Presidenti amerikan Donald Trump nuk shprehet shumë i shqetësuar në publik për situatën në kufirin turko-sirian. Të enjten (17.10) ai e krahasoi konfliktin mes ushtrisë turke dhe trupave kurdë si grindje mes dy fëmijëve. “Nganjëherë ata duhet të luftojnë për njëfarë kohe”, u shpreh ai në Teksas, duke shtuar: “Pastaj i ndajmë nga njëri-tjetri”.
Ndërkohë, gjatë ofensivës ushtarake turke pakditore në verilindje të Sirisë, 500 persona kanë humbur jetën, mes tyre 72 civilë, sipas të dhënave të ardhura nga Qendra Vëzhguese Siriane për Drejtat e Njeriut dhe verifikohen me vështirësi. Nga të dhëna të tjera bëhet e ditur, se 300.000 vetë kanë marrë arratinë. UNICEF raporton se luftimet kanë shkatërruar një depozitë uji në rajon që furnizonte 400.000 vetë me ujë të pijshëm. Këto nuk kanë të bëjnë aspak me “zënka fëmijësh”.
Më 6 tetor presidenti amerikan bëri të ditur tërheqjen e trupave amerikane nga Siria veriore. Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhet, se “së shpejti Turqia do të fillojë me operacionin e planifikuar për një kohë të gjatë në Sirinë Veriore”, dhe se ushtria amerikane nuk do t’i mbështesë trupat turke në këtë operacion. Por nuk bëhej fjalë për dënimin e operacionit. Megjithëse ky operacion drejtohej kundër milicëve kurdë, që ishin aleatët më të rëndësishëm të SHBA në luftën kundër të ashtuquajturit “Shteti Islamik”.
Pak pas marshimit të ushtrisë turke në Siri, dhe pas kritikave të ashpra nga vetë republikanët, Trump kërcënoi me “shkatërrim të plotë” të ekonomisë turke. Të enjten, ai bëri të ditur se zëvendës presidenti, Mike Pence udhëtoi për në Ankara për të negociuar një armëpushim dhe se janë fshirë sanksionet e planifikuara. Por ajo që presidenti amerikan prezantoi si sukses me krenari “ishte zgjidhja e një problemi që ai e shkaktoi vetë”, thotë Frances Brown nga Qendra Carnegie për Paqen Botërore. “Vendosën sanksione për një aksion, për të cilin Turqia kishte besuar, se kishte marrë dritën e gjelbër nga Shtëpia e Bardhë.”
Bulent Aliriza, themelues dhe drejtor i institutit turk, Qendra për Studimet Ndërkombëtare Strategjike”, CSIS shprehet se nuk i kujtohet ndonjë rast, kur tre politikanë, Pence, ministri i jashtëm, Pompeo dhe këshilltari për sigurinë, Robert O’Brien të shkojnë diku diku së bashku “për të vënë rregull për rrëmujën që shkaktoi Trump”.
Thuhet se, këshilltarët ushtarakë nuk u konsultuan para se Shtëpia e Bardhë të jepte sinjalin për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria Veriore. Ndryshimet e vazhdueshme të vëna re ditët e fundit, duket se e konfirmojnë këtë. “Mendoj, se mund të thuhet, se nuk ka një strategji serioze”, thotë Michael Singh, nga Instituti i Uashingtonit për Politikën e Lindjes së Afërt dhe ish-këshilltar i ministrit të Jashtëm, Colin Powell. “Përgjegjësit duhet të nxitojnë shumë tani që të dalin me një strategji të re.”
Sipas ekspertëve megjithatë këto 12 ditë kanë shkaktuar dëme të mëdha. Kurdët ndjehen të tradhëtuar nga SHBA; Turqia ndjehet e provokuar nga Trump; aleatëve të tjerë SHBA i tregoi me sjelljen e saj arbitrare, se nuk mund të mbështetesh tek Uashingtoni. Sipas ekspertes Broën kundërshtarët e SHBA përhapin me dëshirë idenë se vendi ynë nuk është më një partner i besueshëm. “Këtë treguam ne tani.”
Ndërkohë lidhur me strategjinë në Siri, e cila ekzistonte dikur, SHBA kishte tre synime: Të mposhte Shtetin Islamik, të reduktonte influencën e Iranit në Siri dhe të fillonte një transformim politik të pakthyeshëm. “Zhvillimet e fundit tregojnë, se me gjasë mund të kemi një forcim të ISIS-it”, tha Singh. “Ata me siguri do ta forcojnë ndikimin e Iranit në Siri, kështu në të tre pikat kemi pësuar kthim mbrapa”.
Tani edhe kreu i republikanëve në senat, Mitch McConnell ka dalë kundër politikës së Donald Trump. “Tërheqja e trupave amerikane nga Siria është një gabim i rëndë strategjik”, shkroi ai në Ëashington Post. Ky gabim e bën më të pasigurtë Amerikën dhe dobëson partnerët tanë të rëndësishëm. Ai bëri thirrje urgjente që të mbetet një numër ushtarësh amerikanë në Siri.
Nuk dihet se si do të ecë marrëveshja pesë ditore e armëpushimit për tërheqjen e kurdëve, 32 kilometra në thellësi të Sirisë dhe përgjatë kufirit 440 kilimetra mes dy vendeve. Ankaraja kërkon që “kjo zonë sigurie” të braktiset nga të gjithë milicët kurdë që për Turqinë janë një organizatë terroriste. Plani është zhvendosja e miliona refugjatëve sirianë aty.
Të martën (22.10) Erdogan takohet me presidentin rus, Putin. Ekspertët janë të mendimit, se ndikimi rus në rajon pas tërheqjes së SHBA do të rritet. Se si do të veprojë në të ardhmen Turqia, varet edhe nga ajo, se çfarë mbështetje do t’i japë Erdoganit, presidenti Putin.
Burimi: DW
e.ll./dita
