Heroi legjendar i rezistencës antifashiste greke, Manolis Glezos, flet ekskluzivisht për gazetën DITA. Çfarë mendon ai për antifashizmin dhe ringjalljen e falangave neofashiste pas kaq shumë vitesh. Pse shqiptarët duhet të jenë krenarë me Luftën e tyre Antifashiste. Ligji i Luftës me Shqipërinë që vazhdon të mbahet në fuqi nga Greqia dhe sa e suksesshme është përpjekja për rehabilitimin e kolaboracionistëve…
Ideja për këtë bashkëbisedim unikal me heroin grek të rezistencës antifashiste, Manolis Glezos për gazetën DITA lindi dy muaj më parë. Pikërisht në ato ditë kur Akademia jonë e Shkencave njoftoi mbajtjen e një konference ndërkombëtare shkencore me rastin e 75-vjetorit të çlirimit të atdheut. Synimi i deformimit të ngjarjes së madhe që shpëtoi Shqipërinë dhe i dha dinjitetin të radhitet me kombet më të qytetëruar të Europës dhe botës, si dhe reagimet e shumta kundër asaj pseudokonference djallëzore, na detyruan t’i drejtohemi për një prononcim njërit prej antifashistëve më të mëdhenj të Europës, Manolis Glezosit. Ky hero legjendar, tashmë 97 vjeç, është komshi me ne, është grek dhe një mik i shquar i shqiptarëve.
Manolis Glezos është Hero Kombëtar i Greqisë. Ai është një nga figurat emblematike të luftës së popullit grek kundër nazifashizmit. Por edhe më pas, një luftëtar trim dhe rebel kundër juntës ushtarake, që e drejtoi vendin për 7-8 vjet. Në Greqi gëzon një respekt dhe simpati të jashtëzakonshme, nga të vjetër dhe të rinj. Por edhe në Europë ka një emër të njohur. Është heroi i famshëm i Akropolit, kur më 30 maj 1941, në moshën 19-vjeçare, me guxim të pashoq, u ngjit në kolonat më të larta të Akropolit antik dhe hijerëndë, simbol i historisë së lashtë dhe e kulturës së antikitetit, hoqi flamurin gjerman të pushtimit…
Manolis Glezos është edhe një mik i madh i shqiptarëve, dashamirës i historisë dhe kulturës sonë. Dy vjet më parë duke kundërshtuar insinuatat e ministrit të Arsimit gjatë një debati ku u përmend Shqipëria, shpërtheu në mes të parlamentit: “Grekët dhe shqiptarët janë dy popuj fqinj të cilët duhet të jetojnë në harmoni me njëri-tjetrin”
Pastaj iu drejtua ministrit K. Arvanitopoulos duke i thënë. “Ti vetë ke mbiemrin Arvanitis! Pra Shqiptar”…
Para dy muajve ai tha një shprehje proverbiale ekskluzive për gazetën DITA mbi luftën tonë antifashiste dhe sulmet ndaj saj: “Duhet të krenoheni me atë luftë. Mos i hidhni verës ujë. Fashizmi nuk ka vdekur”.
Në këtë bashkëbisedim me këtë Hero të madh të rezistencës antifashiste, trajtohen disa çështje të aktualitetit në Shqipëri dhe Greqi, ringjallja e falangave fashiste nën emra modernë dhe se si duhet të përballemi me to.
Ky korife i antifashizmit europian, legjendë e luftës partizane të popullit grek para një muaji e pak, më 9 shtator, mbushi 97 vjeç. Është ndër antifashistët partizanë të Luftës II Boterore qe eshte ende i gjalle.
Mik i popullit shqiptar, i partizaneve dhe antifashistëve shqiptarë. Të një moshe me të dhe po me të njejten biografi politike janë në Shqiperi antifashistët Nexhmije Hoxha, Ziqiri Mero dhe Vito Kapo. Pak muaj më parë do të renditej ne kete liste edhe Heroi i Popullit Rrahman Perllaku.
Manolis ka qenë i pranishëm për vizita miqësore i ftuar nga organizata të veteranëve të luftës antifashiste nacionalçlirimtare disa herë në Shqipëri. Në një prej këtyre vizitave kam patur rastin ta takoj dhe të bisedoj edhe nga afër me të.
Por i paharruar do të mbetet takimi që unë bashkë me shkrimtarin tonë të madh Dritëro Agolli kemi patur në Athinë në vitin 1995, kur edhe kemi vendosur një komunikim të rregullt së bashku. Krejtësisht i thinjur ai më ngjante si një statujë antike, me një fytyrë si të gdhendur mjeshtërisht, me një pamje fisnike dhe me një zë tejet të ngrohtë.
Na priti përzemërsisht si të njiheshim prej kohësh dhe kemi biseduar vëllazërisht për shumë çështje të përbashkëta të Shqipërisë dhe Greqisë, për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe pa dyshim për Luftën Antifashiste. Më ka lënë përshtypje të thellë insistimi i tij për të mbrojtur vlerat e antifashizmit, përballë një neofashizmi në ngjitje si në Greqi dhe në Shqipëri.
Fillimisht mendova se e tepronte me shqetësimin që tregonte, mirëpo koha na ka bindur se ai ka patur dhe ka plotësisht të drejtë, sikurse do ta lexoni në radhët e këtij bashkëbisedimi me të.

Për këtë bashkëbisedim të jashtëzakonshëm, ekskluziv për gazetën DITA, dua të shpreh mirënjohjen time për shqiptarin atdhetar, emigrantin Niko Ndreu në Athinë, që mundësoi kontaktin me Heroin e Greqisë, nëpërmjet sekretares së tij dhe siguroi këto përgjigje nga Manolis Glezos.
Nikoja na përcjell edhe një porosi të Heroit Glezos: Kur të botohet kjo bisedë në gazetë, duhet t’i dërgojmë disa kopje të gazetës DITA në Athinë.
Ia premtoj me kënaqësi këtë kërkesë modeste, pavarësisht se do të kryenim edhe pa na e kërkuar.
Biseda me Heroin
I them fillimisht Heroit Glezos se a vërehet aktualisht një zbehje e antifashizmit, pra edhe e vlerave të asaj lufte, përderisa ka një gjallërim të neofashizmit si në Greqi dhe në Shqipëri.
Më përgjigjet:
– Keni dhe nuk keni të drejtë. Vërtetë ka një ngjallje të neofashizmit jo vetëm në vendet tona, por në krejt Europën dhe në botë, por kjo nuk do të thotë se është zbehur vlera e antifashizmit. Ne nuk duhet të pajtohemi me këtë situatë. Antifashizmi ka qenë dhe është e do të mbetet vlerë përparimtare universale e njerëzimit. Antifashizmi nuk zbehet kurrë.
– Pse e keni këtë siguri dhe bindje? Sa ngjan lufta antifashiste në Greqi me atë të Shqipërisë? e pyes në vijim.
– Ngjajnë si dy pika uji. Luftërat çlirimtare të popullit grek dhe shqiptar u bënë kundër pushtimit nazifashiste janë pjesë e vlerave që i bashkon dy popujt tanë dhe i rendit në tërë kordonin e antifashizmit evropian. Kjo duhet theksuar. Ne këtu e ju atje në vendin tuaj kemi patur një armik të përbashkët dhe si të tillë jemi bashkëluftëtarë të një fronti.
Pyetja e radhës është kjo: Ç’është për Manolis Glezosin Antifashizmi?
– Antifashizmi është filozofi përparimtare dhe vlerë progresive që frymëzohet nga ide progresive. Ai është afishuar dhe afishohet kundër nacionalizmit dhe ekstremizmit të djathtë që ngjall urrejtje mes popujve. Kam dëgjuar se ju shqiptarët keni pasur një nga çetat e para në Europë. A nuk është ky fakt për t’u krenuar?
– Po, i them, kemi pasur dy nga çetat e para antifashiste në Europë, atë të Pezës dhe atë të Skraparit… Sidoqoftë, le të vazhdojmë me antifashizmin…
– Antifashizmi nuk është fenomen dhe lëvizje që lindi gjatë Luftës së Dytë Botërore. Rrenjet e Antifashizmit i gjejmë me herët. Ishte Lufta e Spanjës, ishin Brigadat internacionaliste ku morën pjesë edhe shqiptarët të angazhuara kundër vendosjes së fashizmit në vitet 36-39 në Spanjë. Ajo luftë dhe ata luftëtarë ishin mishërim i tërë asaj fryme që përfshiu vullnetarët internacionalistë nga e gjithë bota, SHBA, Francë, Angli, Shqipëri etj., në përpjekjen e parë me armë në dorë kundër murtajës nazifashiste që po instalohej.
Në këtë moment bëj një kapërcim dhe e pyes Heroin pse Greqia vazhdon të mbajë në fuqi ligjin e Luftës me Shqipërinë?
Përgjigja e tij është e prerë:
– Është një gabim i rëndë dhe trashanik i të gjitha qeverive greke të pas luftës. Historia e ka sqaruar këtë. Nuk ka grek që të mos e dijë të vërtetën se pse u vendos ai ligj absurd. Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë asnjë faj apo përgjegjësi. Por absurditeti më i madh është që ky ligj mbahet ende në fuqi, kur në fakt të dy vendet kanë marrëdhënie shumë të mira mes tyre. Nuk mund të ecet përpara duke mbajtur në gojë fjalën luftë. Grekët e mi përpara se të flasin për luftë me shqiptarët, le të flasin se në shumë etapa të historisë kemi luftuar së bashku krah për krah kundërtë njëjtit armik, që nga pavarësia e Greqisë e deri në Luftën e Dytë Botërore. Kjo është një e vërtetë historike që duhet të na afrojë më shumë me njëri-tjetrin dhe jo ligji i luftës…
– Kanë kaluar 75 vjet nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore dhe në vend të krenohemi me Luftën Antifashiste, e sulmojmë atë. Të paktën në Shqipëri ky fenomen po ndodh hapur, po rehabilitohen kolaboracionistët…
– Edhe ky është një absurditet dhe paradoks i historisë. Kolaboracionistë kemi pasur edhe ne në Greqi, keni patur edhe ju. Në çdo kohë dalin tradhtarë. Por tradhtarët nuk duhet t’i nderojë askush. Heronjtë që luftuan dhe dhanë jetën për atdheun e tyre mbeten heronj dhe janë të pavdekshëm. Ndërsa kolaboracionistët e fashizmit janë tradhtarë dhe si të tillë do të mbahen mend, në anën e errët të historisë, sado vite e shekuj të kalojnë. Shqiptarët nuk duhet ta lejojnë që të ndodhë kjo. Lufta e tyre Antifashiste është e mjaftueshme që ata të krenohen dhe të mos e ulin kokën para historisë…
I them Glezos se në Shqipëri është përhapur një tezë e çuditshme, mbi “rëndësinë e antifashizmit pa armë dhe pa uniformë”. A është i saktë ky përcaktim?
– Aspak. Kjo do të thotë ta kthesh kokëposhtë historinë. Nuk shporrej fashizmi pa armë. Duhej ai organizim i mundimshëm me luftën partizane që të sillte fitoren. Dhe si në Greqi edhe në Shqipëri ishin antifashistët që e sollën fitoren. Pavarësisht se tek ne në Greqi ngjarjet r rodhën në mënyrë tragjike dhe ne patëm një luftë civile të përgjakshme pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Nuk ka antifashizëm “pa armë” dhe pa “uniformë”. Këto teori “gjoja moderne” janë shpikje që duan t’i heqin frymën luftarake antifashizmit, duan ta dobësojnë atë me qëllimin që ta mpijnë dhe eliminojnë atë.
– Dakord, zoti Glezos, por në Shqipëri me këtë teori të antifashizmit pa armë dhe pa uniformë u përfshi edhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë, pra një institucion serioz shtetëror. Si ta kuptojmë këtë?
– Gabim, shumë gabim. Madje faj. Gabimi kthehet menjëherë në faj, madje në krim kur shtrembërimi i të vërtetave historike mbi Luftën Antifashiste bëhet nga Akademia e Shkencave. Pra që një qëndrim i tillë të merret si qëndrim zyrtar i qeverisë. Dënojeni një qëndrim të tillë me zë të lartë dhe mos u pajtoni asnjë moment me të. Ata që flasin antifashizmin pa armë dhe pa uniformë janë mashtrues dhe falsifikatorë të historisë. Nuk e di se sa historianë dhe sa atdhetarë janë ata që i paskan shpikur këto terma. Mendoj se janë pseudo-historianë dhe pseudoshkencëtarë. Madje mund të jenë neofashistë, apo pinjollë të ballistëve tuaj të dikurshëm. Mos ua vini veshin. Bojkotojini dhe mbroni vlerat e antifashizmit. Kjo është e vetmja rrugë që i bën nder Shqipërisë.
Në përmbyllje të kësaj bisede, i kërkoj Heroit të Rezistencës Antifashiste greke një konsideratë për popullin shqiptar dhe për historinë e tij. Ai përgjigjet:
– Kam patur vazhdimisht një dashuri të veçantë për popullin shqiptar sepse jo vetëm jemi vende fqinj, por edhe popuj me histori dhe rrënjë të përbashkëta. Jemi dy kombe që kemi bërë histori. Jemi mbajtur e mpleksur me njeri tjetrin me shekuj, grek e arvanitas të cilët kanë dhënë një kontribut të veçantë në historinë shekullore të popullit grek. Heronjtë e historisë së lashtë por edhe të Rilindjes i kemi të përbashkët. Përulem me respekt të veçantë përballë historisë se popullit shqiptar, Luftës së tij Çlirimtare, figurave të shquara antifashiste që ai ka nxjerrë. Kemi vetëm një rrugë: të ruajmë vlerat unikale të antifashizmit, ta zhvillojmë atë, ta mbajmë të pastër nga deformimet e ideologëve neofashistë e neonazistë, të rigjallëruar në këto vite në Europë dhe ndaj të cilëve ju jeni vërtet i shqetësuar. Dhe me të drejtë. Unë e kuptoj thellësisht shqetësimin tuaj. Të gjitha betejat me ta i kemi fituar gjatë shekullit të kaluar dhe përsëri do t’i fitojmë edhe gjatë këtij shekulli sepse mbrojmë aspiratat e drejta të njerëzimit, mbrojmë humanizmin, solidaritetin, civilizimin, paqen dhe zhvillimin e gjithanshëm.
– Ju falënderoj përzemërsisht i dashur Manolis për këtë bisedë duke ju përcjellë edhe falënderimet dhe urimet më të mira për jetë të gjatë dhe shëndet nga stafi i gazetës DITA, ku do të botohet kjo bisedë.
– Ju faleminderit. Është kënaqësi për mua që bisedova me ju. Përcilluni të falat e mia më të përzemërta stafit dhe lexuesve të gazetës dhe gjithë popullit shqiptar si dhe urimet e mia më të mira për këtë përvjetor të madh të fitores mbi fashizmin! Mbajeni kokën lart dhe me krenari për atë luftë të fituar 75 vjet më parë. Vdekje fashizmit! Liri popullit!
Faqe nga biografia e Manolis Glezos
Glezosi lindi në fshatin Apiranthos (Aperathu), të ishullit Naxos. Ai u shpërngul në Athinë në vitin 1935 së bashku me familjen e tij, ku mbaroi shkollën e mesme. Gjatë viteve të shkollës së mesme në Athinë punoi edhe si punonjës farmacie. U pranua në Shkollën e Lartë të Studimeve Ekonomike dhe Tregtare (i njohur sot si Universiteti i Ekonomisë dhe Biznesit në Athinë) në vitin 1940. Më 1939, duke qënë akoma një gjimnazist, Glezos mori pjesë në krijimin e një grupi të rinjsh antifashistë kundër pushtimit italian të Dodekanezëve dhe diktatura e Ioannis Metaxas.
Në fillimin e Luftës së Dytë Botërore u bashkua me ushtrinë Greke në frontin shqiptar kundër Italisë, por u refuzua sepse ishte i mitur. Në vend të kësaj, ai punoi si vullnetar për Ministrinë Greke të Ekonomisë. Gjatë okupacionit të Greqisë, punoi për Kryqin e Kuq Helenik dhe komunën e Athinës, ndërsa u përfshi aktivisht në rezistencë. Svastika (kryqi i thyer) në Akropol. Më 30 maj 1941 Glezos dhe shoku i tij tjeter antifashist Apostolos Santas u ngjitën në Akropol dhe ulën flamurin nazist. i cili kishte qenë atje që nga 27 Prilli 1941, Ky veprim i kryer prej Glezos dhe Santas frymëzoi jo vetëm Grekët, por të gjithë levizjen antifashiste greke dhe pati jehone ndërkombëtarë. Regjimi nazist i ketij akti iu përgjigj duke dënuar ata me vdekje në mungesë.Ai u arrestua nga forcat gjermane më 24 mars 1942 dhe iu nënshtrua burgimit dhe torturave. Si rezultat i trajtimit brutal në burgjet naziste ai u prek edhe nga tuberkulozi.
Veprimtaria pas Luftës II Botërore
Fundi i Luftës së Dytë Botërore nuk ishte fundi i fatkeqësive së Glezos. Më 3 Mars 1948, në periudhën e Luftës Civile në Greqi, atij iu bënë disa gjyqe për bindjet e tij politike si komunist dhe u dënua me vdekje shumë herë nga qeveritë e djathta. Edhe pse ende ishte i burgosur, Manolis Glezos u zgjodh anëtar i Parlamentit Grek në vitin 1951, nën siglën e së majtës Demokratike të Bashkuar, i njohur edhe si EDA (Eliniki Dhimokratiki Aristera). Pas zgjedhjes së tij, i burgosur ai filloi grevë urie duke kërkuar lirimin e deputetëve të tjerë antifashistë.
Ai i dha fund grevës së urisë vetëm pa lirimit në 16 Korrik 1954.
Më 5 dhjetor 1958 u arrestua përsëri dhe vetëm pas 4 vjetësh ne 15 Dhjetor 1962 u lirua si rezultat i protestave të mëdha publike dhe zemërimit të opinionit grek dhe atij ndërkombëtar i cili i kishte akorduar atij dhe çmimin e paqes. Gjatë grushtit të shtetit më 21 prilli 1967, Glezos arrestohet së bashku me një pjesë tjetër të liderëve politikë të të majtes greke. Gjatë Regjimit të diktaturës ushtarake (Hunda) të udhëhequr nga George Papadopoulos, ai u burgos me burgim dhe internim jashtë Athinës deri kur dhe u lirua në 1971. Burgosjet e arrestimet dhe dënimet e Manolis Glezos, nga Lufta e Dytë Botërore deri në vitin 1974 janë të panumërta arrijnë në 11 vjet e 4 muaj burg, dhe 4 vjet e 6 muaj internim. Bashkë me të nëpër burgje dhe internime kanë vuajtur edhe figura të tjerë të mëdha antifashiste të Greqisë si poeti Janis Ricos, e të tjerë bashkëkohës të Glezosit.
Pas rivendosjes të demokracisë në Greqi në 1974, Glezos ishte nga nismëtarët në ringritjen e partisë së tij EDA. Në zgjedhjet e tetorit 1981 dhe qershor 1985, ai u zgjodh anëtar i Parlamentit Grek si deputet, me partinë e Lëvizjes Socialiste Panhelenike (PASOK). Në 1984 u zgjodh Anëtar i Parlamentit Evropian, përsëri me nën siglën e PASOK. Ai ishte edhe Presidenti i EDA nga 1985 deri në 1989. Ndërkohë, në vitin 1986, për shkaqe të pakënaqësisë të zhvillimeve të partisë ai u tërhoq nga Parlamenti, dhe u angazhua të zbatojë një eksperiment të demokracisë direkte me komunitetin e vendlindjes se tij Aperathu. Ky model i eksperimentuar prej tij funksionoi për disa vjet, por pa sukses. Në zgjedhjet legjislative të vitit 2000 ai kryesoi listën e partisë Synaspismos (Koalicioni) të së majtës radikale. Në 2002, ai formoi grupin politik Qytetarë aktivë (i cili është pjesë e Koalicionit të së Majtës Radikale, një aleancë me Synaspismos dhe parti të tjera të vogla të së majtës Greke) dhe kandidoi si prefekt për Atikën (gadishulli i Athinës).
Në Mars 2010, Glezos ishte duke marrë pjesë në një demonstratë proteste në Athinë, kur u godit nga një bombë gazi lotësjellës i hedhur nga policia. Ai u transportua i plagosur në spital.
Në shkurt të vitit 2012, Glezosi udhëhoqi mjaft demonstrata proteste në Athinë dhe siç e tregojnë disa foto të asaj periudhe në përleshje edhe me policinë ai u godit dhe plagos. Në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2012, ai u zgjodh si deputet i partisë së Koalicionit të së Majtës Radikale (SYRIZA) dhe u zgjodh edhe deputet ne parlamentin europian duke marrë 430 000 vota, më shumë se çdo kandidat tjetër në Greqi ndonëse ishte në moshën 91 vjeçare. Qëndroi në parlamentin europian gati për dy vjet duke qenë deputeti më i vjetër në moshë dhe në korrik të 2015 ai u tërhoq nga jeta aktive politike.
Karriera jo-politike
Përveç angazhimit te tij politik, Glezos ka qenë i angazhuar si aktivist shoqëror në ruajtjen e ambientit, në ndërtimin e mjaft veprave ujore dhe shkencat gjeologjike duke marrë pjesë në ndërtimin e mjaft digave në sistemet ujore në Greqi.
Ai është shpallur doktor nderi i filozofisë në disa universitete të Greqisë si në Athinë, Patras, Selanik etj
Glezos ka qenë aktiv edhe në shtypin e shkruar grek duke shkruajtur artikuj në gazetat greke që nga viti 1942 dhe ishte redaktori i gazetave Rizospastis (Radikali) dhe i Avgi (Agimi) në vitet ’50. Atij iu dha Çmimi Ndërkombëtar i Gazetarisë në 1958, Medalja e Artë Joliot-Curie të Këshillit Botëror të Paqes në 1959 dhe Çmimi i Lenin për Paqen në 1963. Ai ka botuar gjithashtu gjashtë libra në Greqisht të botuar kudo në Europë.
******
Biseda është kryer nga deputeti Spartak Braho. Botuar në Dita me dy pjesë në 19 dhe 20 tetor 2019. Ndalohet kategorikisht ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa cituar qartë dhe në mënyrë korrekte burimin

