Mamografia, “e detyrueshme” për gratë mbi 50 vjeç

J L

Pranvera Kola

Mungesa e kontrolleve të hershme ka bërë që numri i grave të prekura nga kanceri i gjirit në vendin tonë të pësojë rritje nga viti në vit. Gjatë vitit të shkuar janë identifikuar 708 raste të reja të kancerit të gjirit, shifër e cila në të vërtet mendohet të jetë shumë herë më lartë. Autoritetet e shëndetit bëjnë me dije se fatkeqësisht, ende pjesa dërrmuese e të rrezikuarave vijojnë të zbulojnë sëmundjen në stade të rënduara, kur shenjat klinike bëhen të dukshme, çka vështirëson efikasitetin në trajtim. Ndërkohë që, nëse sëmundja zbulohet që në stadet e hershme, mund të trajtohet, duke shmangur kështu ndërlikimet e rënda në shëndetin e gruas. Përballë kësaj situate, si dhe në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka komunikuar gjatë ditës së djeshme se ekzaminimi i mamografisë do bëhet i detyrueshëm për të gjitha gratë mbi moshën 50 vjeç. Kjo rezulton të jetë edhe kategoria më e rrezikuar nga kjo sëmundje.

Programi kombëtar i depistimit

“Program Kombëtar për depistimin e kancerit të gjirit, me vendosjen e mamografisë së detyrueshme për gratë mbi 50 vjeç”, deklaroi dje ministrja Manastirliu gjatë zhvillimit të Forumit të organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik nën moton “Le të veprojmë së bashku për të mposhtur kancerin e gjirit”. Duke theksuar rëndësinë që ka kontrolli periodik i gjirit për të parandaluar në kohë kancerin e gjirit, ministrja tha se falë investimeve në mamografi në të gjithë vendin kemi rritje të diagnostifikimit të hershëm. “Gjatë vitit të shkuar investuam në 5 mamografi në spitalet e Durrësit, Gjirokastrës, Dibrës, Kukësit dhe Vlorës. Po në 2018 u rrit me 50 për qind numri ekzaminimeve. Brenda këtij viti do të plotësojmë me mamografi dhe spitalin e Lezhës dhe brenda 2020 edhe spitalin e Fierit, ndërkohë që shërbimi i mamografive të lëvizshme do ta ofrojë shërbimin edhe në zonat më të thella”, shtoi ministrja Manastirliu. Sipas saj, në ndihmë të kurimit është bërë e mundur edhe trefishimi i buxhetit për përmirësimin e trajtimeve të tumoreve.“Qeveria ka vënë përparësi trajtimin e sëmundjeve tumorale duke investuar mbi 24 mln euro për kurat për trajtimin e tumoreve, duke siguruar akses universal, terapi cilësore dhe shpenzime më të ulta nga xhepi për qytetarët”, tha ministrja Manastirliu. Një tjetër risi është edhe garantimi i shërbimit afër vendbanimit për gratë që vuajnë nga kanceri i gjirit. Në këtë drejtim, është bërë e mundur hapja e njësisë së kimioterapisë në Fier, duke e çuar në 6 numrin e njësive në spitalet rajonale, që kanë ofruar 1800 trajtime falas me terapi të targetuar të herceptinës këtë vit.

Diagnostikimi i hershëm

Megjithatë, theksi vihet tek diagnostikimi në kohë, për të mos shkuar në fazat e vonshme te mjeku. “Pas impelemtimit të programit të Kontrollit Mjekësor Bazë, programit të depistimit të kancerit të qafës së mitrës, tashmë me Programin Kombëtar të depistimit të kancerit të gjirit plotësojmë standardin evropian të programeve të parandalimit në qendër të politikave shëndetësore, duke e kthyer fokusin tek shëndeti dhe jo tek sëmundja”, vuri në dukje ministrja Manastirliu.

Rrezikshmëria nga sëmundja

Kanceri i gjirit prek të gjitha gratë, por rreziku rritet me rritjen e moshës. Përgjithësisht preken moshat mbi 50 vjeç, por kanceri i gjirit mund të shfaqet edhe në mosha fare të reja. Studimet kanë treguar se rreziku për kancerin e gjirit është rezultat i një kombinimi faktorësh. Ndër faktorët më të shpeshtë të rrezikut janë: mosha, historia familjare, ndryshimet në disa gjene, nisja e hershme e menstruacioneve, mbipesha dhe obeziteti, shtatzënitë në moshë të madhe, konsumi i alkoolit dhe duhanit, mungesa e aktivitet fizik, etj. Identifikimi i hershëm i sëmundjes mund të bëhet nëpërmjet kryerjes së këtyre kontrolleve që kanë të bëjnë me vetëkontrollin mujor të gjirit, kontrollin nga një personel shëndetësor, kryerjen e mamografisë, si dhe eko-s së gjirit. Ekzaminim klinik i gjirit është një kontroll i gjirit i kryer nga një personel mjekësor i trajnuar, i cili mund të kapë kancerin në stade të hershme. Ekzaminim klinik i gjinjve rekomandohet të bëhet 1 herë në vit ose së paku çdo 2 vjet. Ndërsa Eko rekomandohet për ato femra që kanë gji të dendur, kanë dëmtim që nuk interpretohet qartë me anë tё mamografisё, kanë mbushje të gjirit me silikon dhe vetëm pak ind mund të përfshihet në mamografi, si dhe ato që nuk mund të ekspozohen ndaj rrezeve X (shtatzëna).

Trajtimi

Kanceri i gjirit është ndër llojet e kancerit pothuajse tërësisht i trajtueshëm. Kanceri i gjirit trajtohet në disa mënyra si: ndërhyrjet kirurgjike, kimioterapia, terapia hormonale, terapia me rrezatim. Mënyra e trajtimit varet nga lloji i kancerit të gjirit dhe se sa është i përhapur ai. Njerëzve me kancer të gjirit shpesh u duhet të marrin më shumë se një lloj të trajtimi. Fatmirësisht, pothuajse të gjitha mënyrat e trajtimit bashkëkohor ofrohen edhe në Shqipëri. Së fundi kanë hyrë edhe preparate të cilat rrisin jetëgjatësinë për pacientët në faza të avancuara. Trajtimet e reja vonojnë progresin e sëmundjes shumë më mirë se preparatet e deritanishme, duke ofruar një mundësi të re për pacientët.

Kontrollet që duhet të kryejë çdo grua janë:

  • Vetëkontrolli mujor i gjirit
  • Ekzaminimi klinik i gjirit nga një personel shëndetësor
  • Mamografia
  • Eko e gjirit

Ja çfarë duhet të dini rreth mamografisë:

  • Mamografia kap kancerin e gjirit në faza shumë të hershme. Mamografia mund të kryhet në çdo kohë, por do të ishte më e përshtatshme që të zgjidhej momenti kur gjinjtë nuk janë të fryrë apo të dhimbshëm si përshembull 3-4 ditë mbas menstruacioneve.
  • Nuk duhet ndonjë parapërgatitje e veçantë për të bërë mamografinë. Kur gratë shkojnë për mamografi, është mirë të veshin bluza me fund ose pantallon, në mënyrë që të lehtësojnë procedurat e ekzaminimit të gjirit. Rezultati i mamografisë zakonisht merret mbas disa javësh.
  • Për gratë që kanë kryer mamografi më parë, këshillohet të kenë filmat e tyre me vete për t’i lejuar mjekut të bëjë krahasimin. Nëse mamografia është normale, duhet vazhduar bërja e saj sipas intervaleve kohore të rekomanduara.
  • Kanceri i gjirit mund të shfaqet në çdo kohë, madje edhe nga një mamografi tek tjetra, prandaj mamografia duhet bërë në mënyrë të vazhdueshme dhe jo vetëm një herë.
  • Nëse mamografia është e parregullt nuk do të thotë gjithmonë se ka kancer. Për këtë duhet të bëhen teste shtesë dhe kontrolli nga një specialist i gjirit apo një kirurg. Kjo nuk do të thotë që ju keni kancer ose keni nevojë për kirurgji. Në çdo rast këshillohet që të bisedoni me mjekun për të mësuar se cila metodë kontrolli është më e drejtë për ju, dhe kur duhet ta bëni atë.
Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *