Shefi në detyrë i Personelit të Shtëpisë së Bardhë, Mick Mulvaney është përpjekur të mbrojë pretendimin e institucionit që përfaqëson se presidenti Donald Trump nuk pezulloi gati 400 milion dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën, me qëllim që Kievi të ndërmerrte hetime për rivalin e tij demokrat, Joe Biden, por është detyruar të mohojë deklaratën e vet.
Javën e kaluar, Mulvaney i tha gazetarëve se presidenti nuk kishte bërë një kërkesë detyruese, por disa orë më vonë e ndryshoi deklaratën dhe vazhdoi t’i mbahet versionit të tij të mëparshëm se presidenti dëshironte të dinte nëse Ukraina kishte bërë manipulime në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
“Kishte dy arsye që ne e pezulluam ndihmën,” tha zoti Mulvaney. “E para ishte korrupsioni i shfrenuar në Ukrainë. Është kaq keq në Ukrainë sa që në vitin 2014 Kongresi miratoi një ligj … duke na kërkuar që të sigurohemi që lufta kundër korrupsionit po lëvizte në drejtimin e duhur. Pra, korrupsioni është një çështje e madhe. Të gjithë e dinë atë. ”
Ai shtoi se, “Presidenti ishte gjithashtu i shqetësuar nëse vendet e tjera, konkretisht ato evropiane, do të ndihmonin me ndihmën e huaj për Ukrainën”.
Mulvaney gjithashtu u shpreh se presidenti Trump dëshironte të dinte nëse Ukraina kishte në pronësi një server kompjuterik të përdorur për hakerimin në Komitetin Kombëtar Demokrat në vitin 2016 që tregoi se mbështeti ish-sekretaren e shtetit të SHBA Hillary Clinton në fushatën e saj të pasuksesshme kundër zotit Trump për Shtëpinë e Bardhë.
Vendndodhja e kompjuterit është pjesë e një teorie se Ukraina ishte përzierë në zgjedhjet e vitit 2016, dhe jo Rusia, siç arriti në përfundim komuniteti i inteligjencës amerikane.
Por zoti Mulvaney tha të dielën se përmendja e shqetësimeve të presidentit Trump për kompjuterin “nuk ishte e lidhur me ndihmën”, megjithëse javën e kaluar kishte thënë: “Kjo është arsyeja pse ne i mbajtëm fondet”./ VoA
e.ll./dita
