Krahas përfitimeve të parakohshme organet e sigurimeve shoqërore kanë detajuar edhe llogaritjet për pensionet e pleqërisë si dhe ato familjare me të cilat do të trajtohen ish-ushtarakët. Gjatë javës që lamë pas ka përfunduar procesi i llogaritjes për caktimin e masës së pensionit që u takon në bazë të ligjit rreth 497 përfituesve të rinj të kësaj shtrese. Bashkëngjitur shkrimit do të gjeni të plotë listën e pensioneve të lidhura për përfituesit e rretheve si: Tiranë, Sarandën e Durrësin, etj.
Sipas ekspertëve të sigurimeve shoqërore, caktimi i pensioneve për këtë kategori është bërë menjëherë sapo organet përgjegjëse kanë depozituar të dhënat e kërkuara mbi vjetërsinë e punës si dhe pagën referuese që do të përdoret gjatë përllogaritjeve për të gjitha shtresat që përfshin kjo skemë. Lidhur me procesin e llogaritjes së përfitimeve organet e sigurimeve shoqërore bëjnë me dije se po vijon normalisht.
Llogaritja e përfitimit varet nga të dhënat që institucionet përgjegjëse do të depozitojnë pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Vetëm pas marrjes së këtyre të dhënave ISSH-ja mund të përcaktojë masën e pensionit të parakohshëm që do të shkojë për secilin aplikues. Në kërkesat e dërguara ministrive Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka kërkuar prej tyre plotësimin e dy formularëve: një për vërtetimin e vjetërsisë së shërbimit dhe të pagës mesatare referuese dhe një për pagën referuese në muajin e lindjes të së drejtës për përfitim.
Plotësimi dhe dorëzimi i këtyre të dhënave nga Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë dhe SHISH-i i hap udhë të menjëhershme procesit të llogaritjes së ndarjes së parave. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar listën e plotë të ish-ushtarakëve që tashmë mund të paraqiten në zyrat e pagesave për të marrë pensionin e rillogaritur. Në javët e ardhshme pritet të zbardhen të tjera përfitime, llogaritja e të cilave është në proces.




