XHENTILESA / Ambasadori Çorbardt: Ndjesë ndokujt tek-tuk që mund t’i jetë dukur jo normal gjesti im!

redaktor

 

TIRANË – Përmes një shënimi të gjatë dhe të elaboruar, të shkruar me xhentilesën, figuracionin e pasur letrar dhe brishtësinë e frazës që e ka karakterizuar gjithmonë, shefi i Pranisë së ABCD-së në Tiranë zoti Çorbardt kërkoi falje dje për një gjest pothuajse neutral me gisht, drejtuar disa protestuesve aborigjenë shqiptarë.

Zoti Çorbardt shkruan se përderisa ekziston mundësia sado e paktë, që ndokujt ai gjest t’i jetë dukur disi jashtë të zakonshmes, ai është i gatshëm të kërkojë falje.

“Normalisht nuk do më dukej ndonjë gjest jashtë natyrës sime dhe në tejkalim të detyrës që kam si përfaqësues i ABCD-së. Por sikur të ketë edhe 0.5 përqind shanse që dikush, gjithmonë teorikisht flas, të jetë ndier jo komod me gishtin tim të mesit, unë ndoshta edhe do mund t’i kërkoja ndjesë,” shkruan Çorbardt.

“Flasim gjithmonë në rrafshin teorik,” shtoi ai.

Edhe pse tek-tuk ndonjë shqiptari të rrallë, çorba që Çorbardt gatoi me gjestin në fjalë mund të mos i jetë dukur elegante, shefi i Pranisë saktëson se në fakt, ai e ngriti gishtin kur ishte pasdite vonë, madje mbrëmje e plotë.

“Unë punën e mbyll në 4 e gjysmë pasdite. Kështu që edhe në qoftë se më është ngritur gishti instiktivisht, kjo ka ndodhur jashtë orarit zyrtar,” elaboron me elokuencë zoti Çorbardt.

Për më tepër, në traktatin e tij filozofik prej 2 rreshtash e gjysmë në fejsbuk Çorbardt thekson se reagimi mund të ketë ardhur për shkak të ofendimeve të një natyre të thellë personale, që erdhën në adresë të tij nga turma e indigjenëve protestues.

“Unë jam i sigurtë se kur po kaloja atypari, dëgjova me veshët e mi thirrjen ‘Rama ik’. Kjo është totalisht e papranueshme për mua si person dhe si zyrtar i lartë i ABCD-së. Protestuesit kanë të drejtën e tyre të reagojnë kundër qeverisë së tyre, ministrave etj,” shkruan Çorbardt.

“Por ama kurrën e kurrës, nuk mund të toleroj që të më prekin në gjënë më të shtrenjtë,” sqaron ai.

“Çdo gjë e ka një kufi,” përfundon Çorbardt.

 

*****

SHËNIM / Gojët e Liga është rubrikë satirike neutrale ndaj institucioneve alfabetike që gëlojnë nëpër Tiranë.  

 

Share This Article
2 Comments
  • Provokojeni ,provokojeni Ambasadorin e OSBE!Iku koha kur shumica kishte gjithmone te drejte.Edhe kur provokon,edhe kur poshteron.
    Hapi i pare i Edi Rames per te bere shtet,eshte arrestimi i provokatoreve te zotit Borchardt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *