Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vite që vuajnë nga keqmenaxhimi i medikamenteve me përqendrim të lartë kundër dhimbjeve, çfarë ka rezultuar shpesh në varësi, madje jo rrallë edhe në vdekje. Por tashmë fenomeni i substancave të ligjshme, ose atyre që duken si të lighshme dhe që nuk “vrasin” vetëm dhimbjet ka marrë përmasa shqetësuese edhe në Europë.
Në fund të gushtit, në një motel në Queens të Nju Jorkut u gjet i pajetë Andrea Zamperonit, shefi i restorantit të njohur Cipriani Dolci në Grand Central Terminal në Manhattan. Ai ndërroi jetë prej një mbidoze Fentanyl. Ishte ky rast që tërhoqi vëmendjen për herë të parë në Itali për krizën e opiodit, prej së cilës SHBA vuan me vite.
Raporti i këtij viti i OKB mbi drogat thekson rritjen e konsumit dhe efektin vdekjeprurës të Fentanyl dhe medikamenteve të ngjashme, si një fenomen në rritje.
Në SHBA, të paktën qysh nga viti 2016 nuk janë më drogat ilegale, që shkaktojnë shumicën e vdekjeve nga mbidoza, por medikamentet që shiten me recetat nga mjekët. Një ndër këto medikamente është opiod fentanyl, një medikament sintetik që përdoret për trajtimin e dhimbjeve të forta. Të tjera medikamente të këtij lloji janë oxycontin dhe hydrocodon.
Raporti vjetor 2016 i Autoritetit të SHBA-së për Drogat, DEA, paraqiste se në 129 rastet e përditshme të vdekjeve nga mbidoza në vitin 2014, 52 të shkaktuara prej medikamenteve me recetë për trajtimin e dhimbjeve. Këto përbëjnë 40% të vdekjeve nga mbidoza dhe kapin shifrën e 18.980 njerëzve në vit.
Në raportin vjetor 2018 DEA konstaton, se nga mesatarisht 172 raste vdekjesh në 2016 në ditë prej mbidozës, kësaj here 116 kanë vdekur prej medikamenteve qetësues të dhimbjeve. Pra 67%, ose konkretisht 42.000 nejrëz.
DEA përshkruan në raportin e fundit, se shumcia e personave i kanë marrë në mënyrë të pajustifikuar recetat për këto medikamente duke u ankuar për dhimbje të forta koke. Në praktikën e përditshme shumë mjekë në SHBA e japin shumë shpesh opiodin si medikament qetësues të dhimbjeve, madje ua japin atë edhe fëmijëve.
Medikamentet legale me recetë ndërkohë zenë vendin e dytë të drogave më të konsumuara në SHBA. Vetëm Marihuana përdoret më shumë prej amerikanëve, me 18 milionë konsumatorë.
Konsumi i medikamentit qetësues fentanyl është aq i përhapur në SHBA dhe aq fitimprurës, sa këtë e kanë shfrytëzuar edhe kartelet meksikane të drogës dhe kanë nisur të prodhojnë dhe të shesin ilegalisht fentanyl. Ambalazhimi është i rremë por i ngjashëm me atë që shitet legalisht. Por në medikamentin e rremë janë të përziera edhe sasi heroine, kryesisht kokainë si dhe methamphetaminë, që e bën të edhe më të rrezikshëm për konsumatorin. Ky fentanyl ilegal prodhohet në Kinë ose në Meksikë.
Vala ka mbërritur edhe në Europë
Tashmë konsumi i këtij opiodi sintetik ka mbërritur edhe në Europë. Gazeta italiane “La Stampa” (9.10) shkruante, se sipas ekspertit italian të mafies Antonio Nicasio dhe njohurive të autoriteteve italiane, mafia kalabreze ka nisur të importojë fentanyl nga Kanadaja në vitin 2017 dhe ta shpërndajë atë në Europë. “Në Europë një në pesë të rritur ankohen për dhimbje kronike”, shkruan gazeta dhe i referohet tregut potencilal për produkte si fentanyl: “Në Itali opiodet si fentanyl tashmë jepen pesë herë më shpesh me recetë krahasuar me dhjetë vjet më parë.”
“Opiodet sintetike përbëjnë një kërcënim për shëndetin, që duhet marrë seriozisht për shkak të rritjes së numrit të vdekjeve nga mbidoza në SHBA dhe përhapja e tregtisë me fentanyl dhe generikët e tij në Europë”, paralajmëron raporti i sivjetëm i OKB-së për drogat. Në të theksohet gjithashtu, se kjo temë në mediet europiane deri tani nuk ka gjetur vëmendje, “është urgjentisht e nevojshme një vëmendje ndërkombëtare për këtë”.
Normalisht mendohet, që vetëm 10% e drogës së kontrabanduar në nivel ndërkombëtar konfiskohet. Kjo nënkupton që me konfiskimin e një sasie prej 17 kg fentanyl në vitin 2017 në Europën Perëndimore dhe Qendrore, në këtë treg është tregtuar së paku 170 kg.
Sipas raportit të OKB-së “pjesa më e madhe e kësaj lënde të tregtuar ilegalisht e ka prejardhjen nga prodhimi legal i fentanylit”. Kjo do të thotë që duhet të jenë në fokus të kontrolleve rregullisht krahas organizatave kriminale edhe sipërmarrjet që e prodhojnë legalisht fentanylin si medikament qetësues./ DW
e.ll./dita
