Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka çuditur opinionin publik me deklaratën e tij këtë të enjte në Shtëpinë e Bardhë, pak para se të fillonte udhëtimin e tij drejt Floridës.
I akuzuar nga një sërë ligjvënësish në Dhomën e Përfaqësuesve se kishte shkelur kushtetutën, duke kërkuar ndërhyrjen e të huajve për të diskretituar rivalin e tij politik Joe Biden, presidenti Trump tha: “Kina duhet të fillojë hetimet ndaj Biden-ëve. Ajo që ndodhi në Kinë është po aq e keqe sa ajo që ndodhi në Ukrainë”.
Ai shtoi se edhe Ukraina duhet të fillojë “një hetim të madh, nëse ata ishin të ndershëm për këtë”.
Nëpërmes deklaratës që akuzonte për korrupsion Joe Biden dhe të birin Hunter, presidenti Trump, sipas analistëve politikë, ka bërë një thirrje publike të ngjashme me atë të telefonatës private me presidentin ukrainas, e cila ka çuar dhe në hetimin zyrtar për shkarkimin e tij. Pra, presidenti Trump, bëri thirrje sërish për një ndërhyrje të huaj, për të hetuar rivalin e tij politik.
Deklarata e presidentit Trump vjen në një kohë kur i dërguari i posaçëm i SHBA në Ukrainë, Kurt Volker, i cili u dorëhoq javën e kaluar po dëshmon me dyer të mbyllura para tre komiteteve të Dhomës së Përfaqësuesve, raporton Dita, duke iu referuar mediave ndërkombëtare.
e.ll./dita
