Si ndahen 3600 bursat për arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm

Edona Llukacaj

Kushtet që duhet të përmbushin nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve për t’u trajtuar me bursë përgjatë vitit mësimor 2019-2020. Rastet kur dhënia e bursës ndërpritet

Bursat për nxënësit, kriteret dhe masa e përfitimit

Sikundër ka ndodhur gjatë viteve të shkuara, edhe për vitin e ri shkollor 2019-2020, qeveria ka planifikuar mbështetjen e nxënësve të arsimit parauniversitar me bursa. Në vendimin e zbardhur dje në Fletoren Zyrtare, përcaktohet se nxënësit që ndjekin mësimin në institucionet arsimore publike të arsimit parauniversitar të përgjithshëm dhe atij profesional do të trajtohen me bursa dhe përfitime të tjera, të parashikuara nga buxheti vjetor i miratuar për ministrinë përgjegjëse për arsimin dhe ministrinë përgjegjëse për arsimin profesional. Për vitin e ri shkollor është aprovuar që të ndahen rreth 3600 bursa, pjesa dërrmuese e të cilave do të shkojnë për nxënësit që ndjekin arsimin profesional.

Afatet dhe numri i bursave për 2019-n

Sipas vendimit të zbardhur, afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave nga njësitë e vetëqeverisjes vendore për të gjitha kategoritë e shkollave është muaji dhjetor. Ndërkohë që deri në nisje të këtij muaji nxënësit duhet të dorëzojnë dokumentet përkatëse për t’u trajtuar me bursë. Për pranimet e reja në vitin e parë në sistemin arsimor publik për nxënësit që ndjekin shkollat profesionale do të jepen 2 400 bursa. Ndërsa për të gjitha kategoritë e nxënësve që ndjekin arsimin parauniversitar, pa përfshirë nxënësit që ndjekin shkollat profesionale, akordohen 1200 bursa. Nxënësve, të cilët nuk frekuentojnë shkollën, apo praktikën profesionale pa shkaqe të ligjshme u ndërpritet menjëherë dhënia e bursës.

Përfituesit e bursave

Katër janë kriteret që do të zbatohen për ndarjen e bursave, e që kanë të bëjnë me: kushtet ekonomike, rezultatet e arritura në vitet paraardhëse, të qenit pjesë e kategorive në nevojë, si dhe ndjekja e degëve të klasifikuara si prioritete. Referuar kriterit ekonomik mund të përfitojnë bursë nxënësit e arsimit parauniversitar që ndjekin procesin mësimor në largësinë mbi 5km nga vendbanimi i përhershëm i tyre dhe që plotësojnë kushtet ekonomike sipas tabelës së detajuar në vijim të shkrimit. Brenda këtij kriteri, bursë do të përfitojnë edhe nxënësit që banojnë në zonat rurale që nuk kanë shkollë 9- vjeçare brenda rrezes prej 5 km dhe që akomodohen në konvikte publike, si dhe nxënësit, fëmijë të familjeve në nevojë, me ndikim në uljen e nivelit të “braktisjes shkollore”, që janë regjistruar në arsimin bazë, por që pamundësi financiare nuk ndjekin arsimin bazë.  Bursë për këtë vit do të përfitojnë edhe nxënësit e arsimit profesional, të cilët kanë mbaruar vitin shkollor paraardhës me notën mesatare 9 deri në 10. Jashtë kriterit ekonomik trajtohen me bursë nxënësit që rrjedhin nga kategoritë në nevojë. Për këtë kategori, në fillim të çdo viti shkollor, por jo më vonë se muaji nëntor i çdo viti, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mbrojtjes, Shërbimi Informativ i Shtetit dhe institucionet e përkujdesjes sociale rezidenciale publike, duhet të dërgojnë në institucionet arsimore ku ata ndjekin procesin mësimor, si dhe në njësitë e vetëqeverisjes vendore përkatëse listën e nxënësve përfitues. Bashkangjitur shkrimit do të gjeni të detajuara të gjitha kategoritë  e nxënësve që do të përfitojnë bursë për këtë vit të ri shkollor. Po sipas vendimit nxënësit nuk përfitojnë bursë, ose humbasin të drejtën e përfitimit të saj, kur: janë ndarë nga trungu familjar, kur familjet e tyre ushtrojnë veprimtari private, si dhe kur deklarohen mbetës apo përsëritës dhe humbasin vitin shkollor për arsye të rezultateve jokaluese. Autoritetet e arsimit sqarojnë se bursat e nxënësve për vitin e parë (klasën e 10) do të shqyrtohen dhe miratohen nga këshilli bashkiak, sipas vendbanimit të përhershëm të prindit/nxënësit, përfitues të kuotës financiare/kuotës ushqimore (bursës). Gjithashtu bëhet e ditur se nxënësit, të cilët kanë përfituar bursë vitin e parë  me vendim të këshillit bashkiak ku ata kanë vendbanimin e përhershëm, të cilëve nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës, e përfitojnë bursën deri në përfundim të viteve të shkollimit. Po ashtu ehe nxënësit e shkollave profesionale, të cilët ndjekin vitin e dytë në drejtimet mësimore bujqësi, veterinari, pyje, ndërtim, peshkim, detari, gjeologjiminiera dhe shpim e shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit, dhe nxënëset (vajza), të cilët kanë përfituar bursë në vitin e parë dhe në vitin shkollor paraardhës nuk rezultojnë mbetës, përfitojnë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit. “Nxënësit, të cilët gjatë periudhës së zhvillimit të praktikës mësimore kanë përfituar bursë nga njësia e vetëqeverisjes vendore, e përfitojnë atë edhe gjatë periudhës së zhvillimit të praktikës profesionale. Bursa jepet në formën e kuotës ushqimore ose të kuotës financiare, në emër të prindit/prindërve ose të përfaqësuesit ligjor, për llogari të nxënësve, të çelur pranë bankave të nivelit të dytë”, detajohet më tej në vendim. Nxënësit, të cilët kanë përfituar statusin ligjor të jetimit, nxënësit e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë dhe të Institutit të Fëmijëve që nuk Shikojnë, përfitojnë çdo vit, falas, veshmbathje, libra dhe fletore, sipas tabelës sw detajuar nw vijim tw shkrimit. Nxënësit e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë dhe të Institutit të Fëmijëve që nuk Shikojnë përjashtohen nga detyrimet e tarifave të shërbimeve të ndryshme, që ofrojnë institucionet shtetërore. Nxënësve, të cilët kanë përfituar statusin ligjor të jetimit, invalidit paraplegjik, tetraplegjik, statusin ligjor të personave që nuk shikojnë, të personave që nuk dëgjojnë, u sigurohen falas akomodimi/fjetja, shërbimi shëndetësor, shërbimi dentar dhe medikamentet pas paraqitjes së librezës, kartës shëndetësore dhe epikrizës, nga qendra spitalore e rrethit. Nxënësit jetimë, të cilët ndjekin procesin mësimor në institucionet publike të arsimit parauniversitar, trajtohen me pagesë suplementare edhe për periudhën e pushimeve verore nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas vendndodhjes territoriale. Po ashtu edhe nxënësit e pakicës kombëtare rome dhe egjiptiane, të cilët ndjekin shkollat e mesme profesionale, përfitojnë falas veshmbathje, libra dhe fletore, sipas kuotës sw  përcaktuar.

1.Masa dhe përfituesit e bursave sipas kriterit ekonomik:

– Nxënësit e arsimit parauniversitar, të cilët ndjekin procesin mësimor në largësinë mbi 5km nga vendbanimi i përhershëm i tyre, që plotësojnë kushtet ekonomike të përcaktuara dhe që akomodohen në konvikte publike

– Nxënësit e arsimit parauniversitar, të cilët banojnë në zonat rurale që nuk kanë shkollë 9- vjeçare brenda rrezes prej 5 km, të cilët plotësojnë kriterin ekonomik, dhe që akomodohen në konvikte publike

– Nxënësit, fëmijë të familjeve në nevojë, me ndikim në uljen e nivelit të “braktisjes shkollore”, që janë regjistruar në arsimin bazë, por, në pamundësi financiare, nuk ndjekin arsimin bazë.

2. Sipas kriterit të rezultateve të arritura do të përfitojnë bursë:

Nxënësit e arsimit profesional, të cilët kanë mbaruar vitin shkollor paraardhës me notën mesatare 9 deri në 10.

3. Jashtë kriterit ekonomik mund të përfitojnë bursë:

  • Nxënësit, të cilët kanë përfituar statusin e jetimit.
  • Nxënësit, të cilët kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë.
  • Nxënësit, të cilët gëzojnë statusin ligjor të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik.
  • Nxënësit, të cilët gëzojnë statusin ligjor që nuk shikojnë apo nuk dëgjojnë.
  • Nxënësit, fëmijë të personit/personave që gëzojnë statusin e invalidit.
  • Nxënësit e pakicës kombëtare rome dhe egjiptiane, të cilët regjistrohen dhe ndjekin arsimin e mesëm profesional.
  • Nxënësit, të cilët janë identifikuar dhe trajtuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë humbur kujdesin prindëror.
  • Nxënësit, fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, Forcave të Armatosura, Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Policisë së Burgjeve, të cilët kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës.
  • fNxënëset (vajza), të cilat ndjekin drejtimet mësimore mekanikë, elektroteknikë, elektronikë, përpunim druri, gjeodezi, shërbim mjete transporti, termo-hidraulikë.
  • Nxënësit me një prind.
  • 4. Sipas kriterit të degëve parësore të zhvillimit ekonomik të vendit përfitojnë:
  • Nxënësit, të cilët ndjekin me kohë të plotë arsimin profesional në drejtimet mësimore bujqësi, veterinari, pyje, ndërtim, peshkim, detari, gjeologjiminiera dhe shpim e shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit.
  • Nxënësit me vendbanim të përhershëm në Dibër, Bulqizë, Mat, Kukës, Has, Tropojë, Pukë, Mirditë, Malësi e Madhe, Librazhd, Gramsh, Kolonjë, Përmet, Skrapar dhe Tepelenë.

Përfitues të tjerë të bursave:

  • Njësitë e vetëqeverisjes vendore, për uljen e nivelit të braktisjes shkollore, për nxënësit që janë regjistruar në arsimin bazë, por, në pamundësi financiare nuk ndjekin arsimimin, miratojnë bursa financiare me përfitues nxënësit, fëmijë të familjeve në nevojë, pas konfirmimit nga mësuesi kujdestar dhe drejtori i shkollës për frekuentimin e procesit mësimor, si dhe nga zyra vendore e arsimit parauniversitar.
  • Njësitë e vetëqeverisjes vendore, për kategorinë e nxënësve që janë regjistruar në arsimin bazë, por, në pamundësi financiare nuk ndjekin arsimin bazë, dhe për uljen e braktisjes shkollore të arsimit bazë, mund të miratojnë dhe të shpërndajnë bursa edhe nga fondet e veta ose nga fondet buxhetore të përfituara në formën e transfertës së pakushtëzuar.
Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *