Toka në ajër vërtitet,
fiksuar në trajektore,
as nuk bie-as nuk ngjitet,
po bën vetëm dy rrethore.
Toka në ajër vërtitet,
s’ka themele-s’ka çati,
as nuk bie-as nuk ngjitet,
fiksuar tek Dielli rri.
Ku nis rrugën-aty kthehet,
pikat fiks në mes të qiellit,
aty ndrin e aty zbehet,
sipas humorit të Diellit.
Me një të shkurtër kalem,
fati i Tokës u shkrua,
ajo ngrin-ose shpërthen,
një çast Dielli po u shua!
Miliona mund të shkojnë,
ose miliarda vite,
po njerëzit dot s’i shpëtojnë,
asnjëherë asaj dite!
Toka ende s’ka marrë ters,
njëlloj ecën në çdo vit,
po në këtë Univers,
s’është e largët ajo ditë.
As Toka s’bën përjashtim,
në rrjedhat e kohës sonë,
çdo gjë që ka një fillim,
s’mund të zgjasë përgjithmonë!
Njerëzit si Toka vërtiten,
në shekujt e jetës sonë,
që në Kohë llogaritet,
nga sekonda-një fraksion!
S’e kuptoj njerinë e shkretë,
pse më bën kaq karshillëk,
gjersa vërtitet në jetë,
nga boshllëku në boshllëk!
Tokën dot nuk e mbështesim,
themele për të nuk kemi,
ndaj sa lindim gjer sa vdesim,
në ajër si Toka jemi!
Njeri-që këtu jeton,
si ç’linde në ajër mbete,
sa çudi që s’e kupton,
kotësinë e kësaj jete!
Në gjithë shekujt që kanë shkuar,
si guri je bërë i gurtë,
te kjo Botë e ngatërruar,
ku asgjë s’është e sigurtë!
Gozhdë në kokë më është ngulur,
ajo që s’na thanë të parët,
duhet të rrinë kokëulur,
këtu dhe më guximtarët!
Që kur linde-o njeri,
djalli të zuri në leqe,
në boshllëk e kotësi,
s’ke pse bën asnjë të keqe.
Dhe pa qenë akademik,
çdo njeri mund ta kuptojë,
një çast Dielli po u fik,
s’do mbesë kush të na kujtojë.
Gjer në kockë na lodhi Bota,
pislllëku dhe kotësia,
domosdo që janë të kota,
edhe shënimet e mia!
A.DUKA

Eh shyqyr me ne fund te erdhen mendte. E ke gjet tamam, e verteta eshte ne dy vargjet e fundit.
“domosdo që janë të kota,
edhe shënimet e mia!”
Beni mesazhi filozofik ishte pesimist por i bukur. Ke pasaktësi në strofat e para për dijet e tus astronomike se Toka nuk bën dy trajektore. Kryvepra jote është teksti i këngës: Sa herë kaloj pranë një dritare, që me saksi është mbushur plot, gjithmonë fare si padashur, një lule çel dhe një perde lot”. Dmth qëllimi i kësaj jete është Dashuria!