Negociatat/ Lleshaj: Përgjigjia nuk është “Jo” , është “Po” e bllokuar

Edona Llukacaj

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, nga Dropulli, ku inspektoi zyrën e aplikimeve biometrike, iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve në lidhje me negociatat.

Lleshaj e cilësoi politik qëndrimin e Holanës kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë, ndërsa shtoi se kriminaliteti që zhvillohet në Holanda është përgjegjësi e qeverisë vendase.

I pyetur se çfarë përgjegjësie mban qeveria në lidhje me faktin se Holanda është një nga vendet që është kundër hapjes së negociatave për shkak të kriminalitetit, ministri Lleshaj u përgjigj: “Qeveria shqiptare mban përgjegjësi për kriminalitetin që zhvillohet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Kriminaliteti që zhvillohet në Holandë është përgjegjësi e qeverisë së Holandës që të adresohet në thelb”.

Lleshaj shtoi: “Megjithatë, në rastet kur autorë shqiptarë kryejnë vepra kriminale në Holandë, ne ndiejmë një përgjegjësi për të bashkëpunuar me autoritetet holandeze, përgjegjësi të cilën e kemi ushtruar me shumë seriozitet. Mund t’ju them që edhe vlerësimet e palës holandeze, sa i përket bashkëpunimit tonë për të luftuar krimin, edhe në Holandë, janë mjaft pozitive. Qëndrimi i tyre lidhur me negociatat është një qëndrim i pastër politik”.

Një tjetër pyetje drejtuar Lleshajt ishte se në pritje të çeljes së negociatave kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka thënë se do të mbajë përgjegjësi, madje do të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. farë përgjegjësie do të mbajë qeveria shqiptare nëse kemi një përgjigje negative?

Lleshaj u shpreh:  “Në thelb ne kemi një përgjigje pozitive nga 26 vende anëtare të BE, të cilat e mbështesin pa kushte hapjen e negociatave. Në qoftë se është ky diskutim për hapjen e negociatave, diskutimi shtrohet vetëm për një ose dy vende. Ne nuk mund të themi që qëndrimi i dy vendeve eklipson qëndrimin e 26 vendeve të tjera.

Këtu jemi në një situatë që kemi dy qëndrime të kundërta dhe ne sigurisht jemi shumë mirënjohës për të gjitha vendet e BE, të cilat i kanë thënë “Po” hapjes së negociatave dhe këto janë shumica absolute e vendeve të BE.

I pyetur nëse në rast të një përgjigjeje negative, a do të mbajë qeveria zgjedhje të parakohshme, ministri Lleshaj tha: “Nuk kemi një përgjigje negative. Ne kemi një përgjigje pozitive, e cila tentohet të bllokohet me veto nga dy vende”.

Ministri Lleshaj shtoi se arsyeja e bllokimit nuk kishte të bënte më Shqipërinë. Ai tha: “Besoj që do ta keni ndjekur përgjigjen e Presidentit të Francës, i cili tha se na duhet ne kohë kësaj radhe për të menduar. Nuk është çështje e Shqipërisë ose e Maqedonisë së Veriut, por u duhet atyre kohë për të diskutuar çështje që kanë të bëjnë me probleme të brendshme të BE. Ne thjesht jemi ndodhur në këtë moment të papërshtatshëm në derën e BE, ndoshta.

e.ll./dita

Share This Article
7 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *