Konfindustria: Krijimi i tregut të përbashkët Shqipëri-Kosovë, thelbësor

Edona Llukacaj

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Konfindustria shqiptare ka shprehur shqetësimin se se marrëveshjet e shumta në fushën e ekonomisë mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk janë zbatuar, çfarë ka rezultuar edhe në rënien e konsiderueshme të shkëmbimit të mallrave në shtator.

Duke deklaruar se mbështet programin dhe prononcimet e kreut të partisë fituese të zgjedhjeve të fundit në Kosovë, “Lëvizjes Vetëvendosja”, për domosdoshmërinë strategjike të jetësimit sa më të shpejtë të tregut të përbashkët kombëtar, Konfindustria vlerëson, se “është shumë më e rëndësishme dhe e shpejtë, për interesin afatgjatë krijimi i Tregut Kombëtar, krahasimisht përpjekjeve politike të mirëpritura, por të paqarta për krijimin e të ashtuquajturit “Mini Shengen” Rajonal“.

Në deklaratë theksohet se është tejet e rëndësishme që të krijohet Tregu i përbashkët Shqipëri – Kosovë, duke shtuar se me marrëveshjet e shumta të nënshkruara mes dy shteteve nuk është shënuar ndonjë përparim, por, përkundrazi janë bërë hapa prapa.

Përveç barrierave doganore, siç janë skaneri në doganë apo çertifikatat fitosanitare, një arsye tjetër që ka ulur shkëmbimin e mallrave mes dy vendeve në muajin shtator, sipas Konfindustrisë është taksa e Rrugës së Kombit.

Reagimi vazhdon më tej duke shtuar se investimet serioze mes dy shteteve si në sektorin energjetik, infrastrukturor në transport, apo edhe teknologji mungojnë për shkak se bashkëpunimi ekonomik është ende i vogël.

Në deklaratë thuhet: “Konfindustria vlerëson, se pavarësisht marrëveshjeve të shumta dhe shfaqjeve politike ndërmjet qeverive të dy shteteve shqiptare jo vetëm nuk është shënuar përparim, por janë bërë hapa mbrapa.

Një numër i madh i marrëveshjeve ndërqeveritare të nënshkruara kanë mbetur të pazbatuara dhe për më tepër janë shtuar pengesat edhe të natyrave “fizike”, inspektoriateve, licencave, lejeve, etj. Si p.sh vendosja e taksës së “Rrugës së Kombit”, që kanë vështirësuar marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.

Pasojë e problematikave të mësipërme është edhe rënia e ndjeshme e volumeve të import- eksportit të muajit shtator 2019 kundrejt muajit paraardhës me përkatësisht mbi 10% dhe mbi 6%. Prej vitesh marrëdhëniet tregtare ndërmjet shteteve shqiptare nuk kanë pësuar rritje të dukshme. Investimet e përbashkëta në sektorët strategjikë si energji, infrastrukturë, transport, etj. nuk janë ende të pranishme”.

Zgjidhja që Konfindustria propozon është krijimi dhe funksionimi sa më shpejt i një Tregu të Përbashkët Shqipëri-Kosovë si hap i parë, që mund të shpëtojë nga falimentimi  i sigurt i bizneseve të mëdha të dy shteteve shqiptare.

Konfindustria vlerëson, se krijimi dhe funksionimi sa më i shpejtë i Tregut të Përbashkët Shqipëri-Kosovë si hap i parë, përtej interesave të ngushta të grupeve të caktuara të biznesit, paaftësisë dhe korrupsionit politik, mbetet një nga mënyrat e vetme, që mund të japë shpresa për shpëtim nga falimentimi  i sigurt edhe për vetë bizneset e mëdha të dy shteteve shqiptare.

Konfindustria vlerëson me shqetësim, se ka përpjekje të qarta nga grupe monopoliste të lidhura me vendimarrjen politike në të dy shtetet, që të mbajnë mbyllur tregjet përkatëse, duke marrë shpeshherë edhe pamjen e një lufte tregtare të mirëfilltë. Mbështetja e gjatë te ortakësira me vendimarrjen politike, mungesa e investimeve në teknologji, burime njerëzore, etj. ka ulur ndjeshëm aftësinë e konkurencës së grupeve të mëdha të biznesit në të dy shtetet.

Në rast të kundërt, vazhdimi i procesit të pashamngshëm të integrimit në BE do të sjelli në mënyrë të pashmangshme, që Shqipëria dhe Kosova do të mbeten pa biznese kombëtare të mëdha” përfundon deklarata.

e.ll./dita

Share This Article
1 Comment
  • Nevijitet te hiqen barrierat dhe te ruhet ne maksimum konkurenca e ndershme, kjo do te ishte ne sherbim te konsumatorit, pamvaresisht se vendet mund te mbeten pa biznese te medha kombetare. Nese jemi te zote le te konkurojme dhe njekohesisht te pengojme ata qe konkurojne jo ndershem. Edhe bizneset e mesme dhe te vogla jane po aq te nevijshme, majde shume me te nevojshme se ato te medha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *