Pranvera Kola
Nis konkurimi për studimet master. Aplikimet për regjistrime në ciklin e dytë të studimeve me kohë të plotë “Master i shkencave” dhe “Master profesional” për vitin e ri akademik 2019-2020 në programet e Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës do të vijojnë deri në datën 11 tetor.
Gara për pranimet e reja do të zhvillohet në 23 programe të ndryshme studimi, 11 prej të cilave të nivelit profesional, ndërsa pjesa tjetër në programet e nivelit shkencor. Sikundër ndodh me institucionet e tjera të arsimit të lartë, konkurimi edhe për programet e nivelit të dytë në Ekonomik do të zhvillohet me anë të dosjes.
Kështu, çdo kandidat që ka kryer studimet e nivelit të parë me sukses duhet që deri në afatin e përcaktuar të përgatisë dhe të dorëzojë dosjen e dokumenteve të kërkuara.
Aplikimi
“Dorëzimi i aplikimeve në programet e studimit të ciklit të dytë me kohë të plotë “Master i shkencave” dhe “Master profesional” do të kryhen në Zyrën e Shërbimeve, përballë sallës A204, çdo ditë deri në datën 11 tetor”, konfirmojnë zyrtaret e Fakultetit Ekonomik.
Në dosjen e konkurimit duhet të përfshini diplomën dhe listën e notave të ciklit të parë, dokumentet e identifikimit, dëftesën dhe certifikatat e notave të studimeve të shkollës së mesme, mjet identifikimi, mandat pagesën e regjistrimit, 2 fotografi personale, si dhe vërtetimin e njohjes së një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Evropian, kjo vetëm për rastet në të cilat aplikimet do të bëhen për programet e “Masterit shkencor”.
Gjatë plotësimit të formularit të aplikimit, çdo kandidat duhet që të deklarojë se nuk po ndjek ndonjë program tjetër studimi në institucione të tjera të arsimit të lartë, dhe se nuk do të ndjekë njëkohësisht një program tjetër studimi, deri në përfundimin e programit të studimit në të cilin është duke bërë aplikimin përkatës.
Kriteret për fituesit
Për të gjitha programet e studimit, Fakulteti ka detajuar tashmë jo vetëm kuotat e pranimeve, por edhe kriteret mbi bazën e të cilave do të bëhet përzgjedhja e kandidatëve fitues.
Sipas udhëzimit të miratuar: kanë të drejtë të aplikojnë për programet e ciklit të dytë, kandidatët që kanë përfunduar me sukses studimet dhe janë pajisur me diplomën përkatëse të vlefshme në Republikën e Shqipërisë në një program të ciklit të parë, i cili rezulton i licencuar në momentin e regjistrimit të studentit, dhe akredituar në momentin e diplomimit të studentit, si dhe kandidatët që janë diplomuar jashtë vendit në një program studimi të ciklit të parë, të akredituar.
Në rast pranimi kandidati është i detyruar të kryejë njësimin e diplomës pranë QSHA-së brenda afateve të përcaktuara. Prioritet në përzgjedhje do të kenë kandidatët që kanë kryer studimet e nivelit të parë në degët e Fakultetit ekonomik, e cila ka ngjashmëri me degën e Masterit. Studentët fitues në këtë program do të përzgjidhen mbi bazën e mesatares së arritur në studimet e ciklit të parë (Bachelor).
Nëse pas këtij kriteri do të ketë sërish kuota të lira, përzgjedhja do të vijojë me kandidatët e tjerë që kanë kryer studimet në fakultetet e tjera publike, apo të huaja në degë të ngjashme me atë që kërkohet për studimet e ciklit të dytë.
Nëse edhe pas vlerësimit të këtij kriteri do të ketë sërish kuota të lira, atëherë do tu jepet shans në përzgjedhje edhe studentëve që kanë kryer ciklin e dytë në programet e institucioneve private të arsimit të lartë në vend. sa i takon kushtit të gjuhës së huaj, bëhet e ditur se për kandidatët që duan të ndjekin programet e “Masterit shkencor” duhet që të zotërojnë të paktën në nivelin B 1 (të vërtetuar me dokumentin përkatës) një nga gjuhët e huaja të vendeve të Bashkimit Evropian (anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht).
Kreditet për programet e nivelit të dytë
Programet e studimit “Master i shkencave” pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara teorike, si edhe me aftësim për kërkim shkencor në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen në: programe që realizohen me jo më pak se 120 kredite formimi në vijim të ciklit të parë dhe me kohëzgjatje normale dy vite akademike.
Programet e studimeve “Master profesional” pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara, profesionale në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen me 60 ose 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është një vit ose dy vite akademike. Studimet e ciklit të dytë “Master profesional” përmbyllen me provim përfundimtar formimi ose punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master profesional” në fushën e arsimimit të kryer.
Në programet “Master profesional” mund të garohet për:
- Master Profesional në Studime Ekonomike Evropiane (120 kredite)
- Master Profesional në Menaxhim Turizmi (120 kredite)
- Master Profesional në Marketing (120 kredite)
- Master Profesional në Administrim Publik (120 kredite)
- Master Profesional në Administrim Biznes (120 kredite)
- Master Profesional në Sisteme Informacioni në Ekonomi (120 kredite)
- Master Profesional në Teknologjia e Informacionit dhe Manaxhimi i Proceseve të
- Biznesit (90 kredite)
- Master Profesional në Kontabilitet (120 kredite)
- Master Profesional në Financë, Kontabilitet dhe Auditim (90 kredite)
- Master Profesional në Financë (120 kredite)
Në programet “Master shkencor” mund të garohet për:
- Master i Shkencave në Ekonomiks
- Master i Shkencave në Menaxhim Turizmi
- Master i Shkencave në Marketing
- Master i Shkencave në Administrim Publik
- Master i Shkencave në Administrim Biznes
- Master i Shkencave në Kërkime Operacionale në Menaxhim
- Master i Shkencave në Sisteme Informacioni në Ekonomi
- ) Master i Shkencave në Siguria e Informacionit
- Master i Shkencave në Statistikat Zyrtare
- ) Master i Shkencave në Kontabilitet dhe Auditim
- Master i Shkencave në Financë
- Master i Shkencave në Menaxhim Risku
Dokumentacioni që duhet të dorëzoni:
- Diplomë dhe listë notash të ciklit të parë, të njehsuar me origjinalin.
- Dëftesë pjekurie ose Diplomë dhe Certifikatë notash e shkollës së mesme, të njehsuar me origjinalin.
- 2 fotografi standarde personale.
- Fotokopje mjet identifikimi.
- Certifikata e mbrojtjes së gjuhës së huaj që duhet vetëm për aplikantët për Master të Shkencave.
