Studimet në 2 fakultete publike njëherësh, “mollë e ndaluar”

anazapta

Dy fakultete njëherësh nuk mund të ndiqen, as në rastet kur njëri prej tyre i përket ciklit part-time. Udhëzimi i nxjerrë pak ditë më parë nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve, mbi hapjen e garës për 8 mijë vendet e reja të pranimeve nëpërmjet formularit A3, përcakton se kandidatët që do shpallen fitues në këtë garë nuk do të mund të vijojnë studimet njëherësh edhe në sistemin part-time.

Në këto kushte, maturantët apo kandidatët e tjerë që aktualisht kanë vijuar studimet në ciklin part-time, edhe pse mund të shpallen fitues në garën me formularin A3, duhet të zgjedhin se në cilën prej formave të studimit do të ndalen, pasi nuk mund ti vijojnë studimet njëherësh në të dyja fakultetet.

“Kandidatët e shpallur fitues në programet e studimit me kohë të plotë (cikli i ditës), nuk mund të regjistrohen për të ndjekur njëkohësisht studimet edhe në sistemin me kohë të pjesshme”, thuhet në udhëzimin e nxjerrë pak ditë më parë nga Ministria e Arsimit, mbi raundin e dytë të fituesve në universitetet publike. Shpallja e listave zyrtare të fituesve nga Agjencia Kombëtare e Provimeve, si dhe vendosja e numrit unik të regjistrimit do të shërbejë edhe për identifikimin e këtyre rasteve. Lidhur me këtë fenomen prej vitesh shumë studentë kanë vijuar studimet e larta njëherësh në dy fakultete, ku krahas studimeve të ditës, kanë vijuar edhe një degë tjetër në ciklin me kohë të pjesshme.

Por, pavarësisht këtij fakti, i cili deri më sot ka mbetur thjeshtë i shkruar në letër, burime pranë Ministrisë së Arsimit bëjnë me dije se janë të vendosur në zbatimin e kësaj pike të parashikuar në udhëzimin :”Për procedurat e pranimit në raundin e dytë dhe regjistrimit të kandidatëve fitues në ciklin e studimeve me kohë të plotë për vitin akademik 2013-2014”. Nuk dihet ende nëse, ky rregull do të prekë kandidatët që kanë nisur gjatë viteve të shkuara studimet njëherësh në dy fakultetet publike. Aktualisht po vijon procesi i plotësimit online të formularit A3, proces i cili do të vijojë deri në mbrëmjen e ditës së nesërme.

Me mbylljen e fazës së aplikimit, sistemi në Agjencinë Kombëtare të Provimeve do të zbardhë edhe listën e kandidatëve fitues sipas kuotave të përcaktuara për çdo program studimi. Lista e fituesve të formularit A3, do të shpallet më 12 nëntor. Për tre ditë me radhë kandidatët që do të jenë pjesë e kësaj liste fituese, duhet të kryejnë procesin e regjistrimit pranë sekretarive mësimore të degës në të cilën janë përzgjedhur. Fituesit duhet të dorëzojnë pranë sekretarive dokument identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë).

Në dosje mbahet vetëm fotokopja e një prej dokumenteve, 2 fotografi, si dhe  mandat arkëtimin e tarifës së regjistrimit prej 1.600 lekësh, paguar pranë zyrave të Postës Shqiptare ose bankave të nivelit të dytë për llogari të universitetit ku kandidati është shpallur fitues”. Agjencia Kombëtare e Provimeve do të dërgojë pranë universiteteve publike brenda datës 10 janar të vitit pasardhës numrat individuale të regjistrimit (matrikullimit) të studentëve të regjistruar”.

 

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *