara .
    A ka qeveria e pushteti lokal plane masash te zbatushme per perballimin e problematikave e fenomeneve qe kane ndodhur e rejave qe mund te
    ndodhin ? Mendoj se ky artikull eshte dhe sherben si
    nje zile alarmi paralajmerues e zgjues per organet
    vendimarrese e zbatuese , per mbrojtjen e jetes se
    qytetareve te vendit tone , por edhe te pronave,
    objekteve, ambjenteve , etj .etj. .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *