Ish-këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë dëshmon mbi çështjen e Ukrainës

Edona Llukacaj

Fiona Hill, ish-këshilltarja e lartë e presidentit amerikan, Donald Trump për Rusinë dhe Evropën, dëshmoi të hënën para Komisioneve në lidhje me hetimin e mbi presidentin Trump për Ukrainën.

Ndonëse dëshmoi me dyer të mbyllura, Hill u mësua të ketë thënë se kishte kundërshtuar me forcë shkarkimin e ambasadores amerikane në Ukrainë, Marie Yovanovitch, dhe se ish-Këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton e kishte udhëzuar atë të fliste me juristët e Shtëpisë së Bardhë lidhur me përpjekjet për presion ndaj Ukrainës.

Sipas tre personave që ishin të pranishëm në dëshminë e zonjës Hill, shkruan NYT, zoti Bolton u përfshi në një këmbim të tensionuar më 10 korrik me ambasadorin amerikan në Bashkimin Evropian, Gordon Sondland, i cili po bashkëpunonte me avokatin e Presidentit Trump, Rudy Giuliani për t’i bërë presion Ukrainës të hetonte demokratët.

Deri para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë në korrik, zonja Hill ishte drejtoreshë për Evropën dhe Rusinë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të zotit Trump, me njohuri direkte për kryerjen e politikës së jashtme amerikane.

Javën e kaluar zonja Yovanovitch, një diplomate karriere e Departamentit të Shtetit, u tha ligjvënësve se zoti Trump e kishte larguar atë nga detyra bazuar në “informacione të pabaza e të rreme”, pasi avokati personal i zotit Trump, Rudy Giuliani kishte kritikuar efektshmërinë e punës së saj në Kiev.

Zoti Giuliani është përpjekur që të vërë në lëvizje autoritetet në Ukrainë që të hetojnë një nga kundërshtarët kryesorë politikë të zotit Trump, ish zëvendës presidentin Joe Biden. Ai ka kërkuar të nisin hetimet lidhur me rolin që zoti Biden ka luajtur disa vite më parë në largimin e një prokurori ukrainas si dhe çdo lidhje që ai mund të ketë pasur me kompaninë ukrainase të energjisë “Burisma” ku djali i tij Hunter Biden shërbente si anëtar i bordit.

Hunter Biden u largua nga bordi i Burisma-s disa muaj më parë. Si Joe Biden ashtu edhe djali i tij kanë hedhur poshtë çdo akuzë për shkelje të ligjit.

Gjatë një bisedë telefonike në fund të muajit korrikut presidenti Trump i pati kërkuar Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy, që Kievi të hetojë zotin Biden dhe djalin e tij si dhe që të komunikojë për këtë çështje me zotin Giuliani si dhe Prokurorin e Përgjithshëm Ëilliam Barr.

Sipas një përmbledhje të zbardhur të bisedës telefonike publikuar nga Shtëpia e Bardhë, zoti Trump i kishte thënë zotin Zelenskiy se:

“Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara ishte ‘problematike’ dhe se njerëzit me të cilët ajo merrej në Ukrainë ishin gjithashtu ‘probelmatikë’. Ka shumë zëra lidhur me djalin e zotit Biden dhe se Joe Biden ndaloi një hetim penal. Shumë njerëz duan të dinë lidhur me këtë… pra çdo gjë që mund të bësh me Prokurorin e Përgjithshëm do të ishte shumë e rëndësishme. Bideni shkoi gjithëandej duke u mburrur se e kishte penguar ndjekjen penale… kështu që a mund ta shihni këtë çështje….pasi mua më tingëllon e tmerrshme”.

Komisioni i zbulimit i Dhomës së Përfaqësuesve është ende në fazat e para të hetimit mbi të cilin do të vendosë për ngritjen ose jo të akuzave zyrtare për shkarkimin e presidentit Trump. Hetimet kërkojnë të hedhin dritë nëse presidenti Trump ka shkelur interesat që lidhen me sigurinë kombëtare amerikane në një përpjekje për të fituar një mandat tjetër vitin e ardhshëm./ VoA

e.ll./dita

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *