Semaforёt poetikё nё trafikun e metaforave tё Moikom Zeqos

Ornela

Nga Fatmir Minguli

“Dhe grifonёt dinё tё shndёrohen nё muzikё dhe nё libra, mes njёmijё horizonteve me ngjyrё tё pavdekshme dhe efemere”/ Moikom Zeqo, “Grifonё nё shishe”, f.5

Poezia e Moikom Zeqos ёshtё njё kaskadё metaforas konceptuale. Me anёn e tyre Poeti na rikrijon tablonё e botёs
materiale dhe asaj shpirtёrore tё shekullit tonё.

Vangjush Ziko, “Grifonё nё shishe”, f.302

Pulvia et umbra sumus.
Jemi pluhur dhe hije.

Tё shkruash pёr analitikёn strukturore tё librit “Grifonё nё shishe” tё Moikom Zeqos, botuar vitin e kaluar, para sё gjithash, do kuptosh se ndodhesh midis dy pemёve dentrite tё poetikёs moderne.

Pema e parё, ёshtё ajo e simboleve dhe metaforave moikomiane dhe pema e dytё ёshtё ajo e sinestizisё qё ndёrthur sinestizinё e muzikёs dhe atё tё poezisё.

Janё dy pemё tё ndryshme nё pyllin e pafund tё poetikёs sё Moikom Zeqos.

Dhe ky libёr i kushtohet me tё drejtё poetit personalitet tё letrave shqipe, Vangjush Zikos.
Ndёrsa nё shpinёn anёsore tё librit “Grifonё nё shishe bie nё sy shifra romake “III” e bardhё mbi tё purpurtёn rrezatuese, ndoshta njё simbol qё parashikon ardhjen e dy librave tё tjerё, atё qё titullohet “Pёrjetёsi me qira” (IV) dhe libri tjetёr “Golgotё fluturash” (V).
Duke pёrmendur simbolin unё do thoja se ka edhe njё analogji tjetёr me brendinё e simbolit, ёshtё ajo e sinestizisё. Nёse simboli ёshtё bashkimi i dy fjalёve “sin” dhe “ballei” qё na japin kuptimin e njёkohshmёrisё tё reales me imagjinaren e saj, nё fjalёn sinestizi kemi bashkim tё dy fjalёve po nga greqishtja, ashtu si te simboli, syn ( sё bashku) dhe ai sthanestai ( sens perceptimi).
Ёshtё njё kohё e gjatё qё Moikom Zeqo e ka pёrdorur kёtё figurё letrare nazike, tё brishtё, nё poezitё dhe nё prozёn e tij.
Ai ёshtё avangardi i pёrdorimit tё kёsaj figure kaq tё jashtёzakonshme sepse me kёtё figurё ai pёrdor tё pesё senset e perceptimit.
Dhe nuk ёshtё “pronё” e shumё poetёve.
Bodleri nё librin e tij “Korespondencat “ ka shkruar se nё botёn e natyrёs “profumet, ngjyrat dhe tingujt tё pёrgjigjen.”
Pra me fjalё tё tjera kuptojmё se ekzistojnё raporte sekrete, analogji tё thella midis dimensioneve tё ndryshme tё realitetit.
Ndёrsa Rembó shjkon mё larg se Bodleri, ai nuk kufizohet pёr t’iu pёrmbajtur faktit qё ekzistojnё korespondenca midis fenomeneve natyralё dhe lartёsive kulturale.
Pёr Moikom Zeqon, nё librin “Grifon nё shishe”, kalon akoma mё tej, duke pёrdorur sinestizinё intuitive qё ekziston nё muzikё dhe e lidh atё me sinestizinё poetike tё fjalёve dhe tё metaforave nё veçanti.
Tё ndёrtosh njё libёr tё ri e me koncepte tё reja nuk ёshtё aq kollaj, sidomos nё kohёt e sotme ku pyjet me xhungla tё internetit kanё pushtuar si nё filma fantastikё çdo trotuar tё poezisё sё vёrtetё.
Por Moikom Zeqo me kёtё libёr tё trondit sepse ai hidhet lart, fluturon me grifonёt e hershёm mbi kёto pyje tё internetit, facebookut, blogjeve tё pafundёm, dhe zbaton rregullat e semaforit poetik nё trafikun kozmik tё metaforave.
Ai fillon “ luftёn “ me veten e tij, konsultohet paqёsisht dhe pastaj vendos pёr tё ndёrtuar njё vepёr tё plotё jetёsore tё cilёn nuk e mbёshtet duke ndёrtuar me ndihmёn nga jashtё por duke gjeneruar gjendje shpirtёrore poetik nga brenda tij.
Ai realizon Aventurёn e Udhёtimeve tё Infinitshme tё Poezisё.
Kjo alkimi pёrdoret nga ai pothuaj nё tё gjithё librat qё ai ka botuar.
Qё nё faqet e para tё vёllimit “Grifonё nё shishe” Moikom Zeqo ka botuar poezinё “Katedralet nё flakё” shkruar nё 21 janar 1995.
Pёrse kjo poezi, njё profeci apo lojё brenda aventurave tё poezisё sё Mokiom Zeqos, i cili as nuk e ka ditur se Notre Damё de Paris do pёrfshihej nga flakёt nё vitin 2019.
Eshtё pa tjetёr aventura poetike se i gjithё ky libёr i ri ёshtё njё aventurё.
Dhe poeti vihet nё pragun e dilemёs e cila ёshtё gjithmonё nё rritje e nё shumime tё njёkohёshme.
Nё poezinё “Klepsidra e ёndrrёs”, poeti vuan nga dilemat e gjetjes sё zgjidhjeve qё pёrmenda mё sipёr:

Si ta gjej, si ta gjej ekuilibrin e ankthshёm, mes thyerjes dhe harmonisё, mes muzikёs dhe klithmёs, mes hirit dhe yllit tё ndezur?

Edhe nё shumё poezi, poeti i drejtohet muzikёs si e kundёrta e klithmёs, i drejtohet pentagrameve tё cilёt me shenjat simbole-solfezhi janё njёkohёsisht gjuhё e pёrkorё, e tjetёrllojtё me simbolet dhe ato vetё, pentagramet janё sinestizi.

Moikom Zeqo na sjell Igor Stravinskin, tё ndaluarin e madh nё kohёn e monizmit, muzika e tё cilit ёshtё plotё maja sinusoidesh e humnera tё matricё tё majave, tё cilat kthehen nё metafora tё pushimit, qetёsisё, klithmёs, befasisё dhe dridhjeve tё ajrit bashkё me tё zemrёs.
Midis kёtyre elementёve sinusoidalё ёshtё heshtja ajo qё pёrbёn sinonimin e boshllёkut.

Prandaj Moikomi nё poezinё “Frutat afrozisiake” shkruan si askush tjetёr:

Dhe heshtja me kёmbёt nё njё karrike!
Po tё ecё do tё gjёmojё gjithёçka!

Por mё tej shpёrthen sinestizia:

Dhe pastaj mjalti i legjendёs mpikset i florinjtё nё shekuj!

Legjenda e Apianit.

Duke lexuar poezitё e vitit 1999, tё botuar nё kёtё libёr ndeshemi edhe me mistikёn moikomiane.
Mistika pёr Moikom Zeqon nё udhtimin e tij poetic ёshtё si ata konduktorёt e trenave kozmikё qё nuk tё kёrkojnё biletё.
Heshtja dhe mistika janё udhёtarёt qё shoqёrojnё poetin nё kёto hapёsira jashtё tokёsore atje ku ai pyet:

Si tё bёj dialog me zёrat e mёllenjave tё bardha?
Dhe tingujt ngrihen rreth meje si shtylla dorike prej
mermeri!

Mёllenjat e bardha

Dhe poeti mendon e mendon dhe befas e ndjen veten para pikёpyetjeve qё dalin nga brend]sia e qenies sё tij dhe qё nё mёnyrё tё pakuptueshme shpёrthejnё nё botё tё tjera.
Nё poezinё “Kopёshti i dijeve tё vjetra” moderniteti i Moikom Zeqos ёshtё shpёrthyer nga tё katёr anёt, ashtu siç nuk e kemi parё ndёr poetё tё tjerё.

Zukatni gjinkallat lasgushiane me parashikime tё kobshme:

Me trenin e mjegullave mbarten poetёt e vdekur!
Vajtojmё nё kopshtin e humbur tё ideve tё vjetra!
Nёn tokё do tё grinden befas dhe martirёt e mёdhenj dhe tё harruar.

Heshtja e poetit ёshtё ndryshe nga heshtjet e tjera, ёshtё njё metaphor e gjallё apo burimi i lindjes sё metaforave.
Ai shkruan se njё merimangё kujtese thurr me flokёt e mi gracka pёr metafora tё harruara
Dhe mё tej ai i konsideron metaforat si tё fshehura apo metafora qё flasin nё mbretёrinё e Heshtjes:

Mbi ikonat e drunjta tё Bizantit
Kanё mbirё sythe tё çuditёshme.
Ca metafora janё jaka tё bardha
Pёr qafat e boshёsisё, pёrtej meje!

Buzёqeshjet e tё vdekurve

Pёr Moikomin metaforat janё qenie qё jetojnё nёn pushtetin e metamorfozёs, njё shndrim qё nuk ka kufinj.
Ai sheh Migjenin i cili qёndron nёn diellin e kaluar qё ai jetoi dhe lёshon hijen e tij tё gjatё prej fantazme tё Remboit.
Me kёtё parabolё, Moikom Zeqo flet me krenari pёr Migjenin, Migjenin e heshtur dhe Migjenin pothuajse tё harruar, por jo nga tё gjithё.
E cili shkrimtar, poet shqiptar i ka thurur vargje Migjenit tё brishtё, kaq shumё vargje, kaq shumё poezi, disa libra?
Vetёm Moikom Zeqo.

Po kujt nuk i kёndon Moikom Zeqo!
Durrёs!
Aty ku ai ka shtёpinё ku ka lindur…:

Shtёpia ime e lindjes nё Durrёs – s’do tё jetё spiranca e Imagjinatёs, – pёr çdo rikthim, – por direku i velave- pёrherё tё hapura – prej erёrave!

Shumё bukur! Shkruar nё mars 2007.

A janё kёto vargje njё psalm?
Ndoshta dhe po, ndoshta dhe jo!
Por psalmet janё tё lidhura me jetёn shpirtёrore dhe shtёpia e lindjes a nuk ёshtё njё vegim shpirtёror?

Por duke lexuar librin “Grifonё nё shishe” do gjesh se aty janё 11 psalme qё fillojnё me numurin 151 dhe mbarojnё me numurin 161.
Mos vallё kёto psalme i japin pёrgjigje poezisё sё mёsipёrme?!

Nё psalmin 160 ai shkruan:

Tani gjysma e kurmit tim ёshtё nё Currila, madje
gjysma prej fёmije!
Ah, idetё m’i ka grishur dhe m’i ka rrёmbyer e Panjohura!
Ç’trajta ka tani e vёrteta, mes kaq peisazheve tё iluzionit.

Tё lexosh poezitё e Moikom Zeqos nё librin “Grifonё nё shishe” ёshtё sikur tё bёsh njё udhёtim poetik nёpёr poezitё e poetёve tё vdekur dhe nё poezitё e poetёve qё nuk kanё lindur akoma.
Ёshtё njё udhёtim poetik midis tё shkuarёs dhe tё tashmes, ku feks e ardhmja, mes antikes dhe modernes, mes mitit dhe realitetit, mes shpirtit tёnd dhe botёs sё gjёrё, mes tё thёnave dhe tё pathёnave.

Kёto tё kundёrta, qё nё dukje janё vёrtetё tё tilla, shprehen pёrmes vetёm njё shpirti poetik tё ekzaltuar, njё shpirti ku pulson fort dhe i shkrin tё gjitha tё kundёrtat nё njё tё vetme.
Ai tё ndihmon tё njohёsh botёn e madhe.
Moikom Zeqo, ky symbolist i hershёm, ndёr tё parёt simbolistё dhe hermetistё tё poezisё shqiptare e ka çuar shumё mё tej konceptin e sinestizisё qё nё fund tё fundit ka tё njetёn strukturё me simbolin por me natyrё tjetёr.

Pёrse Moikom Zeqo sjell kёtё libёr me emrin e grifonit qё dhe ai ёshtё njё simbol mё vete madje shumё i lashtё.
Grifoni dhe sinestizia janё sё bashku se nё brendёsi tё tyre ёshtё e njёkohshmja, perceptimi i njёkohshёm jo vetёm i ndjenjave por dhe i perceptimeve kuptimore.
Por nuk ёshtё thjeshtё grifoni i vetmuar por nё librin e ri tё Moikomit ai ёshtё i futur nё shishe e patjetёr qё Moikomi do ta nxjerrё nga shishja, por jo si nё pёrrallёn e Aladinit.

Me sjelljen e kёsaj figure tё njohur shumё nё vendet e Mesdheut ne mёsojmё mbishtresimin e simboleve se vetё grifoni ёshtё simbol i rojes dhe i vigjilencёs, i perfeksionit dhe i fuqisё, e ndёrkohё ky symbol ёshtё futur nё simbolin tjetёr, nё atё tё shishes.
Ёshtё kjo shishja e mesazheve tё hedhura nё det, duke iu larguar llampёs sё Aladinit, sepse mesazhet e future nё shishe a nuk janё grifonё nё shishe?

Por le tё lexojmё poezinё e kёtij libri “Grifonёt dalin nga shishja”:

Hёna e bёrё shuk si letra e fundit, qё tё shkrova dhe e hodha
pa ta dёrguar kurrё!
Muzgje me kokё zogu fluturojnё dhe pёrplasen me njeri tjetrin nё qiej,
Te njё shishe nё dyshemenё e studios sё librave i kam mbyllur
njёqind grifonёt e mi!
Gishtat e erёrave e hapin Hёnёn, e bёjnё tё lexueshme.
Vallё janё gishtat e tu e dashur?
Dhe grifonёt dalin nga shishja!

` Sipas mitologjisё grifonёt quhen dhe “zjarr i shenjtё”, ç’ka nёnkupton tё gjithё librat e shkruar nga Moikomi sepse grifonёt i kanё tё gjithё bashkimet optimale, dmth, ai pёrbёhet nga trupi i luanit (toka), koka e shqiponjёs (qielli) dhe veshi i kalit (heshtja).

A nuk janё librat e Moikomit me tё tillё pёrmbajtje?
Dhe ai reflekton pambarimisht, reflekton pёr shkrimet e tij duke na dhёnё dashje pa dashje portretin e tij, shkrimet e tij, jetёn e tij.

Lexoni poezinё “Vjeshta, kalorёse me leuçemi”!

U flas me dhembshuri njerёzve
tё plagosur!
Dhe dua tё shpёtoj!
Ashtu siç dua tё shuaj
Tempullin nё flakё!

Çudi! Pse vallё e Vёrteta
Eshtё kaq shpesh funksion i Ireales?
Nёse nga Shёn Maria, lindi Krishti,
Çdo tё lindё nga shkrimi im i ndёrlikuar?

Dhe vjeshta, kalorёse me leuçemi
Kalёron mbi njё kalё tё artё.
Urtёsia i ka braktisur fjalёt
Dhe idetё janё dete tё avulluar.

Eshttё shkruar kjo poezi nё perudhёn 2002-2012.
Dhjetё vjet pёr tё shkrua njё poezi? – do tё pyeste dikush.
Po. Por ёshtё poezi e Poetit tё vёrtetё dhe jo e mediapoetёve, internetpoetёve etj.

Por le tё kthehemi te semaforёt tё cilёt pёr Moikomin nuk janё tё ndodhur vetёm nё hapёsirat kozmike por edhe nё brendёsi tё vargjeve tё tij.
Semaforёt e tij ndodhen edhe nё Eden ku kokrrat e mollёve ( tё verdha, jeshile dhe tё kuqe) tё pemёs biblike janё semaforё metaforikё dhe Moikomi lёshon klithmёn e “ ikjes sё zogjve dhe kujve dhe çdo gjёje qё ecёn nё drejtim tё kundёrt tё kohёs, çdo gjё e tillё, gurёzohet.”
Dhe gjithçka vёrtitet rreth idesё tё ecjes pёrpara, rrugёve poetike, tё pёrhapura nё Kohё dhe Hapёsirё, ku kohёt nuk vrojtohen dhe hapёsirat mbeten tё mjegullta, por poezitё vinё tё kthjellta e jetёgjata.

Por poeti Moikom Zeqo shkruan se:

Ende nё botё
S’ka lindur njё Poet i vёrtetё
Qё kokёn e vet tё prerё
S’e ka mbartur nё duart e tij.

Nuk ёshtё koka- kafkё e Hamletit, ёshtё koka e poetit tё ardhёm…poetit illuminist, i pёrkorё, i pangopur me veprёn e tij, i etur pёr pafundёsitё e kohёs dhe hapёsirёs, ku mistikёn e kёrkon si ujёt nё shkretёtirё, tё jetojё edhe nё shekujt e ardhmё ku vetё poeti ёshtё pa pasardhёs.

Ndoshta dikush mendon se po flitet pёr gjeniun.
Por gjeniu, qenia e tij tregon se ai i ka tё gjitha fuqitё e kozmosit por…njё hapёsirё minimale jetёsore; ndoshta ёshtё grifoni i mbyllur nё shishen e shkrimeve poetike tё Moikom Zeqos!

Por pёr fat tё mirё grifonёt kanё dalё nga shishet dhe kjo vertёtohet me daljen nё dritё tё dy librave tё tjerё poetikё, njeri me titullin “Pёrjetёsi me qira” dhe tjetri “Golgotё fluturash”.
Nё studion e poetit ka akoma mesazhe qё kthehen magjishёm nё libra poetikё.

Durrёs korrik –gusht 2019

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *