KQZ Kosovë: Fletëvotimet nga Serbia do të hetohen, të tjerat në QNR

Edona Llukacaj

Pas rastit të kundërmimit dhe shfaqjes së alergjisë të një numër zyrtarësh teksa verifikonin votat e ardhura nga Serbia, Komisioni Qendror Zgjedhor i Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme.

Në vijim, kryetarja e këtij komisioni, Valdete Daka tha se të gjitha zarfet, rreth 3600, që dyshohen për substanca të ndryshme do të qëndrojnë në objektin e ministrisë së Infrastrukturës, ndërsa për votat e tjera të diasporës, mbi 15 mijë të tilla, ajo u shpreh se do të dërgoheshin të hënën në QNR.

Daka tha: “Votat që janë vlerësuar që kanë qenë në hapësirën e mbyllur, KQZ ka vendos që këto vota nesër nën përcjelljen e policisë të dërgohen në QNR meqenëse ato vota nuk janë objekt i hetimit…bëhet fjalë për 15 mijë e 500 zarfe që janë vlerësuar dhe verifikuar”.

Ndërsa për vletëvotimet e ardhura nga Serbia Daka tha se do të rrinë në të njëjtën hapësirë në mënyrë që të mos pengohet hetimi nga ana e policisë. Ajo shtoi se pasi të kryhen hetimet dhe të bëhet vlerësimi nëse janë të rrezikshme ose jo, do të vazhdohet sipas procedurave.

Daka u shpreh: “Këto zarfe që potencialisht dyshohen se ka ndonjë materie apo çkado qoftë do të mbesin në atë hapësirë që të hetohen nga policia dhe forenzika. Ende nuk dihet se posa ka filluar vlerësimi i tyre nuk ka arritë të bëhet asnjë punë, pasi të kryhen hetimet dhe vlerësohen a janë të rrezikshme do të vazhdohen sipas procedurave”.

e.ll./dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *