Zëdhënësja pranë Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiç ka deklaruar se “6 tetori ishte një ditë e mirë për demokracinë në Kosovë”.
Në reagimin e saj fillestar pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që u mbajtën në Kosovë, Kocijançiç e vlerësoi si shumë pozitiv faktin se, në këto zgjedhje, votuan më shumë qytetarë se në ato të vitit 2017.
Kocijançiç, në vijim, theksoi se qeverinë e re të Kosovës e presin detyra të rëndësishme, duke përmendur zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, sundimin e ligjit dhe angazhimin për rifillimin e dialogut me Beogradin.
Ajo tha: “Kjo është në dobi të qytetarëve të Kosovës dhe tërë rajonit. BE-ja do të vazhdojë punën dhe bashkëpunimin e saj me Kosovën dhe do të promovojë pajtimin, bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në Ballkanin Perëndimor “.
Bashkimi Evropian dërgoi një mision monitorimi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura në Kosovë, më 6 tetor. Misioni do të paraqesë një vlerësim paraprak më 8 tetor dhe do të publikojë një raport përfundimtar në muajt në vijim./rel
e.ll./dita
