Mbioferta vështirëson shitjen e banesave në Tiranë dhe bregdet

Edona Llukacaj

Sipas një anketimi të ndërrmarrë nga Banka e Shqipërisë me kompanitë e ndërtimit dhe agjencitë e pasurive të paluajtshme, shitja e banesave në Tiranë dhe në bregdet është vështirësuar këtë vit, ndërsa në zonat e tjera duket të jetë bërë më e lehtë.

Subjektet e intervistuara kanë raportuar për 6-mujorin e parë të 2019-ës një kohë mesatare shitjeje prej 11.1 muajsh ose 1.2 muaj më të gjatë se ajo e raportuar në gjashtëmujorin e kaluar, teksa koha mesatare e shitjes së banesave në rang vendi raportohet të jetë mesatarisht 9.9 muaj ose mbi 1 muaj më e shkurtër se në gjashtëmujorin e kaluar (10.9 muaj) .

Gjithashtu për zonën e bregdetit, koha e shitjes është rritur nga 7.4 muaj në rreth 8.3 muaj, ndërsa për zonat e tjera koha e shitjes është shkurtuar në mënyrë të ndjeshme, nga 13.2 muaj në 9.2 muaj.

Në Tiranë dhe bregdet sipas të dhënave nga lejet e ndërtimit ka një mbiofertë për banesa në raport me fillimin e dekadës.

Në gjashtë muajt e parë të vitit 2019, në kryeqytet janë dhënë gjithsej 205 leje ndërtimi, me një rritje prej 25%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur ishin dhënë në total 164 leje, sipas të dhënave të INSTAT.

Sipërfaqja e lejeve gjithashtu ka shënuar një rritje të fortë. Në 6 muajt e parë të vitit, sipërfaqja  e dhënë për leje ndërtimi në kryeqytet, po sipas INSTAT, ishte 753,087 m², duke shënuar një rritje me 136% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Vetëm në tremujorin e parë të 2019-s, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi ishte 50% më e lartë sesa ajo që u dha për gjithë 6-mujorin e parë 2018. Vetëm në tremujorin e parë u dha për ndërtim një sipërfaqe prej rreth 480 mijë metra katrorë. Në 3-mujorin e dytë, ritmet ranë disi dhe sipërfaqja zbriti në 273,133 m².

Në kryeqytet janë hapur gropat dhe ka filluar ndërtimi i një sërë kullave, si Down Town tek ish-7 Xhuxhat, një kullë me 40 kate. Book Building po ndërtohet pas Sahatit dhe sipas lejes zhvillimore është Godinë Polifunksionale  4, 5, 11 dhe 21 kate. MET Building Tirana, pranë Hotel Dajti do të jetë një kullë 12-katëshe. Syri i Tiranës po ndërtohet në pikëlidhjen mes Rrugës së Kavajës dhe asaj të Durrësit.

Ndërtuesit kanë nisur të hasin shenjat e para të vështirësive që ka krijuar mbioferta teksa kanë pohuar se inventarët po rriten, duke sinjalizuar për vështirësi në shitje. Ritmet e rritjes së kryeqytetit kanë ulur rënien, teksa rënia e lindjeve dhe emigracioni i lartë kanë ulur migrimin e brendshëm./ monitor

e.ll./dita

Share This Article
6 Comments
  • Por cmimet po rriten. Athere si ka mundesi qe apartamentet per shitje jane shtuar ndersa cmimet jane rritur?

  • O Arben…nuk pastrohen parate e pista ne pasuri te patundeshme sepse pallati nuk futrt ne xhep…..si mund te justifikohen burimet financiarete ndertimit? Normalisht ne ate vend nuk funksionojne as tatimet as oastrimi parave….dhe kjo qe thua ti dhe mund te ndodhi

    • me mire vone se kurre.

      ne fund fare, paraja vete nuk eshte e piste si

      kartmonedhe por me pak fjale, duke u lene dore te lire

      drogaxhinjeve dhe hajduteve te buxhetit te shtetit,

      degjenerohet e gjithe ekonomia, mbyllen te gjitha dyert

      per njerezit e punes.

      po populli shqipetar, trim dhe heroik, nuk shqetesohet

      fare per keto gjera, pasi ai ka partine e tij.

      rrofte populli

      rrofte partia

  • Po qe se u pastrokan para duke bërë ndërtime dhe zhvilluar vendin, ku qenka e keqja këtu? A mund ta shpjegojë dikush?

    • Zhvillimi i vendit nuk vjen nga ndertimi i pallateve por nga investimi ne ekonomine prodhuese duke krijuar vende pune ne planin afatgjate , ndersa pastrimi i parase nga kriminelet i ben ata edhe me te fuqishem dhe me pas ata kapin ekonomine formale ku shkaterojne konkurencen e ndershme , njekohesisht blerja e pasurive te patundeshme nga parate e pista ngrejne cmimet dhe e bejne te pamundur blerjen e pronave nga njerezit e ndershem , si mundet ta bleje nje psh mesues me roge 400 euro te bleje nje apartament me vlere 150 000 euro do ti duheshin rreth 30 vjet te mblidhte rogen dhe njekohesisht te mos e shpenzonte per nevojat e perditeshme ne cdo vend normal cmimet e pronave jane ne perpjestim te drejte me te ardhurat , vetem ne Shqiperi ndodhin keto nonsense , sepse asnjehere nuk ka ndodhur qe ato dyqane qe shiten me cmim 5000 euro metri te verifikohen se kush i bleu dhe me cilat te ardhura e ka justifikuar dhe te mendosh se ekzistojne strukturat e krimit ekonomik SHIK etj , deri kur kjo te mos ndodhe do te vazhdoje te punoje lavatricja e pastrimit te parave me kapacitet te plote dhe te ndershmit do te rine e veshtrojne me dylbi pallatet dhe do te shohin endra se nje dite do te behen pronare

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *