Ligji dhe drejtësia, çfarë duhet të synojë reforma

Ornela

Prof. Fatos Tarifa

Reformimi i arsimit juridik

Një sistem i mirë drejtësie duhet të ketë ligje të mirë dhe juristë të mirë e të ndershëm që t’i administrojnë këta ligje. Për shkak të rolit të rëndësishëm që luan individi në cilëndo hallkë të sistemit të drejtësisë, reforma në këtë sistem duhet të niste me reformimin e arsimimit të juristëve të ardhshëm, pra me reformimin e arsimit juridik. Të jesh jurist—gjyqtar, prokuror ose avokat—do të thotë jo vetëm t’i njohësh e t’i zbatosh ligjet me përkpikmëri, por edhe të ndash me njerëzit që vuajnë dhimbjen e tyre dhe, mbi të gjitha, të pranosh barrën që të ngarkon besimi i tyre. Parimi ndoshta më i hershëm i drejtësisë, ai talmudist, përcaktonte se, kur “një gjykatës gjykon një njeri, ai duhet të ndihet sikur mbi zemrën e tij qëndron varur një shpatë”. Interesi i përbashkët i shtetit dhe i individit, thoshte Euripidi, kërkon që, si e mira, ashtu dhe e keqja të vlerësohen me drejtësi, ndërsa Konfuci i përmbahej parimit moral se dëmi duhet kompensuar me drejtësi, ndërsa mirësia duhet shpërblyer me mirësi.

Këta parime të lashta u kodifikuan në shekullin e 6-të nga Justinian I në Corpus Juris Civilis, njëri prej dokumenteve më të rëndësishëm, që vuri themelet e së drejtës civile në traditën perëndimore me diktumin: “mos dëmto askënd dhe jepi gjithsecilit atë ç’ka meriton”. Për shkak se në duart e juristëve varen fate njerëzore dhe vetë mirëqenia e racës sonë humane, arsimimi i tyre si ekspertë në çështje të interpretimit të ligjeve dhe veprimtaria e tyre si individë me integritet në administrimin e tyre merr një rëndësi të veçantë. Kjo është shumë e vështirë të arrihet për shkak se, sado të paanshme të jenë ligjet, interpretimi dhe administrimi i tyre në praktikë bëhet nga individë njerëzorë, të cilët jo të gjithë dhe jo gjithmonë mund ose duan të çlirohen nga vlerat dhe interesat e tyre. Siç thotë një jurist dhe botues i njohur në Shtetet e Bashkuara, Mortimer Zuckerman, të praktikuarit e ligjit është ekzaktësisht e kundërta e seksit: edhe kur bëhet mirë është i keq.

Nuk duhet harruar se, para se të bëhen gjyqtarë, këta të fundit janë qytetarë si gjithë të tjerët dhe se, duke u bërë gjyqtarë, ata nuk bëhen as më pak paragjykues, as më inteligjentë. Janë mjaft domethënëse këto fjalë të juristit të njohur amerikan të mesit të shekullit të kaluar, Learned Hand: “Ja tek jam unë, një burrë i vjetër, që më duhet të gjykoj e të dënoj njerëz që mund të mos jenë më të këqinj se unë”. Si e mira, ashtu dhe dëmi që mund t’i vijë shoqërisë prej juristëve janë të jashtëzakonshme. Theodore Roosevelt thoshte se: “Një njeri që s’ka mbaruar shkollën e lartë mund të vjedhë një vagon, por një tjetër që është diplomuar për drejtësi, mund të vjedhë tërë hekurudhën”. Ndërsa Abraham Lincoln u jepte juristëve këtë këshillë: “Ji i vendosur të jesh i ndershëm në çdo rast dhe, nëse nuk mund të jesh një jurist i ndershëm, ji i vendosur të jesh i ndershëm pa qenë jurist. Zgjidh një profesion tjetër”.

Para disa kohësh, autori i parë i kësaj eseje qëlloi të ishte i pranishëm në një intervistë pune për vendin vakant të një pedagogu të drejtësisë në njërin prej universiteteve privatë më të mirë në Shqipëri. Kandidatja vinte nga Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit të Tiranës, ku jepte mësim si pedagoge, kishte fituar gradën “doktor” tre muaj më parë dhe synonte të fitonte titullin “profesor i asociuar” brenda vitit!!! Përveçse kishte një formim profesional shumë të dobët në fushën e saj, kandidatja na habiti me rrëfimin e një të vërtete të dhimbshme: pothuajse të gjitha tekstet me të cilat përgatiten studentët në atë fakultet kanë për autorë pedagogët e tyre. Këta tekste janë fillimi dhe fundi i formimit teorik e profesional të shumicës së juristëve shqiptarë, të atyre që do të punojnë në institucionet e sistemit tonë të drejtësisë; më saktë akoma, të atyre që do të jenë vetë këto institucione.

Kjo, pra mënyra se si i arsimojmë, i kualifikojmë dhe i trajnojmë juristët e ardhshëm është e para gjë nga duhet të fillonte reforma në fushën e drejtësisë. Kjo, në Shqipëri nuk është bërë për njëçerek shekulli dhe gjendja e sotme është, në një masë të madhe, pasojë edhe e kësaj neglizhence kolosale. Gjithçka që u mësohet studentëve të drejtësisë në këtë vend është se si ata të mendojnë si juristë, por jo se si të bëhen vërtet të tillë. Veç bazave mbi të cilat ngrihet institucioni i ligjeve, i të drejtave dhe i sanksioneve, askush nuk mëson në universitet thuajse asgjë lidhur me praktikën reale juridike. Në rastin më të mirë, studentët më të zotë mësojnë se si të marrin dy raste ekzaktësisht të njëjtë dhe t’i trajtojnë ata sikur të ishin të ndryshëm. Me fjalë të tjera, ata, njëlloj si piktorët, mësojnë ta bëjnë të bardhën të zezë. Kjo aftësi, që grekët e lashtë e quanin sofizëm, në një shtet të së drejtës nuk i shërben administrimit të drejtësisë, por interesave klienteliste të njerëzve ekonomikisht e politikisht të pushtetshëm.

 

Gjuha e ligjit dhe edukimi juridik i qytetarëve

Përgjithësisht mendohet se ligje të mirë janë ata ligje që janë mjaftueshmërisht të qartë, të zbatueshëm dhe që përputhen me moralitetin e pjesës më të madhe të popullsisë, që është nën juridiksionin e tyre. Siç shkruante Aristoteli në Politikën e tij, “ligji është rend, dhe një ligj i mirë është një rend i mirë”.

Sa herë bëhen ndryshime në Kushtetutën e vendit (kur këto konsiderohen të domosdoshme), ose në legjislacionin shqiptar, një rëndësi i veçantë i duhet kushtuar mënyrës se si duhen hartuar ligjet. Në hartimin e ligjeve duhet të tregohemi racionalë. Në çdo formë të organizmit politik të shoqërisë, marrëdhëniet mes individëve, mes individit dhe shtetit, si dhe ato mes individit dhe çdo institucioni—përfshirë marrëdhëniet pronësore e ato kontraktuale, të para si raporte mes detyrimeve dhe të drejtave, ose si marrëdhënie interesash—rregullohen me ligj. Pa ligje, ose pa një “kontratë sociale” që të rregullojë të gjitha marrëdhëniet mes individëve si dhe marrëdhëniet mes çdo individi apo komuniteti individësh dhe shtetit e shoqërisë, kjo e fundit thjesht nuk mund të ekzistojë. Por, ndërsa ligjet duhet të jenë fleksibël, me to nuk duhet tepruar. “Teprimi me ligjet”, shkruan Laurence Tribe, profesor i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Harvard-it, “në mënyrë të paevitueshme e dobëson shtetin e së drejtës”.

Nga ana tjetër, gjuha me të cilën formulohen ligjet duhet të jetë qartësisht e kuptueshme dhe jo e huaj për veshët e qytetarëve që kërkohet t’i respektojnë ato. Gjithashtu, që ligjet të respektohen, e para gjë që kërkohet nga ata që janë zgjedhur për të hartuar e miratuar ligjet është që të hartojnë e të miratojnë ligje të respektueshëm. Këtu do të duhej të mbahej parasysh maksima e presidentit Benjamin Franklin, se “ligjet që janë shumë të buta rrallë respektohen; ndërsa ato që janë shumë të ashpra rrallë zbatohen”. Shumë herë është eksperienca dhe jo logjika ajo që u jep përmbajtje e jetëgjatësi ligjeve, duke i bërë ata të respektueshëm nga qytetarët.

Por, një rend demokratik nuk kërkon vetëm ligje të mira e demokratike; këta do të ishin të pamjaftueshëm nëse do të mbeteshin thjesht ligje të shkruar, korpuse tekstesh të njohur vetëm nga ata që i hartojnë dhe i miratojnë. Edhe sot, kur shkollat dhe universitetet shqiptare, si kudo në botë, përpiqen të “prodhojnë” studentë kompetitivë në një ekonomi globale, që çmon veçanërisht matematikën, shkencat dhe arsimin në përgjithësi, edukimi qytetar—dhe, si pjesë e tij, edhe edukimi juridik i masës së gjerë të qytetarëve—mbetet një faktor shumë i rëndësishëm për shëndetin e një demokracie.

Një demokraci e qëndrueshme kërkon qytetarë të informuar, ose, siç shprehej Kanti, një “publik të lexuar”. Jo thjesht qytetarë të arsimuar, por qytetarë të cilët i njohin ligjet që rregullojnë bashkëjetesën e tyre në shoqëri dhe marrëdhëniet e tyre me individë të tjerë, me sipërmarrësit privatë dhe me vetë shtetin. Edukimi juridik është, para së gjithash, detyrë dhe përgjegjësi e çdo qytetari. Për këtë arsye, Thomas Jefferson thoshte se “mosnjohja e ligjit nuk është askund justifikim [për ata që e shkelin atë], përndryshe ligjet do të humbisnin efektin e tyre, pasi kushdo mund të pretendonte se nuk i njeh ato”. Kjo, sidoqoftë, nuk do të thotë se edukimi juridik i të qytetarëve i duhet lënë në dorë vetëm individit. Shkollat dhe universitetet, mediat, gjykatat, bibliotekat, shumë organizata joqeveritare dhe institucione të tjera mund të ndihmojnë në këtë drejtim, duke i reduktuar patologjitë e sferës publike demokratike, për të cilat i pari tërhoqi vëmendjen Platoni me sulmet e tij ndaj retorikës. E para dhe më e pakta gjë që mund të bëhet në këtë drejtim është botimi i çdo numri të Fletores Zyrtare në tirazhe shumë të mëdha, për t’i dhënë çdo qytetari mundësinë që të njihet me çdo ligj dhe me çdo vendim të qeverisë në kohën kur këta marrin fuqi vepruese.

 

Çfarë Kushtetute dhe çfarë ligjesh?

I pari ligj që kërkon ndërhyrje substanciale është ligji themeltar i Republikës—Kushtetuta. Principet e saj mbeten, por lënda e saj mund të reduktohet në një tekst shumë më të shkurtër e më të qartë. Kujtdo i bën përshtypje Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara të Amerikës—ky dokument i jashtëzakonshëm i qytetërimit juridik modern—veç të tjerash edhe për kompaktësinë e saj. Kur u miratua, në vitin 1787, Kushtetuta amerikane përmbante vetëm 4,543 fjalë, përfshirë edhe firmat e delegatëve të Konventës së Filadelfias që e miratuan atë. Në atë kohë, Shtetet e Bashkuara përbëheshin nga vetëm 13 shtete (koloni), me një popullsi totale pak më shumë se 3.5 milionë. Sot, kur popullsia e Shteteve të Bashkuara, një republikë federale, e përbërë nga 50 shtete dhe disa territore, ka një popullsi afro 330 milionë, e cila ashta tepër e diversifikuar nga pikëpamja kulturore, etnike e fetare, ky vend ka po atë Kushtetutë, teksti i së cilës, së bashku me 27 amendamentet që i janë shtuar në këto 232 vite, përmban vetëm 7,591 fjalë. Teksti i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ka afro dy herë më shumë fjalë sesa teksti i Kushtetutës amerikane, për të mos thënë pastaj se, ndërsa ata që hartuan Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara ishin një plejadë njerëzish nga më të shquarit e atij shekulli, si George Washington, Benjamin Franklin, James Madison, Alexander Hamilton etj., Kushtetuta e Shqipërisë u mbeti në dorë ta hartonin një grupi të vogël njerëzish mediokër, pa arsimin dhe pa kualitetitet e duhura intelektuale.

Është fakt se, gjatë 30 viteve të fundit, legjislacioni shqiptar ka qenë në një fluks të vazhdueshëm. Jo vetëm ligji themeltar, por edhe shumë ligje organike dhe një korpus voluminoz ligjesh të tjera janë ndryshuar nga koha në kohë. Ndryshimet në legjislacionin e çdo vendi bëhen të domosdosham me kalimin e kohës. Roscoe Pound, një ndër juristët amerikanë më të shquar të shekullit të 20-të, në veprën e tij të njohur Interpretime të historisë ligjore (Interpretations of Legal History) , ka argumentuar se, “ligji duhet të jetë i qëndrueshëm, por edhe s’duhet të mbetet i pandryshuar”. Madje, ndryshe nga sa mendojnë shumë njerëz mbi karakterin konservativ e të pandryshueshëm të Kushtetutës amerikane, Woodrow Wilson, në atë kohë President i Universitetit të Princeton-it, shkruante më 1904 se Kushtetuta nuk u bë që të na rrijë si një “xhaketë e ngushtë” dhe se “madhështia e saj qëndron në elasticitetin e saj”.

Në Shqipëri, gjatë çerekshekullit të fundit, një pjesë e mirë e ndryshimeve kushtetuese dhe e ndryshimeve të tjera ligjore janë kushtëzuar nga vetë transformimet e mëdha e të shpejta të realitetin politik, ekonomik e social të vendit, të cilat kërkonin domosdoshmërisht ndryshime në legjislacion. Ligje të tjera janë ndryshuar thjesht në përputhje me interesat politike të çastit, duke pasqyruar raportet mes mazhorancës qeverisëse dhe opozitës dhe jo domosdoshmërisht interesat zhvillimore kombëtare afatgjata të shoqërisë shqiptare, sikur këta ligje të ishin shkruar mbi rërë për t’u fshirë me valën e re që sillte ndryshimi i partisë në pushtet.

 

Ligje të njëjtë për të gjithë

Në një vend demokratik të konsoliduar, si Britania e Madhe, kanë një shprehje ironike, që thotë: “Drejtësia është e hapur për të gjithë, njëlloj si Hotel Ritz”.

Edhe ligji më i mirë është shumë i keq dhe i padrejtë, nëse ai nuk zbatohet njëlloj për të gjithë, pasi, përpara ligjit, të gjithë—edhe ligjvënësit, edhe drejtuesit e shtetit, edhe gjyqtarët—duhet të jenë të barabartë. Askush nuk është mbi ligjin, dhe askush nuk është nën të, çka do të thotë se askush nuk është e s’mund të jetë i përjashtuar nga zbatimi i ligjit. Kjo e dallon shtetin ligjor demokratik nga një shtet autokratik, teokratik, nga një oligarki ose një diktaturë. Pavarësisht këtij parimi themelor të shtetit ligjor, ne shohim se, shumë herë, në Shqipëri, ligjet zbatohen në mënyrë të diferencuar, duke diskriminuar më të varfërit, më të pafuqishmit, ata që s’kanë njohje e lidhje me qarqet e pushtetit, dhe duke mbrojtur nga ndëshkimi ata që kanë pasuri, pushtet, ose lidhje me të pasurit e të pushtetshmit. Kjo pikërisht ka bëra që, deri ma sot, gjyqtarët dhe, përgjithësisht, sistemi gjyqësor, të ishin hallka më e dobët e sistemit të drejtësisë, edhe pse ata ishin më të mbrojturit. Sigurisht, kjo nuk është një dukuri vetëm shqiptare, as një dukuri kryesisht moderne. Soloni, ligjvënësi i famshëm demokrat i Athinës së lashtë, i krahasonte ligjet me rrjetat e merimangave: “krijesat e varfra e të dobëta ngecen në to, krijesat e mëdha e të fuqishme i çajnë ato dhe dalin prej tyre”.

Në librin e tij Forcë të dashurosh (Strength to Love), Martin Luther King, Jr. shkruante se “Moraliteti nuk mund të shkruhet në ligje, por sjella mund të rregullohet. Dekretet ligjore mund të mos e ndryshojnë zemrën, por ata mund të kufizojnë sjelljen e pashpirt”. Këto fjalë të këtij martiri për të drejtat e njeriut sugjerojnë se sjellja dhe veprimet e një pjese të atyre individëve që përbëjnë sistemin tonë gjyqësor nuk janë fatalisht të korruptuar e “të pashpirt”, por mund të ndryshohen në rrugë normative dhe përmes sensibilizimit më të madh të publikut, të politikës e të vetë pjesëmarrësve në këtë sistem. Vettingu i gjyqtarëve dhe i prokurorëve dhe reformimi i tërë sistemit të drejtësisë shpresojmë se do e bëjnë të mundur këtë ndryshim.

 

Ligji dhe e drejta

This is a court of law, young man, not a court of justice” (Kjo është një gjykatë e ligjit, djalosh, jo një gjykatë e drejtësisë). Këto fjalë i përkasin Oliver Wendell Holmes-it, kryetar i Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara në vitin 1930 dhe një prej juristëve më me influencë e më të cituar në historinë e atij vendi. Vini re! Ligji dhe drejtësia nuk janë e njëjta gjë. Gjykata vendos në përputhje me ligjin; ajo nuk vendos drejtësinë. Ndërsa një pjesë e madhe e njerëzve në Shqipëri, si dhe në shumë vende të tjerë, shqetësohen për ligjin dhe rendin, shumë të tjerë shqetësohen për drejtësinë. Ligji dallon nga drejtësia, por një gjë është e sigurt: është e pamundur të kesh njërën prej tyre pa i pasur të dyja. Prandaj, që qytetarët të besojnë në drejtësinë e sistemit të tyre, ligjet që e krijojnë dhe e mbrojnë këtë sistem duhet të jenë ligje të mirë, që i shërbejnë si interesave të individit, ashtu dhe së mirës publike.

Edhe pse barazia e të gjithëve përpara ligjit është një tipar themelor i një rendi demokratik, shteti ligjor (rule of law) nuk është i mjaftueshëm dhe mund të mos jetë i drejtë, pra një shtet i së drejtës (rule of justice). Edhe fashizmi e komunizmi kishin ligjet e tyre, por shteti fashist dhe ai komunist kanë qenë shtetet më të padrejtë e më mizorë në historinë moderne. Në pamfletin e tij të njohur Letër nga burgu i Birmingamit (Letter from Birmingham Jail), shkruar më 1963, Martin Luther King, Jr. tërhiqte vëmendjen e publikut amerikan me këto fjalë: “Kurrë nuk duhet të harrojmë se gjithçka që Hitleri bëri në Gjermani ishte ‘e ligjshme’ dhe se gjithçka që bënë luftëtarët e lirisë në Hungari [më 1956] ishte ‘e paligjshme’”. Në fakt, natyra dhe suksesi i çdo sistemi ligjor vlerësohen e maten me shkallën e besnikërisë së tij ndaj idealit universal të drejtësisë. Është fryma e ligjit dhe jo germa e tij që e mban drejtësinë gjallë. Dhe, ndërsa aftësia e njeriut për drejtësi e bën demokracinë të mundur, tendenca e tij për padrejtësi e bën demokracinë të domosdoshme.

Një shtet ligjor duhet të jetë edhe një shtet i së drejtës. Kjo do të thotë që pas çdo ligji duhet të ketë drejtësi. Drejtësia duhet të jetë synimi më i lartë i ligjit. Ne shohim shpesh herë raste kur njerëz të pafajshëm dënohen e vuajnë, ndërsa fajtorët i shpëtojnë dënimit të merituar. Ne shohim raste kur njerëz të ndershëm nuk arrijnë të kenë sukses në përpjekjet e tyre, ndërkohë që të tjerë, njerëz të pandershëm, pasurohen dhe përfitojnë padrejtësisht. Shteti i së drejtës është ai sistem ligjor, në të cilin çdo individ merr nga sistemi atë që me të drejtë i takon, përfshirë të gjitha të drejtat natyrore e ligjore, që s’mund t’ia marrë apo tjetërsojë askush—as shteti, as individë të tjerë. Problemi është se, në mjaft raste, edhe kur ligji është i mirë dhe i drejtë, mënyra se si administrohet ai nga një gjyqtar mund të jetë e padrejtë. Roy Cohn, një ndër juristët amerikanë më në zë në vitet 1950, i njohur për rolin e tij në gjyqin e Rosenbergëve dhe për bashkëpunimin e tij me senatorin famëkeq Joseph McArthy, thoshte: “Mua nuk më duhet të di se ç’thotë ligji; unë dua të di se cili është gjyqtari”.

Këtu vijmë në një çështje të fundit, me të cilën dëshiroj ta mbyll këtë ese. Ajo ka të bëjë me emërimin dhe integritetin e gjyqtarëve në të gjithë nivelet e sistemit gjyqësor. Fati i sistemit të drejtësisë në çdo vend, pra edhe në Shqipëri, qëndron kryesisht në duart e tyre. Gjyqtarë të aftë, të ndershëm, që emërohen në këtë detyrë jo për motive ose për shkak të pëlqimeve e të lidhjeve të tyre politike, por për shkak të aftësive e të integritetit të tyre profesional e moral janë, ose mund të bëhen garantë të parimeve të drejtësisë dhe të zbatimit të saj. Ata gjyqtarë që s’janë të tillë, por emërohen nga politika për interesat e njerëzve në pushtet, ose e blejnë me para funksionin e tyre, e shkatërrojnë sistemin e drejtësisë dhe vetë sistemin politik të shoqërisë, duke bërë që në shoqëri të sundojë padrejtësia. Gjyqtarë të tillë janë ata që, për shkak të aleancës së tyre të heshtur me politikën, kanë ushqyer dhe ushqejnë të korrupsionit në sistemin e drejtësisë dhe në vetë aparatin shtetëror.

Njerëz të tillë nuk ka vetëm në Shqipëri. Ata i gjen kudo, edhe në vende me një demokraci më të vjetër e më të konsoliduar se kjo që po mundohemi të krijojmë në Shqipëri. Ata përbëjnë rrezikun më të madh për shoqërinë, për individin dhe për vetë shtetin, sepse shumë herë marrin në mbrojtje krimin dhe kriminelët, vjedhësit dhe keqbërësit në pushtet, ndërsa u mohojnë drejtësinë qytetarëve të thjeshtë the viktimave të krimit. Robert Morgenthau, një ndër prokurorët më të njohur të Nju Jorkut dhe ndër më jetëgjatët në historinë e Shteteve të Bashkuara, mbahet mend, veç të tjerash, të ketë thënë këto fjalë që tingëllojnë me po aq kuptim edhe në kushtet e Shqipërisë: “Më mirë do të preferoja që fati im të varej në duart e 23 qytetarëve të thjeshtë, përfaqësues të këtij vendi [në një juri], sesa në duart e një gjyqtari të emëruar politikisht”.

Reformimi i vërtetë i sistemit të drejtësisë, përveç arsimimit më të mirë juridik të juristëve, dhe vetingut të gjykatësve e prokurorëve që po kryhet aktualisht, kërkon domosdoshmërisht―dhe mund të kishte sukses—vetëm nëse në organet dhe institucionet e këtij sistemi, para së gjithash, në gjykatat e çdo niveli nuk do të bëhen më emërime politike. Nëse gjyqësori nuk bëhet një sistem efektivisht e tërësisht i pavarur nga pushteti ekzekutiv dhe ai legjislativ, çdo përpjekje për ta reformuar sistemin e drejtësisë në Shqipëri, për të luftuar korrupsionin në këtë sistem dhe në administratën shtetërore të të gjitha niveleve, si dhe për të vendosur e konsoliduar shtetin e së drejtës do të ishte pa rezultat. Vetëm nëse―dhe vetëm atëherë kur të―bëhet e mundur ajo çfarë thoshte Harry Truman, se “çdo herë që ti emëron një anëtar në Gjykatën Supreme, ai pushon së qeni miku yt”, vetëm atëherë do të mund të themi se gjykatave tona dhe sistemit tonë të drejtësisë mund t’u besohet.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *